Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
"Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë", thuhet në urimin e presidentit Macron, të cilin e ka publikuar Presidenca e Kosovës.
Mëtej në letrën e urimit, Macron ka folur edhe për dialogun dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Në këtë drejtim normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një përfaqësuesi të ri special të BE-së duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe", thuhet tutje në letrën e Macronit.
Ai shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.
"Franca është e gatshme t'ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë", thuhet në urim.
Në këtë urim, Macron ka falënderuar Osmanin për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.
"Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj", ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, presidenti francez.
Lajmi kryesor:
Nesër 17-vjetori i Pavarësisë/ Liderët e botës urojnë Kosovën, Trump: Mbështetje e plotë nga SHBA, por presim marrëdhënie më produktive me qeverinë
K.M/ReportTv.al