Kosova & Rajoni
Bota

Nesër 17-vjetori i Pavarësisë/ Liderët e botës urojnë Kosovën, Trump: Mbështetje e plotë nga SHBA, por presim marrëdhënie më produktive me qeverinë

16 Shkurt, 14:23| Përditesimi: 16 Shkurt, 23:01

  • Share

Kosova do të festojë ditën e nesërme (17 shkurt 2025) 17-vjetorin e Pavarësisë. Vetëm disa orë larg nga kjo festë e shumëpritur nga mbarë kombi shqiptar, Kosova ka nisur të marrë urimet e para, nga personalitete dhe liderë botërorë.

Presidenti amerikan Donald Trump, uroi Pavarësinë me një letër mjaft inkurajuese dhe plot mesazhe për qytetarët e Kosovës, drejtuar presidentes Vjosa Osmani.

Në letrën e presidentit amerikan, theksohet se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku të gjithë qytetarët mund të jetojnë dhe të zhvillohen së bashku, ndërsa theksohen pritshmëritë e Uashingtonit për ndërtimin e një marrëdhënieje më produktive me qeverinë e Kosovës.

Presidentja Osmani mori urime edhe nga Mbreti Charles III, presidenti Emmanuel Macron dhe presidenti gjerman Frank-Ëalter Steinmeier.

Ndër të parët ishte Mbreti Charles, i cili shprehet se përveçse është i lumtur për bashkëpunimin mes të dyja vendeve gjithashtu thekson që kjo miqësi e tyre të forcohet më tej.

“E nderuara zonja Presidente,

Unë dhe bashkëshortja ime kemi kënaqësinë t’i dërgojmë Shkëlqesisë Juaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet tona më të ngrohta me rastin e festës suaj kombëtare.

Jam shumë i kënaqur që vendet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres të forcojmë më tej miqësinë tonë.

Është shpresa ime dhe ambicia ime e fortë që kombet tona të mund të bashkëpunojnë për të dhënë një ndikim pozitiv në ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore, të cilat na prekin të gjithëve globalisht.

Unë dhe gruaja ime kemi kënaqësi të madhe t’ju përcjellim urimet tona më të mira për ju dhe për të gjithë kosovarët në vitin e ardhshëm.

Charles R”.

Kjo ditëlindje e gjen Kosovën në pritje të formimit të qeverisë së re dhe përbërjes së parlamentit, si edhe nën sanksionet nga vendet e BE prej qershorit 2023 dhe në marrëdhënie të krisura më partnerin më të madh SHBA.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Por, ai që shqiptoi deklaratën e pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi dhe 3 të tjerët, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, sot ndodhen në paraburgim në Hagë. Ishin 19 shtete që ndërhyn ushtarakisht më 1999, ndërsa tani janë 117 shtete që e kanë njohur pavarësinë.

Ora 21:18
Nesër 17-vjetori i Pavarësisë, presidenti gjerman uron Osmanin: Berlini mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës

1739737188_FrankWalterSteinmeierdheVjos.jpg

Vjosa Osmani dhe Frank-Walter Steinmeier

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një urim me rastin e 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Në urim, presidenti Steinmeier ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e Presidentit Steinmeier.

Në komunikatën për media thuhet se Steinmeier ka potencuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, siç thuhet aty, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian..”, thuhet në urim.

Në fund të urimit të tij, Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.

Gjatë ditës së sotme, me rastin e pavarësisë Osmani ka pranuar urime edhe nga presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, nga Mbreti Charles III si dhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ora 21:15
Macron uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë: Ju mbështesim në perspektivën evropiane

1739737062_373.jpg

Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

"Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë", thuhet në urimin e presidentit Macron, të cilin e ka publikuar Presidenca e Kosovës.

Mëtej në letrën e urimit, Macron ka folur edhe për dialogun dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

"Në këtë drejtim normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një përfaqësuesi të ri special të BE-së duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe", thuhet tutje në letrën e Macronit. 

Ai shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.

"Franca është e gatshme t'ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë", thuhet në urim.

Në këtë urim, Macron ka falënderuar Osmanin për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.

"Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj", ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, presidenti francez.

Ora 17:30
Nesër 17-vjetori i Pavarësisë, Trump uron Osmanin: Lidhjet midis popujve tanë, të forta! Presim ndërtimin e një marrëdhënieje më produktive me qeverinë e Kosovës

1739723534_OsmaniTrump.jpg

Vjosa Osmani dhe Donald Trump

Presidenti Donald Trump ka uruar presidenten Vjosa Osmani në vigjilje të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ndër të tjera, në letrën e presidentit amerikan theksohen pritshmëritë e SHBA për ndërtimin e një marrëdhënieje më produktive me qeverinë e Kosovës.

LETRA E DONALD TRUMP DREJTUAR VJOSA OSMANIT:

E nderuar Zonja Presidente

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Rruga e Kosovës si një komb sovran është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku të gjithë qytetarët mund të jetojnë dhe të zhvillohen së bashku. Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim t’i zgjerojmë ato, duke përfshirë edhe rritjen e mundësive për investime, për të sjellë më shumë mirëqenie për të dyja kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën ndërsa ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë të biznesit.

Shtetet e Bashkuara presin me padurim ndërtimin e një marrëdhënieje më produktive me qeverinë e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euro-atlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e së kaluarës, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella midis kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë festimi.

Sinqerisht, Donald Trump

Xh.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Scutari: 16/02/2025 15:24

    Mendoj se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë, bazuar në ligjet ndërkombëtare, dhe gjithçka merr fund në fushën ndërkombëtare, por ne dhe ata i pengon ajo që na ka penguar për shekuj me radhë, cmira dhe zilia për njëri tjetrin dhe bajraktarizmi anadollak që udhëheq vetëdijen!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?