Edhe pse takimi mes Trump dhe Putin nuk do të jetë më privat, siç ishte parashikuar fillimisht, gjatë udhëtimit të tyre me “Bishën” – super-makinën presidenciale amerikane – dy liderët kanë qenë vetëm, pa përkthyes.
Kështu, për 10-15 minutat e nevojshme për të mbërritur në vendin ku mbahet samiti (ku i prisnin nga dy këshilltarë secilin), ata kanë pasur mundësinë të bisedojnë pak mes tyre. Në makinë ndodheshin vetëm shoferi dhe një agjent sigurie. Brenda “Bishës”, Putin ishte ulur në sediljen e pasme, në të majtë, dhe disa pamje të kapura e tregonin duke buzëqeshur. Trump ishte ulur në të djathtë.
Është e pamundur, natyrisht, të dihet se çfarë kanë biseduar të dy – një element që shton misterin mbi ato që liderët e dy superfuqive mund të diskutojnë privatisht, ashtu siç ndodhi në një bisedë që ata patën në Hamburg në vitin 2017, në fillim të mandatit të parë të Trump-it. Është jashtëzakonisht e pazakontë të shohësh dy liderë të fuqive të mëdha të udhëtojnë në të njëjtën makinë. Që në vitin 2018, miliarderi amerikan kishte shprehur dëshirën të ftonte diktatorin koreano-verior Kim Jong Un në makinën e tij, por këshilltarët e kishin bindur të heqë dorë.
Jo vetëm kaq: mediat ruse kanë konfirmuar se Putini hipi te "Bisha" edhe pse në pistën e Anchorage e priste limuzina e tij personale Aurus, prodhim rus.
Bisha është super-makina e presidentit amerikan, me specifika të rrepta sekrete. Dihet se përdor goma të përforcuara me kevlar, të ngjashme me ato të kamionëve të mesëm të rëndë, të cilat i lejojnë të vazhdojë lëvizjen edhe me një gomë të shpërthyer. Rezervuari i karburantit është i mbuluar me një shkumë speciale kundër zjarrit, ndërsa xhamat antiplumb prej polikarbonati janë 15 centimetra të trashë. Në bord ndodhen rezervuarë oksigjeni për të siguruar frymëmarrjen normale dhe për të mbrojtur pasagjerët nga një sulm kimik.
Gjithashtu, brenda ka një frigorifer me rezerva gjaku të përputhshëm me atë të presidentit dhe furnizime mjekësore për çdo rast emergjent. Sistemet e komunikimit janë të koduara dhe të lidhura me të gjitha qendrat e pushtetit amerikan, me dy linja gjithmonë aktive: një me zëvendëspresidentin dhe një me Pentagonin./Corriere Della Sera
Komente
