Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, kanë zhvilluar takime ndërgjegjësuese me bizneset që tregtojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, me qëllim forcimin e kontrollit fiskal dhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin.
Ministri Malaj u shpreh qëllimi i vizitës është ndërgjegjësimi i shitësve me pakicë, qofshin ata tregtarë të produkteve të mishit, bulmetit apo bujqësore.
“Është thelbësore që ata të sigurojnë faturën e blerjes nga burimi i produktit, jo vetëm për formalizimin e biznesit, por edhe për sigurinë ushqimore. Fatura mundëson gjurmimin e produktit nga origjina deri në tryezën e konsumatorit”,- tha Malaj.
Nga ana tjetër, ministrja Denaj theksoi se siguria ushqimore është prioritet i qeverisë, nga momenti i prodhimit në fermë deri te konsumatori.
“Nëse ekziston fatura fiskale, gjurmueshmëria bëhet më e lehtë. Kjo sjell qartësi dhe siguri për konsumatorin, si dhe përgjegjësi të plotë për çdo hallkë të zinxhirit ushqimor”,- tha Denaj.
Denaj u bëri thirrje të gjithë bizneseve tregtare që të marrin faturat në momentin që blejnë produktet ushqimore nga ferma.
“Ky është një detyrim ligjor, por mbi të gjitha është një detyrë ndaj konsumatorit”,- theksoi ajo.
Komente

Per ke eshte qoka .. se kallamaret e prishura nuk u mor vesh kush i hengri
Përgjigju