Foto nga pasojat e zjarrit të rënë në Maliq
Maliq- I vuri zjarrin tokës për të djegur mbetjet bimore të prodhimeve bujqësore duke rrezikuar edhe një biznes aty pranë, prangoset piromani 64-vjeçar në Maliq.
Policia vendore konfirmoi sot (14 Gusht), se pas hetimeve të kryera mbi një vatër zjarri në sipërfaqen e një toke bujqësore në afërsi të rrugës Sheqeras-Maliq, identifikoi dhe ndaloi si të dyshuar banorin e zonës, që besohet se i kanë dalë flakët nga kontrolli.
Burime zyrtare thanë se nga flakët u rrezikua edhe një biznes aty afër, kompani frigoriferike. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kurse i dyshuari Xh. H., është banues në fshatin Orman-Pojan.
"Ky shtetas ka ndezur zjarr në afërsi të aksit rrugor, për të djegur mbetje bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është rrezikuar një subjekt (firmë frigoriferike) në aksin rrugor Sheqeras-Maliq dhe është djegur një sipërfaqe toke", tha policia vendore.
Zjarrfikësit shuan flakët pas ndërhyrjes dhe minimizuan dëmet. Për 64-vjeçarin rëndon akuza e “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Policia e Korçës u bëri thirrje publike edhe qytetarëve, që “të tregojnë kujdes”, në një kohë kur situata me zjarret në vend është alarmante, pasi në të kundërt “do përballen me përgjegjësitë”.
Lajmi kryesor:
Situata nga zjarret në vend/ Mbërrijnë në Shqipëri dy avionë rumunë për ndërhyrje në vatrat më kritike! Vendosen në bazën e Kuçovës
A.Q/ReportTv.al