Ishulli i Zvërnecit në Vlorë, është kthyer në një atraksion mjaft të preferuar turistik edhe gjatë stinës së vjeshtës.
Këtë fundjavë të shumtë janë vizitorët vendas dhe të huaj që frekuentojnë zonën jo vetëm për natyrën, por edhe për lagunën, manastirin e Shën Mërisë dhe kishën Fjetja e Hyjlindëses.
Vendasit pëlqejnë të kthehen shpesh këtu, por janë kritikë për infrastrukturën.
“Mysafirët i kemi nga Greqia, i kemi shokë. Kishin qejf të vinin dhe të shikonin manastirin, por këtu siç kishte qenë është. Asnjë rregull, asnjë pastëriti, asnjë investim që të priten tamam turistët që janë nga e gjithë bota”, tha një vizitore.
“Duhet shumë punë. E shohim që nuk ka vëmendjen e duhur”, u shpreh një tjetër.
“Do të shikosh, nuk shikon gjë të mirë. Nuk ka investim, nuk ka rregull”, tregoi një tjetër.
Ndërsa të huajt shprehen të mrekulluar nga ky vend.
“Jemi nga Ukraina, nga Kiev. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në Vlorë. Ky është një vend fantastik”, tha një turiste.
“Jemi shumë të kënaqur që kemi ardhur në Vlorë dhe këtu në manastir. Kjo është dita e dytë që jemi në Vlorë. Në hotel na kanë mirëpritur njerëz të mrekullueshëm. Edhe ushqimi është shumë i shijshëm. Do të vijmë përsëri”, tregoi një tjetër.
“Dje ishim në Porto Palermo, te kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ndeshëm në një koncert folklorik”, tha një tjetër.
Por zona e Zvërnecit nuk frekuentohet vetëm për të kaluar një ditë pushimi, por edhe për peshkim. Të pasionuarit pas këtij sporti, vijnë edhe nga qytete të tjera rreth Vlorës.
“Unë jam nga Fieri dhe e kam pasion peshkimin. Më tepër e kam për të kaluar kohën se sa për të zënë peshk, pasi më shumë harxhojmë se sa fitojmë”, u shpreh një i apasionuar pas peshkimit.
“Mesatarisht 4-5 herë në javë jam me këto vegla. Për sport vij. Nëse zë shumë peshk, jua jap shokëve”, tregoi një tjetër.
Gjatë verës bregdeti i Zvernecit është i tejmbushur me pushues, të cilët e preferojnë për qetësinë, pastërtinë dhe hapësirën e bollshme.