Kryetari i Bashkisë Vlorë duke pritur ambasadorët në Zvërnec

Sociale

Manastiri i Zvërnecit mikpret ambasadorët/ Vlera kulturore dhe turistike në fokus

29 Maj, 15:26| Përditesimi: 29 Maj, 15:54

  • Share

 

Manastiri i Zvërnecit është pushtuar këtë të enjte nga ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë. Me ftesë të Bashkisë Vlorë dhe mbështetje të Ministrisë së Jashtme, trupi diplomatik, për dy ditë në një vizitë në qytetin e Vlorës, ndërsa sipari i vizitave është çelur me Manastirin e Zvërnecit, një prej manastireve të njohur bizantinë në rajonin e Vlorës, një vend i spostuar në lagunën e Nartës, larg nga qendrat e banuara, i izoluar dhe i mbrojtur. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka pritur delegacionin e ambasadorëve së bashku me episkopin Anastas dhe priftin e kishës, Jani Tereziu, në hyrje të manastirit.

Më pas, trupi diplomatik, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ka vizituar kishën e Shën Marisë së Manastirit të Zvërnecit, kishë që i përket shek. XIII-XIV, ku janë njohur nga afër me vlerat e saj historike dhe kulturore. Pyetur nga gazetarët e pranishëm, kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ka detajuar axhendën dyditore të vizitës së trupit diplomatik në Vlorë.

Pjesë e trupit diplomatik, Silvio Gonzato mungonte në këtë vizitë, ndërsa sipas Dredhës, takimi me ambasadorët do të shërbejë edhe për njohjen e resurseve turistike dhe kulturore të qytetit bregdetar, por pse jo edhe për të hedhur piketat e një bashkëpunimi me vendet përkatëse në të ardhmen.

Manastiri i Zvërnecit në Vlorë është një nga pikat turistike që çdo ditë e më tepër vizitohet nga vendas dhe të huaj. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit, ndërsa trupi diplomatik do të vizitojë edhe muzetë e Bashkisë Vlorë, Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, por edhe Art Muze Salami në Kuzumbaba, si dhe Parkun Kombëtar të Llogorasë dhe Parkun Detar Sazan-Karaburun.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?