Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në prezantimin e programit për shëndetësinë dhe mbrojtjes sociale, tha se programi i transformimit të shëndetësisë 2030, do të prekë të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor, duke theksuar se është koha të ridimensionohet çdo qelizë e sistemit shëndetësor.
“Zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Do ta pilotojmë gjatë 2022, dhe deri në 2025 ky model do të jetë eksportuar në spitalet e tjera. Objektivi ynë është që spitalet tona publike të administrohen, sipas një sistemi që shpërblen mbi bazën e performancës. Një sistem që eleminon çdo abuzim dhe papërgjegjshmëri në kurriz të qytetarëve”, tha Manastirliu.
Manastirliu në fjalën e saj tha se kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të infrastrukturës në gjitha rajonet, duke theksuar se brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore.
“Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të tjera të infrastrukturës spitalore. Do të finalizojmë brenda këtij mandati projektet e mëdha të modernizimit të spitaleve universitare dhe rajonale. Do zgjerojmë kapacitetet në spitalet universitare dhe rajonale për të përballuar urgjencat kardio-vaskulare dhe cerebrale-vaskulare. Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjithë rrjetit të qëndrave shëndetësore dhe ambulancave në çdo cep të Shqipërisë”, bëri me dije Manastirliu.
Duke theksuar filozofinë e qeverisë së Partisë Socialiste, drejt mbulimit shëndetësor universal, duke e konsideruar shëndetin si një e mirë publike, Manastirliu bëri me dije angazhimin për financimin për shëndetësinë.
“Deri në vitin 2030, ne synojmë ta çojmë financimin publik për kujdesin shëndetësor, në 70% të shpenzimeve totale për shëndetësinë. Eshtë një objektiv ambicioz, por ne jemi të qartë dhe të vendosur: asnjë familje shqiptare nuk duhet të bjerë në varfëri, për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor”, u shpreh ministrja Manastriliu në fjalën e saj.
Ministrja e Shëndetësisë tha gjatë fjalës së saj se, programi i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale parashikon zgjerimin e programeve për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale. Programi parashikon edhe krijimin e 10 qendrave model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio –shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë dhe kujdesin paliativ brenda 2024.
Teksa ka vënë theksin ne sigurimin e aksesit periodik të shërbimit shëndetësor për qytetarët, Manastirliu tha se do të investohen ne modernizimin me tej të rrjetit të Urgjencës Kombëtare dhe do të ndërtohet Programi Kombëtar i mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që qytetarët në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se siguria dhe cilësia e barnave që qarkullojnë në treg mbetet prioriteti i punës së strukturave të MSHMS, duke rritur gjithashtu alternativat dhe disponueshmërinë e barnave. Gjithashtu Manastirliu bëri me dije se brenda këtij mandati do të ndërtohet Platforma e Integruar e Shëndetit që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, tele-konsultat, me qëllim përmirësimin e efiçencës së sistemit shëndetësor dhe reduktimin e barrierave gjeografike dhe financiare për përfituesit.
Duke u ndalur tek situata e pandemisë, Ministrja Manastirliu ka deklaruar se fokusi i mandatit të tretë qeverisës në këto sektorë, do të përqëndrohet në vaksinimin e popullatës së targetuar dhe mirëmenaxhimin e pasojave post-COVID.
“Programi ynë Kombëtar i Vaksinimit, pavarësisht skepticizmit, nisi në një kohë kur jo pak vende nuk kishin ende qasje në vaksina. Kjo bëri të mundur një mbrojtje më të hershme të popullatës dhe rezultatin mund ta shohim sot, nëse bëjmë krahasimin me vendet fqinje, apo vendet e ngjashme me Shqipërinë. Deri më sot, kemi kryer 1 milion e 625 mijë vaksinime. Programi ynë do të vazhdojë pa u ndalur, sepse ne do të garantojmë furnizimin me vaksina, me objektiv final vaksinimin e plotë të popullatës target. Në mandatin tonë të tretë fokusi do të jetë në menaxhimin sa më efektiv të pasojave post –COVID”, deklaroi Manastirliu.
Duke folur për programet e mbrojtjes sociale, Manastirliu tha se do të zgjerohet skema e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë, duke e ndërthurur me rritjen e aksesit në punësim.
“Do të zgjerojmë skemën e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë si dhe rrisim aksesin në punësim, nëpërmjet programit "Mbështetje për Ri-integrim", i cili nga ana e vet, do të plotësohet nga programi "Shqipëria Punon”, duke përmirësuar lidhjen me skemat e punësimit, me shërbime të integruara, për të arritur daljen nga skema e Ndihmës Ekonomike”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e vuri theksin edhe tek reforma e aftësisë së kufizuar, si një shtyllë e rëndësishme e programit të mbrojtjes sociale të qeverisë.
“Do të finalizojmë shtrirjen e Reformës së Aftësisë së Kufizuar bazuar në vlerësimin e ri bio-psikosocial, duke siguruar pagesat financiare dhe mbështetjen sociale për personat me aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.
Duke e konsideruar si një program universal për familjet, Manastirliu tha se të vijojë mbështetja e mbi 30 mijë fëmijëve të porsalindur çdo vit, duke financuar Programin e Bonusit të Bebes.
Në prezantimin e programit të qeverisë për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale, ministrja Manastirliu u ndal edhe tek mekanizmi i Fondit Social, nëpërmjet të cilit do të zgjerohet rrjeti i qendrave dhe shërbimeve të reja në territor për fëmijët, gratë, personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit në nevojë në të gjitha bashkitë e vendit si dhe do të mbështetet krijimi i 11 ndërmarrjeve sociale me qëllim mbështetjen e grave dhe vajzave.
Lajmi kryesor:
Programi dhe kabineti/ Përplasje dhe debate në seancën maratonë të Kuvendit, PD bllokoi foltoren, kerkoi prezencën e Ramës! Basha: Rama ekzekutori i zgjedhjeve, demokracia ka vdekur! Kryeministri: Copy-paste nga fushata, merru me kumriet (VIDEO)
//ReportTv.al