Manchester City do ketë një Akademi dhe Shkollë futbolli në Durrës. Klubi i Premier League firmosi dje marrëveshjen me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, si edhe me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. I ftuar në Report TV për emisionin "Studio Live" me gazetarin Arbër Hitaj, drejtori i Akademisë "Vllaznia", Alban Neziri tregoi sesi funksionon një sipërmarrje e tillë.
Veç talenteve nga Shqipëria, trajnerët e City-t do stërvisin në Durrës edhe talentet e rajonit. Nisma për këtë akademi futbolli u njoftua nga kryeministri Edi Rama disa ditë më parë, teksa gjithçka u konkludua dje me firmën në marrëveshje.
"Rëndësia e këtyre përmasave? Meqë është në Durrës le të shkonte presidenti i Teutës, Hasanbelliu. U njoha se do jetë kryeministri Rama me ministren. Zyrtarët e Teutës duhet të ishin në këtë takim. Çdo gjë që lidhet me ekipet më të mira në botë është e mirëseardhur. Djemtë dhe lojtarët tanë duhet të shihen nga ekipet e mëdha. Jam i gëzuar që kjo do bëhet në Durrës, sepse edhe Hasanbelliu e meriton që të ketë vëmendje", tha drejtori i Akademisë Vllaznia.
Më pas Neziri u ndal edhe te të mirat që ka një Akademi futbolli, duke theksuar se më së pari objektivi është edukimi dhe largimi i të rinjve nga veset.
"Akademia? Është diçka që fëmijët edukohen, largohen nga veset e këqija. Fjala edukim është kryesorja për fëmijët. Unë si drejtor i Akademisë Vllaznia kam synim edukimin e brezave, në radhë të parë të jenë njerëz të mirë. Nuk ka rëndësi se çfarë lojtar do bëhesh, duhen njerëz të mirë për t'i shërbyer vendit. Është mund dhe përkushtim, kemi karaktere të ndryshme. Për momentin te Vllaznia kemi mbi 250 fëmijë që stërviten çdo ditë në grupmosha të ndryshme. Përpiqemi që në radhë të parë t'i japim edukatën. Futbolli është një sport që të edukon, të jep jetë sociale për të jetuar mirë. Edukata e të jetuarit me sportin është themelore, jo të gjithë do bëhen sportistë. Në Durrës Manchester City do stërvisë më shumë se 200 fëmijë në ditë dhe 1 ose 2 talente mund të dalin për të ardhmen", vijoi Neziri.
Drejtori i Akademisë "Vllaznia" më pas shpjegoi edhe sesi funksionon një investim i tillë, duke sjellë shembullin e Shkodrës.
"Funksioni i Akademisë? Te Vllaznia kemi prurje të shumta gjatë verës. Kemi një staf që përbëhet nga yjet e futbollit shqiptar, Sabah Bizi dhe shumë të tjerë. Ideja është që të marrim lojtarët që kanë të dhënat më të mira për t'i shërbyer Vllaznisë dhe ekipit Kombëtar. Kemi një plus, nxënësit që kanë mesatare 9.5 dhe lart janë pjesë e Akademisë. Pagesa është minimale, 5 mijë lekë (të rinj) në muaj. Kemi 72 orë në muaj stërvitje, përfshihet pagesa e bazën materiale, udhëtimi, fushat. E rëndësishme është që këta djem të jenë të larguar nga veset. Misioni është të nxjerrim njerëz të mirë", tha Alban Neziri.
Tanimë pritet që City të nisë nga puna me ndërtimin e kampusit dhe fushave stërvitore, që janë në afërsi të Universitetit "Aleksandër Moisiu".