Skandali me 3 ngarkesat e mandarinave me peshë 21 tonë të kthyera nga Kroacia ishte në qendër të debatit dhe analizës sot (27 shkurt) në studion e “Sot, Live në Shqipëri”, në Report Tv.
Pyetjeve të moderatorit Nertil Agalliu: nëse e dinte AKU për ngarkesën, çfarë masash u morën, si u veprua, a u asgjësua produkti apo a u hodh në treg, iu përgjigjën dy të ftuarit Arjan Jaupllari, zv/ministër i Bujqësisë dhe Ana Vuksani, eksperte për sigurinë ushqimore.
Ajo që u vu në dukje ishte shkelja e procedurave nga AKU, edhe pse denoncimi ka ardhur nga vetë ky institucion, që nuk e ka ndjekur procesin deri në fund të asgjësimit të produktit, por ka dijeni vetëm për ngarkesën me 10 tonë, por jo për fatin e dy ngarkesave të tjera me 11 tonë.
Vuksani tha se përgjegjësia nuk mund të jetë e fermerëve, por e institucionit dhe operatorit të biznesit. Sipas saj, inspektorët dhe drejtoria e AKU, në qendër dhe në Berat duhet të ishin prezent deri në asgjësim dhe jo që aktualisht të mos dihet se ku përfunduan 11 tonë mandarina.
Kurse zv/ministri Jaupllari deklaroi se janë marrë të gjitha masat e duhura, është denoncuar në Prokurori dhe drejtësia do nxjerrë përgjegjësit. Ai garantoi se “asnjë kilogram i mandarinave nuk ka përfunduar te konsumatori, po për shkak të hetimeve nuk do të fliste”. Kurse Vuksani hodhi dyshime se këto mandarina janë konsumuar nga shqiptarët dhe pesticidi për të cilën ato u kthyen mbrapsht nga Kroacia është i rrezikshëm dhe kancerogjen.
Për ngjarjen është shkarkuar drejtori i AKU-t në Berat menjëherë pas ngjarjes, teksa hetimet po vijojnë edhe ndaj fermerëve dhe operatorit të biznesit.
“Nuk ka sistem gjurmues, faji s’mund t’i lihet fermerit, pasi fermeri nuk është përgjegjësi. Ai duhet të informohet dhe kontrollohet. AKU dhe operatori i biznesit ta ndiqnin deri në fund. Ç’punë ka fermeri, ça faji ka ai, fermeri nuk mban përgjegjësi, e asgjëson operatori i biznesit. Vetëm një fermer pas analizës kishte 10 tonë, po 11 tonë të tjera kush fermerë i kishin? Pse nuk thuhet? Në bazë të ligjit asgjësimin nuk e bën fermeri. AKU po kontrollohet nga KLSH dhe do dëgjojmë çudira. Produkti duhet të asgjësohet sipas rregullave të shtetit shqiptar dhe ligjet dhe kjo nuk është bërë. Sot dëgjova se AKU nuk kishte dijeni. AKU duhet ta ndiqte nga pika kufitare apo dogana kur u kthye nga Kroacia, deri në destinacion, Berat në këtë rast dhe atje t’i vinte shiritin, ta bllokonte sipas procedurave. U tha se të gjitha ngarkesat janë asgjësuar dhe kjo nuk doli e vërtetë. Pra nuk u ndoq deri në fund, AKU duhet ta ndiqte, sepse po ta ndiqte si shkoi te fermeri, pse nuk e çuan menjëherë për ndjekje penale operatorin e biznesit. AKU njofton operatorin dhe jo fermerin, s’ka punë me fermerin”, kritikoi Vuksani, duke shtuar se denoncimi erdhi nga media dhe pala e ekspertëve të sigurisë ushqimore.
Zv/ministri Arjan Jaupllari theksoi se mandarinat nuk u konsumuan nga shqiptarët, teksa hetimet do zbulonin se ku kishin përfunduar, pasi ai nuk mund të fliste për shkak të tyre. Por thekson se denoncimi u bë nga shteti dhe u morën masat e duhura kur u konstatua shkelja e procedurave nga operatori i biznesit dhe vetë AKU.
“Ngarkesat me pesticide u asgjësuan sipas ligjit dhe rregullat. U kthyen 3 ngarkesa nga Kroacia. Procedura u shkel, e denoncuam edhe në Prokurori. Organet e drejtësisë të nxjerrin fajtorët. Ne jemi të gatshëm nëse ka probleme hajde ta diskutojmë e ta zgjidhim. Nuk kemi interes të dënojmë fermerët dhe as operatorët, por historisë duhet t’i shkohet deri në fund sepse shkohet drejt një katastrofe në tregun ndërkombëtar, sepse kemi imazh jashtë për produkte. Me tre ngarkesa nuk mund të përfshihet. Janë vetëm 2 raste, nuk mund të penalizohemi nga BE vetëm për këto dy raste. I ka shkuar AKU vijueshmërisë deri në detaj. AKU e ka ndjekur, e ka procesuar deri në fund këtë ngjarje, ka pasur dijeni, e ka denoncuar AKU-ja. AKU e ka ndjekur problemin prej momentit të njoftimit, edhe me gjurmueshmëri, ka vënë në dijeni operatorin dhe ky i fundit nuk ka marrë masat. Ndaj janë në Prokurori, le ta nxjerrë operatori i biznesit ku shkuan 11 tonë. Për shkak të hetimit nuk mund të prononcohemi. Përgjegjësinë e mban operatori i biznesit se ku shkuan. E kemi denoncuar vetë, le t’ia lëmë prokurorisë tani, nuk mund të flasim për hetimet. Sipas operatorit, 10 tonë i ka çuar të fermeri, të tjerat t’i gjejë ai se ku shkuan. Asnjë kilogram nuk ka shkuar te konsumatori. Kjo është e rëndësishme për konsumatorin. Ne kemi denoncuar të gjitha hallkat, sepse janë shkelur procedurat dhe përgjegjësit i gjen Prokuroria”, sqaroi zv/ministri i Bujqësisë.
Më tej sqaroi edhe motivin e shkarkimit të drejtorit të AKU-t Berat, duke dalë garant se mandarinat nuk përfunduan te konsumatori shqiptar:
“Drejtori i AKU-t Berat u shkarkua sepse nuk shkoi që atë ditë që erdhi produkti, duhet të kishte shkuar. Hetimet vazhdojnë, përgjegjësia është e zinxhirit, drejtësia vendos, që kjo të mos përsëritet më. Konsumatori duhet të dijë dhe të jetë garant se asnjë kilogram e këtij produkti nuk ka përfunduar tek ai. Publiku do garanci, ne duhet ë jemi garant”.
Vuksani kritikoi institucionin e Bujqësisë se nuk merr masat e duhura, nuk ka staf dhe këshilltarë ndaj fermerëve, që të njihen me produktet që duhet të përdorin. Madje shprehu dyshime se mandarinat janë konsumuar nga qytetarët shqiptarë dhe pesticidi ishte kancerogjen.
“Ministria e Bujqësisë nuk ka staf për të këshilluar fermerët. Drejtori rajonal i AKU-t duhet të kishte shkuar menjëherë atje dhe të ndiqte procesin atje dhe ai nuk e ka bërë, nuk e ka fermeri këtë proces. Pra të denonconte veten AKU. Ky pesticid është i rrezikshëm sepse BE e ka hequr nga qarkullimi që nga 2022. AKU ka dështuar për të marrë masat. Njerëzit që paguhen me taksat tona nuk vepruan. Unë dyshoj se të 20 tonët janë ngrënë, pesticidet janë të rrezikshme deri në sëmundje kancerogjene”, u shpreh ajo.
Kurse Jaupllari u shpreh se fermerët duhet të edukohen dhe të mos marrin produkte jashtë farmacive bujqësore.
“Fermerët kanë një problem, duhet të edukohen, të shikojnë listat, të dëgjojnë fjalët e agronomëve që këto produkte nuk janë të lejuara dhe të mos ndikohen nga persona të cilët janë të interesuar për t’i mashtruar. Pra fermeri të njihet se këto dy produkte janë dëmtuese dhe nuk duhen përdorur. A kanë ardhur nga Greqia dhe nga kanë ardhur hajde ta diskutojmë. Fermerët duhen informuar. Të shkojnë te farmacitë bujqësore dhe të interesohen, ose në zyrat përkatëse”, tha ai.
Komente

Ça pune ka kjo me sigurinë ushqimore. Kjo ka mbaru per pyje del dhe bo si eksperte.
Përgjigju