TIRANË- Të enjten e 12 shtatorit, çështja ‘Xhaçka’ kalon për herë të tretë në parlament dhe deputetët do të duhet të vendosin me votë nëse mandatin e koleges së tyre do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese apo sërish do të dalin kundër vendimit të saj. Kreu i grupit të PS, Niko Peleshi në një prononcim për mediat tha pas mbledhjes me deputetët se PS nuk ka një vendim politik për këtë çështje, por secili do të votojë në seancë sipas këndvështrimit të tyre.
Ndërkohë, të gjithë deputetëve u është kërkuar nga Peleshi që të jenë të pranishëm në seancën e së enjtes. Peleshi u ndal edhe njëherë te Komisioni i Venecias, të cilit PS do t’i drejtohet për t’i kërkuar një opinion për këtë precedent.
“Ne nuk i diskutojmë vendimet e Kushtetueses, nëse do keni një kopje do ta shini që kjo çështje është në rendin e ditës. Nuk është diskutuar, se trajtojmë si vendim politik. Vendimi i Kushtetueses, është bërë i njohur do lexohet nga çdo deputet dhe jo PS. Grupi i PS s’ka vendim politik, do votohet në seancë. Do i drejtohemi Venecias jo për këtë çështje, por duke u nisur nga kjo çështje, në parim për çdo situatë që mund të paraqitet në të ardhmen”, tha kreu i grupit të PS, Niko Peleshi.
Seanca e së enjtes pritet të prodhojë debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, jo vetëm për mandatin e Xhaçkës, por edhe skandalin me mbetjet toksike të Kurum. Për këtë çështje, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar një interpelancë me kreun e qeverisë Edi Rama. Ky i fundit do të jetë në seancë dhe me shumë gjasë do ta zhvillojë vetë interpelancën. Po gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia e delegimit te zv.kryeministrja apo ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
“Rendi i ditës fillon me dy interpelanca, një interpelancë e Ramës me bardhin për mbetjet e rrezikshme, një tjetër me zv.kryeministren. Pastaj është axhenda normale. Do jetë një interpelancë në zbatim të rregullores, me shumë gjasë në përputhje me axhendën e vet Rama do jetë në seancë”, tha Peleshi.
Kreu i grupit të PS u shpreh i hapur për diskutime me opozitën, në rast se kjo e fundit bën propozime konkrete për të rishikuar edhe njëherë Kodin Zgjedhor.