Ulsi Manja, gjatë një tubimi elektoral dhe momenti i përplasjes në Dajç

Politikë

Manja: Kërcënimi i familjarëve të kandidates tonë i patolerueshëm! Gjoni po nxit dhunë, koha kur manipulonte me ‘çekiçin’ e drejtësisë së vjetër ka marrë fund! Informuam OSBE-ODIHR

5 Maj, 20:53| Përditesimi: 6 Maj, 00:34

  • Share

Drejtuesi politik i qarkut të Lezhës për Partinë Socialiste, Ulsi Manja, njëkohësisht ministër i Drejtësisë, ka reaguar sot (5 maj) për ngjarjen e ndodhur mesnatën e djeshme në Dajç, ku makina të anëtarëve të PD-së ndoqën mjetin e babait të kandidates së PS-së Klotilda Ndreca, dhe kreut të degës së kësaj partie, duke i kërcënuar edhe me armë.

PS bëri denoncim për ngjarjen dhe Policia shpalli në kërkim 2 persona, kurse pamjet filmike të ngjarjes u siguruan edhe nga Report Tv.

Manja e cilëson jo vetëm një akt të patolerueshëm, por edhe që shkon “përtej çdo kufiri të konfliktit politik”.

Ai fajësoi ish-gjyqtarin sheik Gjin Gjoni, kandidat i PD-së për këtë qark, duke u shprehur se “po nxit klimën e dhunës në qark dhe duhet të marrë përgjegjësinë”.

“Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë së tij e jo të fshihet pas gishtit! Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi. Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi”, shprehet Manja.

Gjithashtu ai njofton se ka informuar edhe misionin OSBE-ODIHR për atë që po ndodh dhe angazhimin e PS për të zbatuar vetëm ligjin, teksa ngjarja është denoncuar dhe drejtësia e re po heton.

Reagimi i Ulsi Manjës për ngjarjen e rëndë në Dajç të Lezhës:

“Reagim për ngjarjen e rëndë në Dajç të Lezhës!

Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates sonë për deputete, znj. Klotilda Ndreca, është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.
Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë së tij e jo të fshihet pas gishtit !
Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi. Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi.
Reformën në drejtësi dhe SPAK-un i ngritëm pikërisht për raste si ky – që askush të mos fshihet më pas pushtetit apo lidhjeve politike, por të jetë i barabartë përpara ligjit. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar.
Gjin Gjoni dhe kushdo tjetër që mendon si ai do të mbajnë përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e klimës së tensionuar dhe për prishjen e atmosferës politike në qarkun e Lezhës.
Sot kam informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë.
Për ne socialistët, kjo që po ndodh këto ditë të fundit me PD-në lokale dhe atë në qendër, është një film i vjetër që e kemi parë në 10 fushata me radhë. Fundin e dimë – jo vetëm ne, por çdo shqiptar. Dhe kështu do ndodhë edhe më 11 maj, mbajeni mend:
 • Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin,
 • Në mëngjes do fillojnë të varin veshët,
 • Në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale,
 • Në darkë do thonë: “Na i vodhën prapë!”
Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe! Më 11 maj, ne do t’i mundim për herë të dhjetë PD+ASHM & Co!
Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime.
Ne distancohemi qartësisht nga çdo akt dhune apo veprim antiligjor që cenon zgjedhjet e lira dhe kërkojmë nga institucionet kompetente të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim!”.

Pas deklaratës së Manjas, ka reaguar dhe Gjin Gjoni kandidati i Partisë Demokratike në Lezhë. 

"Jam në këtë sfidë për të folur hapur me qytetarët, me sinqeritet, si njëri prej tyre. Kauza që na bashkon është më e madhe se çdo emër dhe më e fortë se çdo intrigë. Ata që janë përfshirë në deformimin e zgjedhjeve nuk kanë të drejtë morale as politike të fshihen pas retorikës së rreme e shpifjeve”, tha Gjoni.

Duke u distancuar qartë nga çdo tentativë për intimidim politik, ai theksoi se nuk do të lejojë që demokratët të përulen përballë “kriminelëve elektoralë”, duke e konsideruar Partinë Demokratike si një forcë të guximit dhe të lirisë.

“Unë, Gjin Gjoni, qëndroj në këtë garë me ndërgjegje të pastër, kokën lart, dhe një qëllim të vetëm: të udhëheq PD-në drejt fitores dhe të mbroj vullnetin e qytetarëve. E ardhmja nuk ndërtohet me frikë, por me kurajo. Ndryshimin nuk e ndalin dot ata që janë përdorur nga Rilindja në ikje,” u shpreh ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Gjoni theksoi rëndësinë e bashkimit të demokratëve dhe besimit tek fitorja:
“Rroftë Partia Demokratike! Rroftë Lezha! Rroftë Shqipëria."-ka thënë Gjoni në reagimin e tij. 

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?