Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë një reagim për zjarret e mbrëmshme në Lezhë, ku u raportuan mbi 15 vatra zjarri.
Manja, deputet në këtë qark, shprehet se nuk bëhet fjalë për incidente, por aktëe kriminale që dëmtojnë natyrën, imazhin turistik dhe të ardhurat e familjeve lezhjane. Ai apelon që policia dhe institucionet duhet të reagojnë dhe të hetojnë menjëherë për autorët.
Reagimi i plotë:
ZJARRET KRIMINALE – KËRCËNIM SERIOZ PËR TURIZMIN DHE JETËN NË LEZHË
Kush e do Lezhën në flakë? Koha për veprim!
Mbrëmë mbi 15 vatra zjarri dogjën Lezhën, kërcënuan banesa dhe jetën e njerëzve. Nuk janë aksidente – janë akte të qëllimshme kriminale që dëmtojnë natyrën, imazhin turistik dhe të ardhurat e familjeve lezhjane.
Këto zjarrvënie të përsëritura nuk mund të tolerohen më. Policia e Shtetit në Lezhë dhe institucionet duhet të hetojnë menjëherë, të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët. Mjaft më me heshtje dhe justifikime!
Një falenderim i sinqertë për të gjitha shërbimet e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë dhe për çdo qytetar lezhjan që çdo verë përballen me sfidën e zjarrvënies kriminale. Ju jeni fytyra e qytetarisë dhe përgjegjshmërisë. Ata janë dora e krimit që nuk e do Lezhën.
Ne nuk do ta lëmë Lezhën të digjet më nga duart e të papërgjegjshmëve.
Ne do ja dalim – ata do të marrin ndëshkimin e ligjit!
Koha për veprim është tani – për Lezhën, për turizmin, për të ardhmen!
Lajmi kryesor:
Ministria e Mbrojtjes: 58 vatra në 24 orët e fundit, vetëm një aktive! Zjarr edhe në shtëpinë e fëmijëve ‘Zyber Hallulli’ në Tiranë, u shua brenda pak minutash
Xh.D/ReportTv.al