Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 58 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet ende aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se mbetet aktive vatra në një sipërfaqe pyjore në fshatin Markatomaj në Lezhë.
Në terren janë angazhuar 4 zjarrfikëse dhe banorë të zonës, të cilët kanë arritur të izolojnë vatrën, ndërsa puna vazhdon për shuarjen e plotë të trungjeve që rindizen herë pas here për shkak të erës.
Në qarqet e tjera, vatrat e zjarrit janë neutralizuar në kohë, përfshirë 12 në Tiranë, 8 në Fier, 5 në Berat, 3 në Vlorë dhe Elbasan, dhe nga dy në Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër.
Sipas ministrisë, një incident është shënuar edhe në katin e katërt të shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
“Një prej vatrave të zjarrit u raportua në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, në një dhomë në katin e katërt të godinës. Zjarri u shua brenda pak minutave, ndërsa pati vetëm dëme materiale.”, njoftoi ministria.
Sipas ministrisë, si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 32 hektarë me bimësi dhe pemë. Në operacione janë përfshirë 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Njoftimi i ministrisë së Mbrojtjes:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 58 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet ende aktive.
Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, 8 vatra zjarri janë raportuar në qarkun e Lezhës, të cilat janë shuar brenda pak orësh.
Mbetet aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pishë dhebimësi të përzier, në fshatin Markatomaj, njësia administrative Zejmen, bashkia Lezhë. Në vendngjarje kanë shkuar 4 automjete zjarrfikëse me personelin përkatës dhe banorë të zonës të cilët kanë punuar dhe izoluar vatrën e zjarrit rreth orës 05:45. Vijon puna për shuarjen përshuarjen e trungjeve brenda sipërfaqes së përshkuar nga zjarri, të cilët të ndihmuar nga era vetëndizen herë pas here.
Në qarkun e Beratit janë raportuar 5 vatra aktive, gjatë 24 orëve të fundit, të cilat janë arritur të neutralizohen.
Në qarkun e Gjirokastrës janë shuar 2 vatrat e raportuara, gjatë orëve të fundit.
Edhe në qarkun e Fierit janë shuar të 8 vatrat e zjarrit të raportuara, kryesish në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Në qarkun e Elbasanit u arritën të neutralizohen 3 vatrat e zjarrit në sipërfaqe me bimësi në fshatin Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras.
Në qarkun e Tiranës janë raportuar 12 vatra zjarri, në bashkitë Tiranë, Kavajë, Rogozhinë, të cilat kryesisht kanë qenë në sipërfaqe me bimësi. Të gjitha këto vatra janë neutralizuar në kohë. Një prej vatrave të zjarrit u raportua në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, në një dhomë në katin e katërt të godinës. Zjarri u shua brenda pak minutave, ndërsa pati vetëm dëme materiale.
Në qarkun e Durrësit u raportuan 5 vatra zjarri, të cilat gjithashtu u izoluan nga forcat në terren.
Nga 2 vatra u raportuan në qarqet Shkodër e Korçë dhe 3 vatra në Vlorë. Të gjitha janë neutralizuar në kohë të shpejtë.
Por si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur rreth 32 ha sipërfaqe me bimësi, por edhe një sipërfaqe e kon siderueshme me lis, arra, dhe rrënjë ulliri.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale, 1 automjet zjarrfikës me 5 efektivë dhe 1 helikopter nga Forcat e Armatosura.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”.
Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten të angazhuara në monitorim të situatës për shkak të temperaturave të larta.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave vendore në çdo rast nevoje.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë një reagim për zjarret e mbrëmshme në Lezhë, ku u raportuan mbi 15 vatra zjarri.
Manja, deputet në këtë qark, shprehet se nuk bëhet fjalë për incidente, por aktëe kriminale që dëmtojnë natyrën, imazhin turistik dhe të ardhurat e familjeve lezhjane. Ai apelon që policia dhe institucionet duhet të reagojnë dhe të hetojnë menjëherë për autorët.
Reagimi i plotë:
ZJARRET KRIMINALE – KËRCËNIM SERIOZ PËR TURIZMIN DHE JETËN NË LEZHË
Kush e do Lezhën në flakë? Koha për veprim!
Mbrëmë mbi 15 vatra zjarri dogjën Lezhën, kërcënuan banesa dhe jetën e njerëzve. Nuk janë aksidente – janë akte të qëllimshme kriminale që dëmtojnë natyrën, imazhin turistik dhe të ardhurat e familjeve lezhjane.
Këto zjarrvënie të përsëritura nuk mund të tolerohen më. Policia e Shtetit në Lezhë dhe institucionet duhet të hetojnë menjëherë, të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët. Mjaft më me heshtje dhe justifikime!
Një falenderim i sinqertë për të gjitha shërbimet e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë dhe për çdo qytetar lezhjan që çdo verë përballen me sfidën e zjarrvënies kriminale. Ju jeni fytyra e qytetarisë dhe përgjegjshmërisë. Ata janë dora e krimit që nuk e do Lezhën.
Ne nuk do ta lëmë Lezhën të digjet më nga duart e të papërgjegjshmëve.
Ne do ja dalim – ata do të marrin ndëshkimin e ligjit!
Koha për veprim është tani – për Lezhën, për turizmin, për të ardhmen!
Elbasan- Një makinë është përfshirë sot nga flakët në pyllin e Deshiranit në Belsh.
Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, po vetëm dëme materiale.
Siç shihet nga pamjet e siguruara për Report Tv makina është shkrumbuar totalisht, ndërsa gjithashtu si pasojë e flakëve janë djegur dhe disa shkurre dhe pemë.
Prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi thotë se nga zjarret u rrezikuan banesa dhe biznese në zonë, ndërsa u dogjën dhjetëra dynym tokë dhe sipërfaqe pyjore.
Ai apelon banorët që të bëjnë kujdes ndërsa paralajmëron se kushdo që i ndez qëllimisht do të përballet me ndjekje penale.
"Të nderuar bashkëqytetarë të Qarkut Lezhë!
Shumë banorë të Lezhës u gjendën mbrëmë përballë një situate të pazakontë, me disa vatra zjarri që, të favorizuara nga era dogjën dhjetëra dynym tokë dhe sipërfaqe pyjore.U rrezikuan banesa, biznese dhe për shkak të flakëve u ndërpre energjia elektrike në disa zona.
Kjo situatë është e papranueshme.I bëj thirrje çdo banori të jetë i kujdesshëm, vigjilent dhe të denoncojë çdo veprim të dyshimtë.
Zjarret e qëllimshme janë akte kriminale që do të ndiqen penalisht!
Strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për të zbardhur shkaqet dhe për të identifikuar autorët e mundshëm të këtyre ngjarjeve.
Mbrojtja e natyrës, pronës dhe jetës së qytetarëve është prioriteti ynë!
Së fundmi, por jo për nga rëndësia falenderoj të gjithë ata që u angazhuan ditën dhe natën me përkushtim dhe përgjegjshmëri për përballimin e kësaj situate të vështirë, veçanërisht efektivët zjarrfikës të Bashkisë Lezhë, si edhe zjarrfikësit e Bashkive Mirditë dhe Vau i Dejës të cilët ndërhynë në dy vatra zjarri.", thotë prefekti.
Gjirokastër - Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në një parcelë në fshatin "Arshi Lengo" Gjirokastër.
Dy zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje duke shmangur flakët që mos të përhapeshin në drejtim të zonës urbane në pjesën jugperëndimore.
Zjarri u vendos nën kontroll dhe teksa vijon operacioni deri në shuarjen e plotë të tij.
Burime bëjnë me dije se policia ka shoqëruar personin që dyshohet si përgjegjës (N.K pronar i parcelës).
Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia gjatë kryerjes së disa punimeve (saldime) në ndërtimin e një stalle së personit të shoqëruar.
Raportohet se flakët 'përpinë' një sipërfaqe prej 1 dynym kullotë.
Komente
