‘Manovra me pagat’, Juventusi rrezikon tjetër dënim! Iu ulën 15 pikë se shkeli nenin 4 për ndershmërinë në sport! Yjet mund të largohen nga Torino

21 Janar 2023, 12:57| Përditesimi: 21 Janar 2023, 14:47

  • Share

Penalizimi me 15 pikë në renditjen e kampionatit aktual për mashtrim financiar mund të jetë vetëm fillimi për Juventusin. Procesi ndaj bardhezinjve do të jetë i gjatë dhe në axhenda ka edhe hetime të tjera për skuadrën italiane, ku më kryesorja që mund ta “groposë” për manovrimin me pagat e futbollistëve. Kjo është çështja që mund të gjunjëzojë “Zonjën e vjetër” jo vetëm se mund ta penalizojë sërish me pikë në klasifikim por edhe mund ta dëmtojë më shumë ekonomikisht.

Në sezonet 2019-2020 dhe sezonin pasardhës 2020-2021 Juventusi shtyu një pjesë të pagesave për futbollistët duke bërë që lojtarët të nënshkruanin fillimisht sikur hiqnin dorë nga ato pagesa e më pas firmosën marrëveshje për t’u shlyer. Dhe këtu më e rënda ishte se Federata italiane nuk ishte njoftuar. Por pse u penalizua vetëm Juventusi dhe jo edhe skuadrat e tjera që ishin të përfshira në hetime? Bardhezinjtë shkelën nenin 4 të besnikërisë sportive.  Ishte ndërtuar ai që njihet si sistemi “Juventus” që do të thotë se drejtuesit e kaluar të bardhezinjve që janë pezulluar, po ashtu e kishin të përsëritur mashtrimin financiar.

Neni 4 I besnikërisë sportive thotë ekzaktësisht se “parimet e besnikërisë, korrektësisë dhe ndershmërisë në çdo marrëdhënie duhet të jenë të pranishme në çdo aktivitet sportiv”. Shkelja e këtij neni siç bëri Juventusi penalizohet me pikë. Vendimi i Gjykatës së Apelit në Federatën italine është një goditje shumë e madhe në aspektin sportiv. Juventusi zbret në renditje nga vendi i 3-të në të 10-tin e nga 37 në 22 pikë shumë larg zonës Champions e asaj europiane. Kjo mund të bëjë që sezonin e ardhshëm yjet e skuadrës të largohen.

Nga ana tjetër futbollistët e trajneri po mundohen të mendojnë vetëm për atë që ndodh në fushën e lojës. Max Allegri ka thënë se është momenti për të qënë bashkë dhe se me 15 pikët minus për skuadrën nuk ndryshon asgjë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?