Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli në një intervistë për Report Tv duke folur për marrëdhënien që ka me demokratët thotë se nga ana e tyre ka njëlloj distancimi. Ajo tha se ka nga ata të cilët kanë frikë ta takojnë. Kjo shton Topalli nuk i ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës, kur ishte shpallur armike.
"Në qoftë se ne lejojmë që këto tri forca që janë ekzistuese, për mua janë e njëjta parti me tre seksione. Asnjëra prej tyre për mua, nuk janë as të majta as të djathta. Ato janë parti klienteliste, që nuk kanë prioritar funksionin publik dhe janë larguar shumë prej qytetarëve, shumë prej halleve të tyre dhe dëshpërimit të tyre. Ata i shohin më shumë si vota, si një numër votash dhe asgjë më shumë, pavarësisht se gjatë fushatës elektorale mund të dëgjosh premtimet më boshe, më hipokritte, por që unë nuk besoj se ka më shqiptarë që u besojnë.
Duke u kthyer te pyetja juaj e fundit, po sigurisht ka njerëz të cilët kanë frikë të më takojnë dhe mua më dhimbsen ata. Kjo nuk më ka ndodhur në kohën e Enver Hoxhës, kur unë isha shpallur armike, e deklasuar dhe, edhe kur isha në shkollë, pavarësisht nga biografia ime e keqe, mësuesit nuk ma kanë ngrënë kurrë notën, përkundrazi më kanë inkurajuar. Shoqet e mia mund të ishin bija të prindërve që mund të ishin anëtarë të Partisë së Punës, por nuk janë larguar prej meje. Ato më kanë respektuar, kanë pasur bindjet e tyre dhe unë bindjet e mia. Kurse sot ka njerëz që kanë frikë, kanë frikë nga kryetari dhe kanë frikë se mos humbin vendet e punës.
S’ka gjë më të rëndësishme sesa të mendosh që të ndryshosh këtë situatë për jetën tënde. Gjatë këtyre ditëve, në mënyrë të veçantë gjatë javës së fundit dhe ka qenë kjo një ndër arsyet që unë kam qenë shumë e zënë, kam bërë takime të pafundme me diplomatë të huaj kryesorë në Tiranë. Dhe njëri prej tyre më tha: “Ju shqiptarët keni tri jetë, që njërën ia dedikoni kryetarit të partisë, jetën e dytë ia dedikoni partisë dhe pastaj mendoni për jetën tuaj? Si ka mundësi?
Kam qenë në Shqipëri tri dekada më parë dhe të njëjtat probleme, njëlloj si tri dekada përpara, i gjej edhe sot. Pa folur për varfërinë. Politika në përgjithësi, nuk mendon që kjo varfëri, ky shkretim vlerash, kjo rënie e shtetit, kjo papërgjegjësi qeverisjeje në qeveri”. Ne jemi një vend i çudirave, ne s’kemi qeveri se këtu vetëm ka batuta, qeveris me batuta, ndërsa pjesa tjetër ka ikur nga opozitarizmi dhe nga misioni, i ka braktisur. Kemi qenë për tre vite pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk ndodh në ndonjë vend tjetër të botës, pa qeveri, pa opozitë, pa Gjykatë Kushtetuese", tha ajo.
Lajmi kryesor: