Topalli për Report Tv: Unë përfaqësoj të djathtën e vërtetë, PD u zhduk nga politika me qëllim! Beteja ime të largoj Ramën, Bashën e Metën

22 Mars 2021, 18:22| Përditesimi: 22 Mars 2021, 21:47

  • Share

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli në një intervistë për Report TV ka deklaruar se në politikën tonë mungon përfaqësimi nga një intelektual.

"Në politikë mungon përfaqësmi në kuptimin e një intelektuali të nderuar. Sa herë kisha kriza edhe brenda parlamentit, mendoja foton e parë të parlamentarëve të parë. Por edhe sot. Imagjinoni me kë përfaqësohet dhe me kë do përfaqësot sot qyteti jonë ka nevojë për përfaqësim të madh", tha ajo.

Partia që drejton, për Topallin përfaqëson të djathën e vërtetë pasi sipas saj PD është zhdukur nga politika me qëllim dhe kjo ka ndodhur pas marrëveshjes së bërë mes Bashës dhe Ramës në 2017. Pas zgjedhjeve të 25 prillit Topalli premton se ta rikthejë të djathtën në parlament.

Betejën e saj politike Topalli thotë se e ka të largojë nga politika kryeministrin Edi Rama, kreun e PD Lulzim Basha dhe presidentin Ilir Meta.

Për të tre Topalli thotë se është armiku i këtyre zgjedhjeve duke theksuar se pavarësisht shantazheve në media, Rama, Meta dhe Basha sipas saj bëjnë pazare me njëri-tjetrin. Votat që nuk shkojnë te Basha, sipas Topallit do të shkojnë për partinë e saj. Kësisoj ajo i ka bërë një premtim çdo të djathti se mandatet e saj do t’i bashkohen së djathtës për të krijuar një qeveri të djathtë dhe për të pasur një kryeministër të pakorruptuar.

"Unë nuk i marr vota askujt. Ato vota që do të shkojnë te Lulzim Basha për shkak të siglës, shkojnë aty. Ato që nuk shkojnë tek ai vijnë tek unë. Unë i bëj një premtim çdo të djathti: mandatet tona do t’i bashkohen së djathtës për të krijuar një qeveri të djathtë dhe për të pasur një kryeministër të pakorruptuar që të mendojë dhe ku do të kemi influencë bashkë me kolegët e tjerë për të influencuar dhe për të sjellë jetën ekonomike dhe jetën kulturore në qytetin tim. Unë nuk kam gjë më të shtrenjtë se qyteti ku kam lindur dhe ku jam rritur, ku më kanë votuar për 20 vite dhe ku më besojnë akoma", tha Topalli. 

Ora 19:35
Përplasja në selinë e FRD, Topalli tregon historinë e vështirë: Si na rrethoi me tanke Meta në atë godinë, tani bën sikur preket

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli tregon momentin kur ka qenë në selinë që sot është FRD dhe sipas saj presidenti Ilir Meta atëherë e ka rrethuar me tanke.

"Tani unë kam një histori me atë godinë. Unë jetën time politike e kam në atë godinë. Ajo ka qenë Partia Demokratike. Ajo ka qenë beteja për demokratizimin e vendit. Ka qenë kryeministër ai që sot është president dhe na ka rrethuar neve me tanke. Ky që bën sikur preket. Pjesa tjetër e ka provokuar dhe ata janë më të zinj, se provokojnë, se nganjëherë është më i keq provokuesi sesa goditësi. Por mund t’ia hedhin disa shqiptarëve, por jo mua. Kam qenë në atë godinë kur na ka rrethuar me tanke, me ushtri, me polici me armë dhe na ka marrë dhe na ka çuar në polici, partinë. Kam qenë nënkryetare partie dhe nënkryetare parlamenti. Kështu që prandaj them që kam shumë frikë në një linjë konflikti. Dhe një gjë tjetër do ta them për shqiptarët, për shkak të eksperiencës, jo se di më shumë se të tjerët. Sikur çdonjëri prej jush ta dinit se sa frikë ju kanë politikanët, ju do të bëheshit të gjithë bashkë për t’i larguar të tre këta bashkë. Por secili prej jush, unë e di që mendon se nuk ndryshon asgjë, mendon se të gjithë janë njëlloj, mendon të rrijë në shtëpi se nuk ndryshon gjë. Në qoftë se rrini në shtëpi dhe nuk shkoni për të votuar, njerëzit më të kënaqur prej kësaj janë Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha me Monika Kryemadhin. Dilni dhe votoni kundër të treve".

Ora 19:16
Lista e PD në Shkodër, Topalli: Absolutisht që është lista e kryetarit Basha! Koha tregoi se unë kam pasur të drejtë

Lista e PD në Shkodër për Jozefina Topallin është lista e kryetarit të partisë Lulzim Basha.

"Absolutisht që është lista e kryetarit. Çdo herë ka qenë lista e kryetarit. Herën e parë për ta përdorur për presion kundër Jozefinës, herën e dytë për ta përdorur për presion kundër Jozefinës. Është listë e kryetarit dhe kjo është një prej fakteve që e bëjnë jodemokratike atë që duhej të ishte Partia Demokratike. Ju e dini se çfarë procesi farsë u zhvillua gjatë vitit të kaluar dhe u përmbys çdo gjë për të shkuar te një listë sipas interesit të familjes së kryetarit".

Duke iu referuar largimit të saj nga PD ajo tha se koha ka treguar se ajo ka pasur të drejtë.

"Dua t’ju tregoj që e kisha të drejtë reagimin apo jo. Procesi më pas tregoi që unë kisha shumë të drejtë dhe kjo është vetëm njëra prej atyre që unë kam kritikuar dhe që koha ka treguar se kam pasur të drejtë. Unë do të doja shumë që të kisha gabuar në vlerësimet e mia. Për fat të keq, koha tregon se kam pasur të drejtë në qëndrimet e mia, siç kam pasur të drejtë më 1997 kur i kam dalë zot bashkë me demokratët e tjerë dhe kemi ngritur PD-në, siç kam pasur të drejtë më 2013 kur jam ngritur për të nisur dhe për të inicuar dekriminalizimin, për herë të tretë jam nisur fillimisht e vetme, por sot jam e rrethuar me njerëz, për të filluar procesin e demokratizimit dhe të betejës kundër tre kryetarëve që mbajnë peng jetën politike dhe ekonomike dhe janë përgjegjësit kryesorë jo vetëm të polarizimit politik, por edhe të polarizimit ekonomik të vendit tonë".

Ora 19:11
Marrëdhënia me demokratët, Topalli: Disa kanë frikë të më takojnë, s'më ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës! Tregon bisedën me diplomatin e huaj

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli në një intervistë për Report Tv duke folur për marrëdhënien që ka me demokratët thotë se nga ana e tyre ka njëlloj distancimi. Ajo tha se ka nga ata të cilët kanë frikë ta takojnë. Kjo shton Topalli nuk i ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës, kur ishte shpallur armike.

"Në qoftë se ne lejojmë që këto tri forca që janë ekzistuese, për mua janë e njëjta parti me tre seksione. Asnjëra prej tyre për mua, nuk janë as të majta as të djathta. Ato janë parti klienteliste, që nuk kanë prioritar funksionin publik dhe janë larguar shumë prej qytetarëve, shumë prej halleve të tyre dhe dëshpërimit të tyre. Ata i shohin më shumë si vota, si një numër votash dhe asgjë më shumë, pavarësisht se gjatë fushatës elektorale mund të dëgjosh premtimet më boshe, më hipokritte, por që unë nuk besoj se ka më shqiptarë që u besojnë.

Duke u kthyer te pyetja juaj e fundit, po sigurisht ka njerëz të cilët kanë frikë të më takojnë dhe mua më dhimbsen ata. Kjo nuk më ka ndodhur në kohën e Enver Hoxhës, kur unë isha shpallur armike, e deklasuar dhe, edhe kur isha në shkollë, pavarësisht nga biografia ime e keqe, mësuesit nuk ma kanë ngrënë kurrë notën, përkundrazi më kanë inkurajuar. Shoqet e mia mund të ishin bija të prindërve që mund të ishin anëtarë të Partisë së Punës, por nuk janë larguar prej meje. Ato më kanë respektuar, kanë pasur bindjet e tyre dhe unë bindjet e mia. Kurse sot ka njerëz që kanë frikë, kanë frikë nga kryetari dhe kanë frikë se mos humbin vendet e punës.

S’ka gjë më të rëndësishme sesa të mendosh që të ndryshosh këtë situatë për jetën tënde. Gjatë këtyre ditëve, në mënyrë të veçantë gjatë javës së fundit dhe ka qenë kjo një ndër arsyet që unë kam qenë shumë e zënë, kam bërë takime të pafundme me diplomatë të huaj kryesorë në Tiranë. Dhe njëri prej tyre më tha: “Ju shqiptarët keni tri jetë, që njërën ia dedikoni kryetarit të partisë, jetën e dytë ia dedikoni partisë dhe pastaj mendoni për jetën tuaj? Si ka mundësi?

Kam qenë në Shqipëri tri dekada më parë dhe të njëjtat probleme, njëlloj si tri dekada përpara, i gjej edhe sot. Pa folur për varfërinë. Politika në përgjithësi, nuk mendon që kjo varfëri, ky shkretim vlerash, kjo rënie e shtetit, kjo papërgjegjësi qeverisjeje në qeveri”. Ne jemi një vend i çudirave, ne s’kemi qeveri se këtu vetëm ka batuta, qeveris me batuta, ndërsa pjesa tjetër ka ikur nga opozitarizmi dhe nga misioni, i ka braktisur. Kemi qenë për tre vite pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk ndodh në ndonjë vend tjetër të botës, pa qeveri, pa opozitë, pa Gjykatë Kushtetuese", tha ajo.

Ora 18:42
'Një patericë e kryeministrit', Topalli: Beteja ime kundër Ramës, Bashës e Metës! 'Skenari' për ti larguar të 3! PD u 'shkri' pas marrëveshjes së 2017-ës

Jozefina Topalli thotë se beteja e saj është të largojë nga politika kryeministrin Edi Rama, kreun e PD Lulzim Basha dhe presidentin Ilir Meta. Sipas saj PD është shkrirë nga marrëveshja e Ramës me Bashën.

"E kam gjetur veten duke buzëqeshur. Është një linjë partie që përcillet si propagandë.Mua nuk më impresionon, ai e bën për të imopresioni njerëzit që më rrethojnë. Është përdorur si një provë e atyre që kërkojnë vende të sigurta në kuvend ndaj kryetarit. Jemi kthyer më keq se në kohën e Enver Hoxhës,. Unë jam për largimin e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.

Unë jam armiku i këtyre zgjedhjeve për të tre këta, se këta të tre merren vesh mirë me njëri-tjetrin. Pavarësisht shantazheve që duket se i bëjnë në media, ata i kryejnë pazaret me njëri-tjetrin siç i kanë bërë gjatë 8 viteve dhe sigurisht që s’ka arsye pse të shqetësohet ai. Dhe unë e them që unë dua të kthej të djathtën reale në parlament, që të dy bashkë e kanë shkrirë. Përjashtimi i elitës politike të së djathtës është bërë me marrëveshjen e 2017-s, nga marrëveshja e Lulzim Bashës bashkë me Edi Ramën. Është bërë nga të dy bashkë dhe prandaj ka marrë mandatin e dytë. Unë nuk i marr vota askujt. Ato vota që do të shkojnë te Lulzim Basha për shkak të siglës, shkojnë aty.

Ato që nuk shkojnë tek ai vijnë tek unë. Unë i bëj një premtim çdo të djathti: mandatet tona do t’i bashkohen së djathtës për të krijuar një qeveri të djathtë dhe për të pasur një kryeministër të pakorruptuar që të mendojë dhe ku do të kemi influencë bashkë me kolegët e tjerë për të influencuar dhe për të sjellë jetën ekonomike dhe jetën kulturore në qytetin tim. Unë nuk kam gjë më të shtrenjtë se qyteti ku kam lindur dhe ku jam rritur, ku më kanë votuar për 20 vite dhe ku më besojnë akoma. Dhe nëse unë do të kem një mandat, unë uroj dhe kam shpresë se do të kem shumë mandate, por edhe një votë sikur të kem, ajo votë së pari shkon për Shkodrën dhe sigurisht për të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha për qytetin tim.

Atëherë, e para kundër Edi Ramës. Vota ime që shkon djathtas eliminon Edi Ramën të parin, por në të njëjtën kohë eliminon edhe Lulzim Bashën. Unë e di që ka pasur skeptikë gjatë diskutimeve kur është krijuar Lëvizja. Po si e ke të mundur që të largosh të tre përnjëherë? Ja, është e mundur, me një grusht mandatesh që i bashkohen së djathtës, dhe gjen një kryeministër të pakorruptuar, ke larguar si kryeministër Edi Ramën, ke larguar Lulzim Bashën që mban peng dhe bën pazare me Edi Ramën, dhe krijon një qeveri të djathtë që më shumë do të jetë një qeveri e dhembshur njëherë, që të mendojë për të hapur vende pune, për të luftuar korrupsionin dhe për të sjellë investime për të ndërtuar jetën ekonomike. ", tha ajo.

Ora 18:30
Topalli: Unë e ndiej veten si Partia Demokratike origjinale, do rikthej të djathtën në parlament, është zhdukur nga politika me qëllim

Kryetarja ne Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli thotë se lëvizja që ajo drejton përfaqëson të djathën e vërtetë. PD sipas saj është zhdukur nga politika me qëllim.

"Unë e ndiej veten si partia demokratike origjinale, lëvizja për ndryshim është një lëvizje e të djathtës e cila është zhdukur nga politika me qëllim. Unë dua ta rikthej të djathtën në parlament për të qenë faktor., Nëse ne lejojmë që këto 3 forca  që janë ekzistuese janë parti klienteliste që nuk e kanë proiritare funksionin publik dhe janë larguar shumë prej qytetarit, prej hallit të tyre", tha ajo.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?