Deklarata e kreut të PD Sali Berisha, se nëse vjen në pushtet do të firmosë marrëveshjen me Greqinë për çështjen e detit është diskutuar edhe në emisionin Repolitix në Report Tv mbrëmjen e sotme.
Për Artur Meçollarin ish- Komandantin e Forcave Detare, marrëveshja me Greqinë e vitit 2009, është marrëveshja me e keqe që është bërë ndonjëherë dhe ajo sipas tij, s’mund të rikthehet më.
‘Ligjëratën e kanë të ndryshme jo qëndrimet, marrëveshja e 2009 ka rënë juridikisht dhe matematikisht. Në negociatat e 2018 ne kemi fituar 40 km katrorë që do të thotë çdo lloj marrëveshje që të bëjmë kemi 40 km katror më shumë. Marrëveshja e 2009 nuk bëhet më sepse e ka rrëzuar Gjykata Kushtetute. Po ka ndryshuar kuadri ligjor, në marrëveshjen e 2009 ne nuk kishim vijë të drejtë bazë. Vija e drejt bazë krijon shtesë dhe marrëveshja e 2009 nuk mund të bëhet më. Marrveshja e 2009 është më e keqe dhe nuk mund të bëhet më’, tha ai.
Analisti Arben Meçaj, tha se Greqia do ta mbështes Berishën, pas deklaratave që ai bëri gjatë mitingut elektoral në Athinë për çështjen e detit.
‘Greqia mund ta ndihmojë Berishën të kthehet në pushtet. Berisha nuk e prek çështjen çame, sepse Greqisë po i le Himarën, po si preke Çamërinë këtë do, e ka pretenduar gjithmonë’, tha ai.
Meçaj analizojë qëndrimet e ndryshme që pati Rama dhe Berisha në takimet që kanë bërë me emigrantët shqiptar në Athinë.
‘Rama ka bërë takim para ca muajsh në Athinë dhe atje u ngritën dy çështje të rëndësishme, çështja e Çamërisë dhe e ligjit të luftës. Para dy ditësh u bë një takim tjetër nga Berisha. Berisha nuk foli as për Çamëri as për ligj lufte. Sot unë analizojë dy qëndrime politike të ndryshme. Berisha i’u drejtua qeverisë greke që atë marrëveshje që ka bërë në tavolinë, kur të vijë në pushtet është e para që do bëjë. Ai që kishte në krah Berisha është përfaqësues i shoqatës për rindërtimin e Vorio Epirit dhe për autonominë e Vorio Epirit’, tha ai.
Faik Basha nga Partia e Lirisë, duke u ndal tek të dyja marrëveshjet ajo e vitit 2009 dhe ajo e vitit 2018 e bërë nga kryeministri Edi Rama, tha se ato të dyja duhet që të rishikohen.
‘Marrëveshja që ndikohet nga proceset e brendshme nuk është marrëveshje që është bërë në interes të kombit. Të dyja duhet të rishikohen edhe e 2009 dhe 2018’, tha ai.
Për analistin Endri Tafani, Berisha kërkon një mbështetje politike nga Greqia prandaj bëri atë deklaratë për çështjen e detit.
I ftuar mbrëmjen e sotme në 'Repolitix', ai tha se këto deklarata bëhen nga Berisha pasi nuk është shumë i favorizuar në Greqi për të marr vota.
'Berisha kërkon një ndihmë dhe mbështetje politike për zgjedhje nga Greqia, sepse emigrantët u bë ose jo marrëveshja ata do vijojnë punën e vet. Nuk ka asnjë përfitim. Emigracioni në Greqi ka votuar për PS në zgjedhjet e kaluara. Ka një hatërmbetje të vjetër për PD. PS ka më shumë mbështetje në Greqi. Duke qenë se nuk është i favorizuar Berisha mban afër figurën e Belerit dhe pretendon që të ketë më tepër mbështetjen e Greqisë në zgjedhje', tha ai.
Komente
