Bota

Marrëveshja me SHBA për tarifat doganore, pakënaqësi në Europë! Franca: Është e pabalancuar! Kritika edhe nga gjermani Merz

28 Korrik, 22:33| Përditesimi: 28 Korrik, 22:52

  • Share

LONDËR – “Nuk jam i kënaqur me këtë rezultat, por mendoj se nuk ishte e mundur të arrihej më shumë, duke pasur parasysh pozicionin fillestar që kishim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E dimë që ekonomia gjermane do të pësojë dëme të konsiderueshme për shkak të këtyre tarifave”: kështu u shpreh kancelari federal gjerman Friedrich Merz gjatë një konference për shtyp në Berlin.

Ky qëndrim pasqyron edhe mbylljen me rënie të bursave europiane, shenjë se tregjet financiare të kontinentit e kanë pritur me ftohtë – dhe në rastin më të mirë pa entuziazëm – “marrëveshjen skoceze” për tarifat doganore prej 15% mes BE-së dhe SHBA-së, të firmosur nga Donald Trump dhe Ursula von der Leyen. Edhe dollari është forcuar ndjeshëm kundrejt euros.

Gjermania

Kreu i qeverisë së ekonomisë më të madhe në Europë përpiqet të shfaqet i qetë, por pranon se do të ketë një çmim të lartë për Gjermaninë dhe për BE-në. Në mëngjes, Merz kishte theksuar anën pozitive:

“Përshëndes marrëveshjen mes Ursula von der Leyen dhe Donald Trump”, deklaroi ai fillimisht, duke shtuar se “është gjë e mirë që Europa dhe SHBA kanë arritur një marrëveshje dhe kanë shmangur një përshkallëzim të panevojshëm të marrëdhënieve tregtare transatlantike. Uniteti i BE-së dhe puna e vështirë e negociatorëve kanë dhënë rezultat. Falënderoj veçanërisht Ursula von der Leyen dhe ekipin e saj për përpjekjet e palodhura në javët e fundit”.

Merz nënvizoi se marrëveshja shmangu një konflikt tregtar që do të godiste rëndë ekonominë gjermane të orientuar drejt eksportit, sidomos industrinë automobilistike, ku tarifat do të përgjysmohen nga 27,5% në 15%.

Megjithatë, ai pranoi se do të kishte dashur një lehtësim më të madh në tregtinë transatlantike dhe se “të gjithë përfitojnë nga marrëdhënie tregtare të qëndrueshme dhe të parashikueshme”. Ai premtoi mbështetje për Komisionin Europian në negociatat e ardhshme dhe theksoi se Gjermania dhe BE mbeten për tregti të lirë e të drejtë.

Por, me kalimin e orëve dhe pas reagimeve negative të opinionit publik, opozitës dhe tregjeve, Merz ndryshoi tonin:

“Në Gjermani do të kemi dëme të konsiderueshme. Por jam i sigurt se dëmi nuk do të kufizohet vetëm te ne, as tek Europa. Pasojat do të ndihen edhe në Amerikë: do të ketë inflacion më të lartë dhe ndikim global mbi tregtinë transatlantike. Megjithatë, nuk prisja një rezultat ndryshe, ishte më e mira që mund të arrihej duke parë situatën”.

Franca

Reagimet e vendeve të tjera të BE-së pasqyrojnë të njëjtën ndjesi të dyfishtë. Ministri francez për Europën, Benjamin Haddad, e cilësoi marrëveshjen si “një stabilitet të përkohshëm”, por “të pabalancuar”, duke paralajmëruar se europianët rrezikojnë të ngecin “nëse nuk zgjohen”.

Ndërsa liderja e opozitës së djathtë, Marine Le Pen, e quajti marrëveshjen “një fiasko politike, ekonomike dhe morale”.

Belgjika

Kryeministri belg Bart De Wever deklaroi: “Ndërsa presim detajet e plota të marrëveshjes së re tregtare BE-SHBA, është e qartë se ky është një moment lehtësimi, por jo festimi. Tarifat do të rriten në disa sektorë dhe disa çështje kyçe mbeten të pazgjidhura”.

Ai megjithatë lavdëroi përpjekjet e presidentes von der Leyen dhe ekipit të saj, duke shpresuar që SHBA të heqë dorë nga “iluzioni i proteksionizmit” dhe të rikthehet tek vlerat e tregtisë së lirë. Ai shtoi se Europa duhet të forcojë tregun e saj të brendshëm dhe të diversifikojë partneritetet tregtare globale.

Spanja

Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, u shpreh se marrëveshja “shmang një përshkallëzim tarifor që do të ishte negativ për të gjithë, përfshirë SHBA-në” dhe se Spanja, ashtu si vendet e tjera europiane, nuk e dëshiron një situatë të tillë. Ai tregoi kujdes dhe tha se do të presë një analizë më të detajuar nga Komisioni Europian.

Holanda dhe Hungaria

Për kryeministrin holandez Dick Schoof, marrëveshja është “thelbësore për një ekonomi të hapur si ajo holandeze”, duke përmendur eksportet vjetore mbi 50 miliardë euro drejt SHBA-së. Ai pranoi se “mosvendosja e tarifave do të ishte më mirë”, por marrëveshja sjell “më shumë qartësi dhe stabilitet për bizneset”.

Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orban e quajti marrëveshjen “më të keqe se ajo SHBA-Britani” dhe shtoi me sarkazëm se “Trump e hëngri Ursula von der Leyen për mëngjes”.

Rusia

Nga Moska, ministri i Jashtëm Sergej Lavrov e cilësoi marrëveshjen “një goditje të rëndë për Europën”. Ish-presidenti Dmitrij Medvedev shkoi edhe më tej duke e quajtur “një pakt poshtërues për europianët, që favorizon vetëm Amerikën” dhe “hapur antirus” pasi ndalon blerjen e naftës dhe gazit rus. Ai akuzoi Europën se po dëmton veten për “ideologji neonaziste”.

“Trump si Tony Soprano”

Reagimet e Europës janë të përziera: disa e shohin gotën gjysmë plot, të tjerë gjysmë bosh.

Financial Times shkruan se rruga drejt marrëveshjes ishte e paracaktuar që pas “Liberation Day” të shpallur nga Trump në prill, kur pas një krize në tregjet ndërkombëtare ai uli tarifat në 10%, ndërsa BE preferoi të negociojë me “thikën në fyt” sesa të hakmerrej si Kanadaja dhe Kina.

BBC e përshkruan marrëveshjen si “një fitore të madhe për Trump, por jo një humbje totale për BE-në”. BE tani do të përballet me tarifa 15% për shumicën e eksporteve drejt SHBA-së – më pak se 30% e kërcënuar nga Trump, por shumë më shumë se tarifat e mëparshme dhe më larta se ato të rëna dakord mes SHBA-së dhe Britanisë.

The Economist shkruan se Europa shmangu më të keqen, por vetëm duke bërë lëshime të mëdha, duke kujtuar se “si Tony Soprano, mafiozi italo-amerikan në serialin televiziv, edhe Trump pëlqen të bëjë marrëveshje në fushat e golfit – dhe kësaj here ato ishin të tijat”.

Analisti George Buckley nga Nomura e përmbledh: marrëveshja është “e mirë në terma relativë, por e keqe në absolut”./ La Repubblica

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jeta Ime: 29/07/2025 08:55

    Skeni qa diskutoni me ameriken taksat bejani 100% edhe viza per qytetart amerikan me kaq amerika mer fund

    Përgjigju
  • Qytetari: 29/07/2025 08:17

    Keshtu eshte kur fiksoheni pas lidereve femra. Rrini tani, vuani ne varferi nderkohe qe bota ecen perpara. Nje lider i forte do e kishte kercenuar palacon portokalli me marrveshje tregtare me Kinen, dhe e shifte pastaj tarifen ai. Gjeti nje femer qe sdi as vete si ka mberritur ne ate pozicion dhe ja ku jemi. Merruni me pjeshkat, gejet dhe ambientalistet dhe shih se cte ndodh.

    Përgjigju
  • Iris: 29/07/2025 05:21

    S'keni c'te beni,do te duroni 3 vjet,me sakte deri vitin e ardhshem kur te behen zgjedhjet e mesme.Ka mundesi qe nese ndryshon perberja partiake e Kongesit,Trump mund t'a kete me te veshtire me politikat e tij,sepse Kongresi mund /t'i lidhe/duart,figurativce flasim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?