Milani përballet të premte në orën 20:45 kundër Lecces në udhëtim, sfidë kjo ku kuqezinjtë duan kthesën pas nisjes me humbje në sezonin e ri të Serie A, 1-2 në shtëpi kundër Cremoneses.
Në prag të ndeshjes për mediet foli Max Allegri, i cili konfirmoi se nesër nuk do ketë të gatshëm Ardon Jasharin për shkak të një lëndimi këtë mëngjes. Livornezi u ndal edhe te merkato, duke thënë se nuk e ka kërkuar Vlahovic nga Juventusi apo Rabiot nga Marseille, për t'i pasur në ekip.
"Raporti me drejtuesit? Flas çdo ditë me Furlanin, Taren, Ibrën dhe Moncadan. Objektivi është të kemi qëndrueshmëri.
Nkunku dhe kërkesat në merkato? Klubi di t’i shfrytëzojë rastet. Unë jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kam në dispozicion, duhet vetëm të punojmë. Jashari? Është lojtar i fortë, por u dëmtua sot në një përplasje me Gimenez dhe nuk do të jetë nesër. E shoh si mesfushor para mbrojtjes, ose në çift.
Mbrojtja? Në 90 minuta bëmë dy gabime dhe pësuam dy gola. Duhet t’i minimizojmë gabimet, ndoshta edhe t’i eliminojmë. Nuk e di ende kush do të luajë nesër. Sulmi? A na nevojitet një qendërsulmues si Giroud? Të gjitha klubet e duan një të tillë. Klubi po punon për të ndërtuar një skuadër konkurruese.
Golat e pësuar? 137 gola në dy vite janë shumë. Duhet punë, jo fjalë. Me punë do ta rregullojmë këtë problem.
Diferenca mes miqësoreve të verës dhe Cremonese? Futbolli nuk shpjegohet, por luhet. Edhe kur ishim të pozicionuar mirë, gabimet individuale na kushtuan. Sidoqoftë, jam i bindur se do të përmirësohemi. Rabiot? Nuk kemi folur që para pushimeve. Jam i lidhur me të sepse kemi punuar bashkë, por kohët e fundit nuk kemi folur.
Pa Leao? Do të gjejmë zgjidhjen, kemi opsione edhe nga stoli. Lecce është ekip i organizuar, duhet të barazohemi në vrapim e përkushtim, pastaj cilësia jonë do të dalë në pah.
Bashkëjetesa mes Leao, Saelemaekers, Pulisic e ndonjë tjetër sulmuesi? Varet nga ata. Nëse shfaqin gatishmëri, gjithçka është e mundur. Jam i lumtur me këtë grup, stërviten fort, nesër duhet të fitojmë.
A e ka kërkuar ndonjëherë Dusan Vlahovic? Jo, nuk e kam kërkuar kurrë, ai është lojtar i Juventusit. Me klubin kam folur për karakteristikat e lojtarëve dhe gjërat që mund të bëhen. Nëse do të vijnë lojtarë me karakteristika të ndryshme, disi do t’ia dalim", tha mes të tjerash Max.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ka konfirmuar dëmtimin e Ardon Jasharit. I afruar vetëm pak javë më parë te kuqezinjtë pas një telenovele të gjatë vere, mesfushori shqiptar u lëndua pas një përplasje me Gimenez.
"Ardon Jashari? Ai është një lojtar i fortë dhe premtues. Fatkeqësisht, ai u lëndua këtë mëngjes pas një përplasjeje me Gimenez dhe nuk do të jetë i disponueshëm kundër Leçes. Mendoj se është një mesfushor mbrojtës, ose mund të luajë në një mesfushë me dy lojtarë", tha Max.
Sipas raporteve fillestare, dëmtimi mund të mos jetë aq i vogël. Lojtari shqiptar mori një goditje të rëndë në fibulë (kocka e pulpës) dhe ka frikë se ai mund të ketë pësuar një frakturë që mund ta mbajë jashtë loje për të paktën disa muaj.
Lecce dhe Milan luajnë nesër në orën 20:45 për raundin e dytë të Serie A. Kuqezinjtë duhet të reagojnë në udhëtim, pasi e nisën sezonin me humbjen 1-2 kundër Cremoneses në shtëpi.
Komente
