Sociale

Mbaroi 'epoka e grekëve'? At Nikolla për zgjedhjen e Kryepeshkopit të ri: Kisha është e Krishtit! Joani ishte biri i paralindur i Anastasit

16 Mars, 14:46| Përditesimi: 16 Mars, 15:52

  • Share

TIRANË – Me një votim unanim nga Sinodi i Shenjtë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë zgjodhi Kryepeshkopin e ri: Imzot Joan Pelushin, i cili do të udhëheqë tashmë Kishën si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Një moment historik për Kishën Ortodokse, pasi për herë të parë në krye të saj vendoset një klerik shqiptar, pas më shumë se tri dekadash të udhëhequra nga kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatos.

“Kisha gjeti kryen e saj, nuk ka një shtëpi pa një atë. Sot Kisha me votim unanim, të gjithë anëtarët i besuan votën e tyre Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Hirësisë Joani. I besuan timonin e Kishës. Kisha gjeta atin, mësuesin dhe kryebariun e saj”, tha Atë Nikolla Kodheli, prift në Katedralen Ortodokse, në një intervistë për Report Tv.

I pyetur për cilësitë e Kryepeshkopit të ri, At Nikolla theksoi se Joani është një mësues i përkushtuar, predikues i aftë dhe një bari shpirtëror i dashur për besimtarët.

“Mësimdhënia dhe fjala e tij.  Fjala e Joanit është e spikatur, ne kemi vite që e dëgjojmë, që nga 1998 është Mitropoliti i Korçës, është predikues shumë i mirë, përçues shumë i mirë i mesazheve të ungjillit, por edhe një bari i mirë dhe një administrator i mirë i Kishës”, thekson At Nikolla.

Nëse ky moment përfaqëson fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre, At Nikolla është i qartë: “Nuk ka epoka në Kishë, mbretëron vetë Zoti. Kisha nuk është e njerëzve dhe e epokave. Kishën e themeloi Krishti, duke u sakrifikuar në kryq për secilin prej nesh. Nuk ka epoka në Kishë, kryepeshkopi erdhi në një kohë të vështirë, ndërtoi, bekoi dhe dha tërë mundësinë e tij dhe perëndia e thirri dhe ndërroi jetë, është pranë fronit të Perëndisë. Kisha do të vazhdojë, sot zgjodhi atin e ri.”

At Nikolla tregoi edhe lidhjen e veçantë mes kryepeshkopit të ndjerë dhe Imzot Joanit.

“Fortlumturia e tij Joani ka qenë nxënës i të ndjerit Krypeshkopit Anastas. Ai e ka dorëzuar Joanin dhe në gradën e dhjakonit dhe priftit dhe të arkimandritit. Dhe më pas vota e Fortlumturisë së tij, Krypeshkopit Anastas e zgjodhi atë Mitropolit të Korçës. Ka qenë biri i tij i parë dhe kryepeshkopi i ndjerë Anastas thoshte i paralinduri im është Joani”, shprehet At Nikolla për Report Tv.

Ceremonia solemne e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri do të mbahet më 29 mars në Katedralen Ortodokse në Tiranë. Një ditë e shenjtë që do të mbledhë përfaqësues nga 13 kishat ortodokse motra nga mbarë bota dhe qindra besimtarë.

“Kisha do të ndjekë ciklin e saj liturgjik. Evenimenti më i madh është dita e fronëzimit, ku të ftuar nga 13 kisha nga motra e gjithë bota, dhe besimtarë dhe nga ajo ditë kryepeshkopi merr detyrën dhe do të drejtojë jo vetëm kryepeshkopatën e Tiranës, por edhe gjithë Kishën e Shqipërisë”, thekson At Nikolla.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 16/03/2025 15:43

    Hermann Göring, kishte vizitè nè zyrèn e tij. Kur personi qè ndenji me tè pèr njè kohè tè gjatè, u largua, sekretari i Göring, hapi derèn e gjeneralit dhe nè padurim e sipèr, i tha,,,,gjeneral, a e dini qè pèrsoni qè ishte nè zyrèn tuaj, èshtè çifut? SE KUSH ÈSHTÈ ÇIFUT APO JO, E VENDOS UNÈ, ishtè pèrgjigja e gjeneralit........

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?