Kronikë

Mbaron gjendja e fatkeqësisë natyrore, por masat mbeten në fuqi! Manastirliu: Rihapet transporti publik! Maska, e detyrueshme në autobus (VIDEO)

23 Qershor 2020, 09:38| Përditesimi: 23 Qershor 2020, 10:41

  • Share

Sot ka përfunduar gjendja e fatkeqësisë natyrore, por kjo nuk do të ulë gatishmërinë për të përballuar koronavirusin. Në një dalje për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu prezantoi planin e masave për këtë faze të re të pandemisë. Sipas Manastirliut rregullat nuk do të ndryshojnë, nuk do lejohet grumbullimi dhe do të vazhdojë të jetë në fuqi karantinimi për personat e infektuar me COVID.

"Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit. Strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës", tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi gjithashtu heqjen e kufizimit për transportin publik. Ajo nuk dha një datë, por u shpreh se do të zbatohen rregulla strikte, ku maska do të jetë e detyrueshme. Ndërsa nuk dihet si do të bëhet hapja e transportit, në një kohër kur shoqata e transportit thotë se nuk do të fillojnë punë pa u plotësuar kushtet e tyre. 

“Komiteti Teknik I Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit publik, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lajmëruar hapjen e spitalit të dytë COVID, të ish-kirurgjisë një strukturë mbështetëse brenda QSUT për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me COVID19 që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin aktual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermierë që do të shërbejë në këtë spital”, tha Manastirliu.

Manastirliu shpjegoi edhe hapat që do të ndërmerren nëse numri rritet akoma më tepër, sidomos sa I takon rasteve në terapi intensive. Ndërsa spitalet COVID3 dhe 4 janë parashikuar të jenë spitale karantinë, ku trajtohen kryesisht pacientë që gjendjen akute dhe janë në fazë rekuperimi.

“Paralelisht me hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT, nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive, do të hapim spitalin COVID2, pra spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe në skenarin tjetër, nëse shifrat kapërcejnë këto kapacitete, do të hapet spitali COVID4 në aksin Tiranë-Durrës, i cili do të administrohet nga QSUT”, u shpreh ministrja. 

Po ashtu Ministrja e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor do të vijojë të jetë në alert dhe se do të kërkohet me rigorozitet zbatimi i protokolleve të sigurisë. Ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për masat parandaluese ndaj COVID19, për të mos e mbingarkuar sistemin shëndetësor.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?