Porti i Vlorës ka pritur mëngjesin e kësaj të enjte kroçerën luksoze “MS Hamburg”, e cila mbërriti me 271 pasagjerë nga vende të ndryshme të Europës si Franca, Belgjika, Gjermania, Anglia dhe Spanja. Me një gjatësi prej rreth 145 metrash, kjo është një nga kroçerat më të mëdha që ka mbërritur ndonjëherë në Vlorë dhe e para për këtë sezon turistik.
Kjo anije e madhe turistike do ta ketë Shqipërinë si destinacion gjatë gjithë sezonit, duke ndalur në portet e Sarandës, Vlorës dhe Durrësit. Ajo ka mbërritur nga Greqia dhe do të vijojë udhëtimin drejt Kroacisë dhe Italisë.
Sipas guidës turistike shqiptare, Vilson Dardha, kroçera ka ndaluar fillimisht në Sarandë, më pas në Durrës dhe sot në Vlorë, duke konfirmuar rëndësinë që po merr Shqipëria si një destinacion i ri dhe i kërkuar në Mesdhe.
“Është hera e parë që kjo anije ndalet në brigjet shqiptare. E kemi nisur udhëtimin nga Greqia, më pas në Sarandë dhe sot në Vlorë. Turistët janë nga vende si Franca, Belgjika dhe Gjermania. Deri tani gjithçka na duket shumë e bukur dhe e organizuar mirë. Pas Vlorës do të ndalojmë në Durrës, e më pas do të vijojmë për në Mal të Zi dhe Itali”, tha Madeline, përgjegjëse e kroçerës.
Ndërkohë turistët shprehen se vendi është shumë i bukur dhe mezi presin që ta eksplorojnë.
“Jam nga Franca. Është hera ime e parë këtu dhe më pëlqen shumë. Vendi është i bukur.”
“Jam nga Spanja. Kjo është hera e dytë që vij në Shqipëri. Më ka pëlqyer shumë herën e parë, prandaj u ktheva”
“Jam nga Parisi, Francë. Është hera e parë që vizitoj vendin tuaj. Vendi është i mrekullueshëm dhe mezi pres të eksploroj më shumë”, ishin disa prej komenteve të turistëve.
Mbërritja e kësaj kroçere shënon nisjen zyrtare të sezonit turistik në jug të Shqipërisë, ndërsa pritet që gjatë muajve në vijim portet shqiptare të mirëpresin gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota.
Komente

Po ekuipazhi do futet tek turistet apo jo, or teeeejjjjj
Përgjigju