Mbërritja e Kim Jong-un në Pekin ka ngjarë si në një film të vjetër të shekullit XX. Ai ishte ftuar nga Xi Jinping për Paradën e 80-vjetorit të Fitores kineze në luftën për çlirimin nga pushtimi japonez.
Marshalli i Koresë së Veriut udhëtoi me tren nga Peniani, në një konvoj të blinduar që për shkak të peshës lëviz me një mesatare prej 60 kilometrash në orë: gati një ditë udhëtim me tren për një rrugë që me avion zgjat më pak se dy orë.
Nisja e tij të hënën ishte mbajtur sekret nga regjimi, i fiksuar pas sigurisë. Në një nga stacionet e Pekinit, Kim u prit nga Cai Qi, numri pesë i Byrosë Politike dhe njeri shumë i afërt me Xi, si dhe nga ministri i Jashtëm Wang Yi. Pas Marshallit ecte e bija adoleshente, Ju Ae, në debutimin e saj në një mision ndërkombëtar, pasi që nga nëntori 2022 është bërë një figurë e zakonshme në krah të të atit në daljet publike.
Sot propaganda e Koresë së Veriut publikoi disa foto që e tregonin liderin buzëqeshës në zyrën e tij në tren, duke biseduar me ministren e Jashtme Choe Son Hui dhe një tjetër zyrtar. Në tavolinë dukej një laptop i mbyllur, një taketuke e madhe (Kim pi duhan pa pushim), një pako me peceta, një llampë me abazhur të zbukuruar me varëse në stilin e viteve ’30, kolltuqe prej druri e lëkure, muret e vagonit të veshura me dru dhe perde të rënda blu me nyje të arta në dritare. Në një tjetër imazh, Kim shihet duke pirë duhan jashtë trenit, i shoqëruar nga personalitete të suitës: në vagon dallohet stema e shtetit.
Treni blinduar është një nga mitet e Dinastisë Kim dhe një objektiv i shërbimeve sekrete të Koresë së Jugut, të cilat për dekada kanë mbledhur informacione mbi të. Ai përbëhet nga rreth njëzet vagona të lyer me ngjyrë jeshile ushtarake. Marshalli e ka trashëguar nga i ati, Kim Jong-il, i cili kishte frikë të fluturonte (dhe vdiq në tren në dhjetor 2011 nga një atak kardiak). Kim Jong-un nuk ka frikë nga avionët, të cilët i ka përdorur edhe më parë, por duket se preferon rehatinë dhe mbrojtjen që i ofron konvoji blinduar.
Sipas një raporti të inteligjencës së Seulit, ekzistojnë tre trena identikë që lëvizin njëkohësisht kur udhëton diktatori: një përpara për të kontrolluar terrenin, më pas “fortesa” mbi shina që shërben si seli qendrore, dhe një i tretë me agjentë shtesë të sigurisë dhe materiale. Në total, rreth 90 vagona të përfshirë në kortezhin politik dhe mbrojtës. Po sipas burimeve jugkoreane, regjimi ka ndërtuar njëzet stacione hekurudhore në territor vetëm për përdorim personal të Maresciallit.
Brenda “Ekspresit të Kim-it” mbretëron luks. Ish-funksionari rus Konstantin Pulikovsky, që ka qenë dikur mysafir i Kim Jong-il gjatë një udhëtimi në Siberi, ka treguar se «në vagonin e restorantit shërbeheshin pjata të rafinuara të kuzhinës koreane, kineze, ruse dhe franceze». Ai thotë se nuk mungonin kurrë langustat e gjalla, gocat e detit, arkat me verë Bordeaux dhe Bourgogne, dhe sigurisht Shampanja. Pulikovsky ka shkruar një libër kujtimesh për këtë eksperiencë, me titullin disi të parashikueshëm Orient Express, ku përmend edhe legjendën se për argëtimin e mysafirëve, Kim Jong-il kishte në bord një trupë balerinash e këngëtarësh që këndonin në rusisht e koreançe. E vërtetë apo ekzagjerim letrar? Në Penian askush nuk ka komentuar ndonjëherë.
Takimi i 3 shtatorit në tribunën e Sheshit Tienanmen për Paradën e Fitores së Kinës ndaj Japonisë në vitin 1945 shënon për herë të parë daljen e Kim Jong-un në një arenë shumëpalëshe: në parakalim do të marrin pjesë 26 krerë shtetesh dhe qeverish, nga Vladimir Putin te presidenti i Iranit, deri te kreu i juntës ushtarake të Mianmarit.
Sytë do të jenë të drejtuar mbi ndërveprimin mes Xi, Putin dhe Kim.
Duke shfrytëzuar nevojën e Rusisë për armatime në luftën kundër Ukrainës, Kim i ka dërguar Moskës miliona municione artilerie dhe qindra raketa. Ai është takuar dy herë me Putinin dhe ka firmosur një pakt ndihme ushtarake reciproke; në fund të vitit 2024 madje dërgoi edhe një kontingjent ushtarësh koreanoveriorë të angazhuar në rikthimin e rajonit të Kurskut kundër ukrainasve. Xi Jinping ndoshta nuk ishte i lumtur për këtë aleancë të ngushtë mes “klientit” të vogël nga Peniani dhe carit të Moskës, por nuk ndërhyri. Tani e ka ftuar Maresciallin në kremtimin e Fitores ndaj japonezëve. Një takim dypalësh mes tyre mund të shërbejë për të sqaruar ndonjë mosmarrëveshje: Xi e di se ka në dorë fuqinë e ekonomisë, pasi 90% e tregtisë së Koresë së Veriut zhvillohet me Kinën, ndërsa Rusia ka pak gjëra për të ofruar përveç naftës dhe teknologjisë raketore.
Nëse takimi shndërrohet në një samit trepalësh që përfshin edhe Putinin, i cili ndodhet sërish për vizitë në Pekin, skenari bëhet edhe më kërcënues.
Shtypi i Penianit raportoi se Kim, para se të nisej për në Pekin, vizitoi «një qendër të re prodhimi raketash dhe municionesh» ku po zhvillohen «raketat ndërkontinentale të gjeneratës së re Hwasong-20». Një sinjal sfidues për amerikanët dhe një ofertë “tregtare” për rusët. Me sa duket, me bekimin e Xi./ Corriere della Sera
Komente
