Më 9 nëntor, 1 milion shqiptarë thirren për të votuar në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashki të vendit. Ata do të votojnë vetëm me një fletë, vetëm për kryetarin, pasi këshillat bashkiakë vijojnë detyrën. Tirana do të ngrejë numrin më të madh të 940 qendrave të votimit, ndërsa bashkia më e vogël është Tepelena, me vetëm 22 qendra votimi.
***
Arrestimi i Erion Veliajt, dorëheqja e papritur e Ermal Dredhës, emërimi ministër i Andis Sallës dhe zgjedhja deputet e Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, do të dërgojë në zgjedhje të parakohshme vendore 1/3 e popullsisë me të drejtë vote.
Janë mbi 1 milionë shqiptarë që thirren të votojnë më 9 nëntor në zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë.
Duke ju referuar shifrave të zgjedhjeve të fundit lokale, numri i votuesve në Tiranë, bashkinë më të madhe të vendit, është afro 700 mijë. Gjithsesi, herën e fundit, në 940 qendrat e votimit që janë ngritur u paraqitën afro 300 mijë votues.
Në Mat do të ngrihen 49 qendra votimi, për të pritur 30 mijë zgjedhës, edhe pse para dy vitesh, morën pjesë më pak se gjysma e tyre.
38 mijë zgjedhës ka të regjistruar Bashkia e Cërrikut, por në vitin 2023 votuan vetëm 12 mijë, në 58 qendrat e votimit të hapura.
Në bashkinë Berat do të ngrihen 117 qendra votimi në shërbim të afro 81 qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e fundit ishte 28 mijë banorë.
Vlora, me një shtrirje të gjerë gjeografike, ngre 226 qendra votimi për 168 mijë zgjedhës, edhe pse vetëm 41 mijë shkuan tek kutia e votimit para 2 vjetësh.
Në Tepelenë do të hapen vetëm 22 qendra votimi, për një listë me 12 700 zgjedhës, ku afro 5 mijë ushtrojnë të drejtën e votës.
Votuesit e këtyre bashkive do të kenë vetëm një fletë votimi për kryetarin e bashkisë, pasi këshillat bashkiakë të zgjedhur në vitin 2023 janë funksionalë në të gjitha bashkitë që shkojnë në zgjedhje.
Kryetarët që do të dalin nga 9 nëntori do të ushtrojnë një mandat të pjesshëm deri në pranverën e vitit 2027, si të gjithë kryebashkiakët e tjerë.
Të gjashta bashkitë që shkojnë në zgjedhje janë fituar nga Partia Socialiste para dy vitesh.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i ka propozuar Komisionit Rregullator datën 1 nëntor për çeljen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e vendit: Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, zgjedhje të cilat do të mbahen më 9 nëntor me dekret të presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, propozohet data 11 tetor si afati i fundit për dorëzimin e për të dorëzuar kërkesën për regjistrim. Ndërkohë për kandidatët është propozuar data 19 tetor, si afati i fundit për të dorëzuar dokumentet e kandidimit.
Gjithashtu në këtë rend kalendarik të propozuar, koalicionet kanë afat për të paraqitur kërkesën për regjistrim jo më vonë se data 16 tetor ndërsa Zyra e Gjendjes Civile propozohet të nisë hartimin listave zgjedhore jo më vonë se data 11 tetor.
Propozimi i KQZ për Komisionin Rregullator
1.Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar bashkie në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, fillon më datë 1.11.2025.
2.Zyra e Gjendjes Civile në këto bashki, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 6.10.2025.
3.Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 11.10.2025.
4.Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 16.10.2025.
5.Dokumentet e kandidimi*t paraqiten në KQZ për bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, *jo më vonë se data 19.10.2025.
Bashkitë Mat, Tepelenë e Berat shkojnë në zgjedhje pasi kryetarët tashmë janë pjesë e Kuvendit, bashkia e Vlorës ngeli pa drejtues pas dorëheqjes së Ermal Dredhës ndërsa kryetari i bashkisë së Cërrikut u emërua ministër i Bujqësisë. Gjithashtu në zgjedhje shkon dhe bashkia e Tiranës edhe pse Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij.
Por, Presidenca thotë se kjo nuk e pengon të shpallë zgjedhjet, pasi pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.
Komente

nese pjesmarrja eshte me pak sesa 30-35% te ndryshohet ligji ose te anulohen
Përgjigju