Foto ilustrim

Politikë

Mbi 1 milion shqiptarë thirren për të votuar më 9 nëntor! 700 mijë votues vetëm në Tiranë

2 Tetor, 16:11
  • Share

Më 9 nëntor, 1 milion shqiptarë thirren për të votuar në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashki të vendit. Ata do të votojnë vetëm me një fletë, vetëm për kryetarin, pasi këshillat bashkiakë vijojnë detyrën. Tirana do të ngrejë numrin më të madh të 940 qendrave të votimit, ndërsa bashkia më e vogël është Tepelena, me vetëm 22 qendra votimi.

***
Arrestimi i Erion Veliajt, dorëheqja e papritur e Ermal Dredhës, emërimi ministër i Andis Sallës dhe zgjedhja deputet e Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, do të dërgojë në zgjedhje të parakohshme vendore 1/3 e popullsisë me të drejtë vote.

Janë mbi 1 milionë shqiptarë që thirren të votojnë më 9 nëntor në zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë.

Duke ju referuar shifrave të zgjedhjeve të fundit lokale, numri i votuesve në Tiranë, bashkinë më të madhe të vendit, është afro 700 mijë. Gjithsesi, herën e fundit, në 940 qendrat e votimit që janë ngritur u paraqitën afro 300 mijë votues.

Në Mat do të ngrihen 49 qendra votimi, për të pritur 30 mijë zgjedhës, edhe pse para dy vitesh, morën pjesë më pak se gjysma e tyre.

38 mijë zgjedhës ka të regjistruar Bashkia e Cërrikut, por në vitin 2023 votuan vetëm 12 mijë, në 58 qendrat e votimit të hapura.

Në bashkinë Berat do të ngrihen 117 qendra votimi në shërbim të afro 81 qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e fundit ishte 28 mijë banorë.

Vlora, me një shtrirje të gjerë gjeografike, ngre 226 qendra votimi për 168 mijë zgjedhës, edhe pse vetëm 41 mijë shkuan tek kutia e votimit para 2 vjetësh.

Në Tepelenë do të hapen vetëm 22 qendra votimi, për një listë me 12 700 zgjedhës, ku afro 5 mijë ushtrojnë të drejtën e votës.

Votuesit e këtyre bashkive do të kenë vetëm një fletë votimi për kryetarin e bashkisë, pasi këshillat bashkiakë të zgjedhur në vitin 2023 janë funksionalë në të gjitha bashkitë që shkojnë në zgjedhje.

Kryetarët që do të dalin nga 9 nëntori do të ushtrojnë një mandat të pjesshëm deri në pranverën e vitit 2027, si të gjithë kryebashkiakët e tjerë.

Të gjashta bashkitë që shkojnë në zgjedhje janë fituar nga Partia Socialiste para dy vitesh.

BASHKIA            QENDRA VOTIMI          VOTUES           PJESËMARRJA 2023
Tiranë                           940                        700 000                 300 000
Mat                               49                          30 000                  14 000
Cërrik                           58                          38 000                  12 000
Berat                           117                         81 000                  28 000
Vlorë                            226                       168 000                41 000
Tepelenë                      22                         12 700                  5 000

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?