Kryedemokrati Sali Berisha thotë se Shqipëria nuk plotëson kushtet dhe standardet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar, kryedemokrati tha se opozita e mbështet procesin e anëtarësimit, por sipas tij, Shqipëria nuk përmbush asnjë standard, përveç pozicionit gjeo-strategjik që ka.
Megjithatë, Berisha pranoi se momentalisht ka një qasje pozitive të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.
“Shqipëria nuk plotëson asnjë standard sepse në diktaturën autokratike të Edi Ramës, përdor institucionet për të shtypur pluralizimin. Nuk mund të plotësojë asnjë standard një vend i cili zhvillon farsë elektorale. Nuk mund të ketë asnjë standard një vend që është bërë epiqendër rajonale europiane dhe botërore e trafikut të drogërave të forta. Ne duke mbështetur procesin e integrimit, plotësisht këtë proces, deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson asnjë standard në këtë proces deri sot përveç pozicionit gjeo-strategjik të saj, që e ka patur që kur është formuar bota dhe kësaj here i shtrohet në mirësi se të gjitha kohërat e kanë bërë atë pre të të gjitha perandorive. Kurse kësaj here është mirësi për shqiptarët, sepse BE e konsideron këtë vend si portën e Europës drejt Ballkanit. Mbështesim një proces të bazuar në standarde dhe kritere. Ky është qëndrimi ynë. Ne do luftojmë shumë për rikthimin e standardeve. Është një betejë e vështirë, betejë me të cilën natyrisht makineria dezinformuese e Diellës është e pakufijshme. Por ne do qëndrojmë për të vërtetën me besimin më të madh se ajo do triumfojë”, deklaroi Sali Berisha.
Lajmi kryesor:
Berisha në mbledhjen e grupit: Do dërgojmë në Kushtetuese Diellën dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit! Miratohen edhe kryetarët e 4 komisioneve të opozitës
V.GJ /r.k./ReportTv.al