VIDEO/ Mbledhja ndërqeveritare Shqipëri-Mali i Zi, Rama-Abazoviç: Jemi më shumë se fqinj! ‘Ballkani i Hapur’ ka rijetëzuar Procesin e Berlinit

27 Shkurt 2023, 13:45| Përditesimi: 27 Shkurt 2023, 19:18

  • Share

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të ngushta, shembull për vendet e tjera, dhe ecin bashkë në korsinë e integrimit në Bashkimin Evropian. Ky ishte mesazhi i Kryeministrave Rama dhe Abazoviç në mbyllje të mbledhjes së dytë ndërqeveritare të dy vendeve, që u mbajt sot në Akademinë e Shkencave në Podgoricë. Në konferencën për mediat pas firmosjes së marrëveshjeve të dy Kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, me mikpritësin që i konsideroi shembull, ndërkohë që Rama tha se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç thotë se ndihet krenar për nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e urës mbi lumin Bunë.

Kryeministri Rama u kujdes të nënvizonte se Bashkimi Europian është një korsi e përbashkët, shpejtësia e së cilës lidhet pandashmërisht me korsinë e bashkëpunimit rajonal. Rama shtoi se “kemi parë se si BE është bërë më e hapur dhe më e ndjeshme më në fund ndaj rajonit”.

“Më në fund Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i çelën negociatat. Më në fund Republika e Kosovës mori një datë për liberalizimin e vizave. Ashtu sikundër kemi parë, për herë të parë në historinë e saj, se BE u spostua jashtë kufijve të saj për të mbajtur një samit në Tiranë”, shtoi Rama.

Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë, Shqipëri dhe Malit i Zi u nënshkruan marrëveshje. Kryeministrat Edi Rama e Dritan Abazoviç veçuan atë për ndërtimin e Urës së Bunës me kosto 20 mln euro, financim që do të ndahet përgjysmë. Dy kryeministrat folën edhe për takimin e radhës të ‘Open Balkan’ që do të mbahet në Mal të Zi.

Dy kryeministrat u ndalën edhe tek incidenti i ndodhur pak ditë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, me dhunimin e Petraq Milos.

“Dua ta falënderoj Abazovic për ndërhyrjen pas daljes së videos së shëmtuar. Dritani i ka telefonuar profesorin Petraq Milo dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë dhe urtësi maksimale. Këto janë raste që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit me fqinjin e radhës dhe për këtë na duhet bashkëpunim pa kufi”, tha Rama.

“Më vjen keq për incidentit i kam kërkuar falje profesorit, janë arrestuar autorët nuk kam qejf të politizohet çështja se nuk ka të bëje me politikën por një moment katastrofal. Çdo kush është i mirëseardhur në vendin tonë”, tha Abazoviç.

Të pyetur për planin franko gjerman mbi të cilin po negociojnë Kurti e Vuçiç në Bruksel, dy kryeministrat ishin të një mendimi.

“Plani është më e mira gjë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur”, tha Rama.

“Ne mbështesim marrëveshjen dhe dialogun, nuk mbështesim politikën e konflikteve e të mirënjohës, progresit”, tha Abazoviç, këtë herë në gjuhën shqipe.

Marrëveshjet që u nënshkruan
Marrëveshje bilaterale mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës
Marrëveshje për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj
Memorandum në fushën e Energjisë dhe projekte infrastrukturore
Marrëveshje për menaxhimin e peshkimit në liqenin e Shkodrës, lumin Buna
Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve
Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale
Memorandum bashkëpunimi me ministrive për Rininë, Sportit dhe Fëmijët
Programi i bashkëpunimit kulturor dhe Medias për periudhën 2023-2025
Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes
Memorandum bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë

Ora 14:51
Rama: Nuk pritëm që BE të na thoshte se Vjosa është lumi më i vjetër i egër në Europë! Ata i kthyen në mace, neve na mbeti tigri

 

Kryeministri Edi Rama thotë se kanë arritur të shmangin hidrocentralet ndërsa nuk heziton të kujtojë se e kanë ngritur vetë çështjen e mbrojtjes së lumit Vjosa.

“Këtu bëhet fjalë për hidrocentrale që i përkasin të shkuarës, ne jemi gjendur para faktit të kryer dhe kemi bllokuar të tretin por nuk e di sa ju ngushëllon që kemi bllokuar një situatë nga lumi i Valbonës që është një nga perlat e rajonit tonë që kishte filluar procesi. Kemi bllokuar të gjithë të tjerët, por jo atë që ishte gati në përfundim. Kemi dëgjuar shumë për Vjosën ndërsa vetë ne ngritëm çështjen për mbrojtjen e Vjosës. Nuk pritëm të vinte BE të na thoshte se është lumi i vjetër i egër në Europë se ata i kthyen nga tigra në mace, ne na mbeti tigri. Kemi marrë masa që Vjosa të shpallet park kombëtar dhe së shpejti do bëjmë ceremoninë për këtë.

Për këto hidrocentralet, 2 i keni peshqesh nga e shkuara bashkë me plagë të tjera të rënda që duhet t’i përballojmë me buzëqeshje e me Ballkan të Hapur se me të Vërenjtur s’të vjen njeri afër se thonë këta jetojnë me të shkuarën”, tha Rama.

Ora 14:38
Rama-Abazoviç: ‘Ballkani i Hapur’ ka rijetëzuar Procesin e Berlinit, i ka dhënë më shumë kuptim

 

Kryeministri Rama është shprehur nga Podgorica se Ballkani i Hapur është një projekt që ka jetësuar dhe përshpejtuar Procesin e Berlinit.

“Kur ishim në Berlin në procesin e Berlinit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut rifirmosën gjëra që i kishin firmosur më parë. Unë nuk pashë aty asnjë marrëveshje të re. Nuk di asnjë marrëveshje të Ballkanit të Hapur që nuk është në Procesin e Berlinit. Pse deri kur nisi Ballkani i hapur nuk ishte realizuar asnjë marrëveshje? Pse procesi i përshpejtua? Sepse për këtë është Ballkani i hapur. Kush do të shohë në këtë proces kinezë, rusë apo marsianë le t’i shohë nuk është problem”, tha Rama.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Kryeministri malazez Abazoviç.

“Ne kemi marrë pjesë në samitin e mëparshëm. Çdo bashkëpunim rajonal i shkakton paqes dhe stabilitetit dhe nuk ka dhimbje koke për këtë. Dhimbje kohe do të kishim vetëm nëse do të ndodhte e kundërta. Për rajonin dhe Malin e Zi po vijnë ditë më të mira. Të kaluarën nuk e ndryshojmë dot por mund të bëjmë këtë gjë me të ardhshmen”, tha Abazoviç.

Ora 14:36
Rama për Abazoviç: Fenomen i rrallë! Flet shkëlqyeshëm 2 gjuhë! Unë përgjigjem vetëm shqip, e vetmja gjuhë që i njoh rajonit

 

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka komentuar faktin që homologu malazez, Dritan Abazoviç arrin të flasë shkëlqyeshëm 2 gjuhë por u shpreh se vendos të përgjigjet në të vetmen gjuhë që i njeh rajonit, shqip.

“Më vjen keq që nuk flas dot në gjuhën tuaj se kush e pyet shqip, përgjigjet shqip e kush e pyet malazezisht, i përgjigjet malazezisht. Dritani është fenomen i rrallë dhe mbase është i vetmi që edhe pse i flet shkëlqyeshëm gjuhët, nuk ngatërron këmbët sipas gjuhëve kur ecën.

Unë përgjigjem shqip, në të vetmen gjuhë që i njoh këtij rajoni”, tha Rama.

Ora 14:27
Ndërtimi i urës 300 metër mbi lumin Bunë, Abazoviç: Kushton rreth 20 mln euro, ndahet përgjysmë me Shqipërinë! Rama: S'është sa për të kaluar fushatën elektorale

 

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka bërë me dije se ndërtimi i urës mbi lumin Buna do të kushtojë 20 milionë euro. Në deklaratën për media u shpreh se do të hapin tender për ofertën më të lirë dhe do e paguajnë për 3 vite.

Ndërsa Edi Rama tha se sfida mbetet gara pasi do të ketë një komision të përbashkët, gjë është hera e parë që ndodh. Po ashtu bëri me dije se projektin do ta publikojnë nesër duke shtuar se nuk është sa për të kaluar fushatën elektorale.

“Kjo është marrëveshja qendrore. Disa animime i kemi treguar. Mendoj që do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë nga buxheti kapital. Në vitin e parë jepen vetëm mjetet fillestare. Pagesa do të bëhet në disa vite që të mos jetë ngarkesë e ngarkuar për vendet tona.

73 km janë aktualisht, ura do të jetë 300 metra. Kemi trafik gjatë verës dhe do të ketë benefite edhe për GDP e 2 shteteve. Unë nuk e di që diçka mund të jetë më efektive dhe kaq i lirë për nga vlera. Pala shqiptare e ka bërë projektimin dhe shpresoj që të hapim tenderin për ofertën më të mirë. Një projekt i tillë për 3 vjet mund ta paguajë administrata vendore e jo buxheti i shtetit. Komisioni ndërshtetëror do të bëjë të gjitha kontrollet në terren. Edhe pika Pulaj-Shënkollë do të jetë në funksion të kësaj”, tha Abazoviç.

“Këtë projekt do e paguajnë të dyja qeveritë dhe ka vlerë të jashtëzakonshme se do të lidhë 2 anë të një kufiri që është 300 metra, sa ç’është ura ndërsa në realitetin e hidhur të fqinjësisë sonë është dhjetëra km, ku ka edhe të papritura si rasti i profesor Milos. Projekti i zbatimit është gati, sfida është të ndërtojmë një procedurë që është hera e parë që ndodh, 2 qeveri hapin një garë me komision të përbashkët. Të dyja ekipet juridike të 2 kryeministrive do të angazhohen menjëherë. Do përcaktohet fituesi dhe do ndërtohet ura. Projektin do e bëjmë të njohur që nesër dhe do shihni që është i bukur dhe ambicioz, nuk është urë për të kaluar një fushatë elektorale por shumë e shumë vite. Për ne është e vlefshme sepse edhe me ndërtimin e rrugës nga Shëngjini në Velipojë dhe me këtë lidhje rritet lëvizshmëria dhe ne fitojmë shumë. Kjo urë nuk zëvendëson atë lidhjen e plotë të korridorit blu. Koha do ta provojë që është projekt i domosdoshëm. Për zonën bregdetare do hapim konkurs ndërkombëtar për masterplan në aspektin e zhvillimit të turizmit. Është zonë e pazhvilluar që kërkon ndërhyrje precize për ta kthyer në magnet të turizmit. Të dyja vendet tona kanë harxhuar energjitë për bregun e detit”, tha Rama.

Ora 14:18
Dialogu Kosovë-Serbi, Abazoviç: Presim marrëveshje, në dobi të gjithë rajonit! Rama: Plani franko-gjerman më i miri, i urojmë Prishtinës sukses

Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel dy kryeministrat, ai i Malit të Zi Abazoviç dhe ai i Shqipërisë Rama, e quajnë një mundësi të artë për marrëveshje. Kreu i qeverisë malazeze shprehet se një marrëveshje Kurti-Vuçiç do të ishte e mirë për të gjithë rajonin.

“Ai takim në Bruksel ashtu si edhe ky këtu ka të bëjë me të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Ne maksimalisht përkrahim dialogun mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mendojmë se plani franko-gjerman është një plan i mirë. Ndihmon paqen në rajon. E ardhmja jonë e të gjithë është bashkëpunim dhe respekti mes shteteve të ndryshme. E rëndësishmë është që në fund të fundit çdokush do të jetë në dobi nëse vendos çfarë duan ndërkombëtyarët dhe popujt këtu. Humbje do të ketë nëse vazhdohet me statuskuonë. Ne mbështesim dialogun, bashkëjetesën dhe jmarrëshëvjen. Nuk mbështesim politikën e ndarjes dhe atë të viteve 90. Unë dua të besoj se liderët e Serbisë dhe Kosovës do ta kuptojnë këtë gjë. Sa më mirë ta kuptojnë aq më mirë do të ishte për ta dhe një shembull për të gjithë rajonin”, tha Abazoviç.

Ndërkohë që Kryeministri Rama tha se propozimi i ndërkombëtarëve është marrëveshja me e mirë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë.

“Shqipëria nuk është superfuqi siç është Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk na takon ne që t’u thotë palëve në dialog pa kushte apo me kushte. Kjo është një çështje që i takon atyre, ata kanë përgjegjësinë për të vendosur për vendet e tyre dhe që më pas paguajnë kosto të vendimmarrjet e gabuara. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugët tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme dhe që nuk ka lidhje me të ardhshme. Unë dua shumë të shpresoj dhe jam me gjithë zemër i angazhuar që çështja mes Shqipërisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën pa kthim dhe më shpejt se sa vonë të dyja vendet që super fuqitë t’i marrin prej veshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës. Mendoj se marrëveshja e bazuar në planin franko gjerman është më e mirë gjë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. Por ky është thjesht një opinion. Unë respektoj sovranitetin e palëve për të vendosur për vendin e tyre. Ne do të jemi në krah të autoriteteve të Kosovës që unë i uroj me gjithë zemër kthelltësi, vendosmëri dhe sukses”, tha Kryeministri Rama.

Ora 14:06
Dhuna ndaj zyrtarit të PL nga policët malazezë, Rama: U morën masat! ‘Patriotët’ mezi i presin për të ndezur flakën që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike

 

Kreu i qeverisë ka komentuar dhunën ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo nga policët malazezë, ka vlerësuar sjelljen e qeverisë malazeze dhe bëri një koment për opozitën.

“I ka telefonuar profesorit, i ka shprehur ndjesën, janë marrë të gjitha masat për personat në fjalë dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë dhe urtësi maksimale. Këto janë raste që ndodhin, u ndodhin edhe në ndonjë rast shqiptarëve me policinë shqiptare por këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë në potencë të rajonit tonë. Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike. Ndaj na duhet më tepër bashkëpunim rajonal e pa kufi, jo se çdo popull si çdo pyll do të shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkëta, aq më pak derrat do të mund të ndërhyjnë në punët e brendshme”, tha Rama.

Ora 14:00
Rama tregon bisedën me Abazoviç: Urën mbi Bunë do e bëjmë me fonde të përbashkëta! S’mund ta paguajmë ne kur Mali i Zi ka paga më të larta

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjen me Malin e Zi për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë që do të bëjë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit vetëm 300 metra. Kreu i qeverisë tregoi se projekti do të bëhet me fonde të përbashkëta ndërsa tregoi bisedën me homologun malazez, të cilit i ka kujtuar se pagat i kanë më të larta në Mal të Zi.

Po ashtu ka dhënë edhe një mesazh për Ballkanin e Hapur duke thënë se vendet duhet të fuqitë për të vënë në zbatim parimet dhe idetë.

“Është i domosdoshëm për të jetësuar me një ritëm më të shpejtë të gjithë ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga procesi i Berlinit. Kaq e thjeshtë është kjo dhe natyrisht që edhe në këtë samit të radhës pasi japim dakordësinë edhe të tjerët, do të ftohen të gjithë që të jenë pjesë. Janë 2 nisma që kanë nevojë për njëra-tjetrën.

Ne nuk mundet të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit me një proces të Ballkanit por duhet të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime e ide që janë themeli i procesit të Berlinit. Më vjen shumë mirë që sot kemi firmosur një marrëveshje shumë të rëndësishme për jetësimin e vizioneve dhe planeve që është ndërtimi i urës mbi Bunë, e cila do e kthejë distancën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në 300 metra nga dhjetëra kilometra. Kjo nuk është marrëveshje e thjeshtë por jetësimi e bazuar në projektin e zbatimit nga FSHZH. Projektin e kemi zbatuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do bëjmë dhe urën.

I thashë edhe Dritanit, Këtu në Mal të Zi i keni rrogat më të larta dhe nuk shkon që t’jua paguajë Shqipëria dhe urën”, tha Rama.

Ora 13:57
Rama: Marrëdhëniet tona më shumë se miqësore, në vjeshtë mbahet në Shqipëri samiti i Procesit të Berlinit, në qershor Mali i ZI prej ‘Open Balkan’

 

Kryeministri Edi Rama foli në konferencën për mediat me homologun malazez Abazoviç për projektet e përbashkëta mes dy vendeve.

“Dëshiroj të shpreh falënderimet edhe në emër të të gjithë delegacionit tonë sepse edhe një herë tjetër ne e kemi ndjerë ngrohtësinë e mikpritjes dhe afrimitetin vëllazëror mes nesh. Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj dhe mund të bëjmë shumë më shumë. Ne takohemi në një moment shumë sfidues edhe për vetë Evropën ndaj edhe vlera e kësaj vëllazërie është shumë më e madhe. Si vizita jonë në Kiev si përpjekjet tona të përbashkëta në këto sfida janë themeli për tu thelluar marrëdhëniet tona më shumë.  Një lufta ka nisur jo thjesht për të shkatërruar Ukrainën por edhe për të gjunjëzuar Evropën por edhe në këto kushte ne kemi ecur para drejt BE-së. Kemi parë se si më në fund Bashkimi Evropian është bërë më i ndjeshëm për rajonin, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut hapën negociatta, Kosova mori një datë për liberalizimin e vizave, Bosnja mori statusin kandidat apo ashtu si u mbajt për herë të parë një samit i BE në Tiranë apo në Mal të Zi një tjetër samit. Të gjitha këto janë pozitive por BE është një korsi e përbashkët. Unë dëshiroj ta falënderoj Kryeministrin për angazhimin e tij në vetë të parë për të gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falënderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të Ballkanit të Hapur në qendër këtu në Mal të Zi, ndërkohë që procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet në Tiranë në fillim të vjeshtës, data do të përcaktohet në takimin që do të kem me Kryeministirn Scholtz së shpejti në Berlin”, tha Rama.

Ora 13:51
Ramës i bllokohet mikrofoni, i vjen në ndihmë tekniku! Batuta e kryeministrit në Mal të Zi: E kishte të ndjeshëm gishtin

 

Kryeministri Edi Rama kishte probleme me mikrofonin që në nisje të fjalës së tij gjatë deklaratës së përbashkët me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazovic. Sapo iu vu në ndihmë tekniku, kreu i qeverisë nuk hezitoi të bënte një batutë.

“Edhe unë të ndezur e kisha dritën, por ky djali e kishte të ndjeshëm gishtin”, tha Rama.

Ora 13:49
Nënshkrimi i marrëveshjes Shqipëri-Mali i Zi, Abazoviç: Krenar për projektin e madh infrastrukturor! Do të zvogëlohet edhe trafiku gjatë muajve të verës

 

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç thotë se ndihet krenar për nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e urës mbi lumin Bunë.

“Sot nga Podgorica dërguam mesazhin e bashkëpunimit, të dedikimit të të ardhmes së përbahskët që do të zbatohet përmes bashkëpunimit ekonomik. Jam krenar që kemi vendosur nënshkrimin për krijimin e projektit të madh infrastrukturor, urës mbi Bunë që do të jetë prodhim produkti turistik jo vetëm për Malin e Zi dhe Shqipëri. Kjo do të zvogëlojë trafikun gjatë muajve të verës.

Folëm edhe për lundrueshmërinë e lumit të Bunës. Kryeministri mori disa hapa për lëvizjen e papenguar të lumit Buna. Dëshirojmë të bëjmë çdo gjë, dhe për shëndetësi e mbrojtje, duam të themi që Mali e Zi e Shqipëria e shohin perspektivën e madhe në raporte të ndërsjella. Ne jemi të dedikuar drejt integrimeve europiane dhe dëshirojmë të japim kontribut. Mendoj që raportet që ka qeveria e Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë janë shembull për Ballkanin Perëndimor dhe duhet ta ndjekin edhe vendet e tjera. Kjo është mënyra më e mirë që të nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme. Besoj që Shqipëria dhe Mali i Zi mund të thonë që raportet e tyre janë rritur në nivele më të larta,. Qytetarët presin nga ne që të punojmë me infrastrukturë”, tha Abazoviç.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rei: 27/02/2023 19:17

    Ishalla sa me shume projekte te tilla

    Përgjigju
  • Skuthi i Athines qe shtiret si socialist: 27/02/2023 17:08

    Edi Rama je me i miri. Te hengsha …

    Përgjigju
  • Sokol: 27/02/2023 16:45

    cdo vendim qe ju keni mare eshte i drejte.Vazhdoni keshtur

    Përgjigju
    • O bo bo bo.: 27/02/2023 16:54

      Dolèn qoftexhinjtè nè aksion, tè mbrojnè krietarin.

  • Kloi: 27/02/2023 16:44

    nje mardhenie qe do te jete ne te miren e te dy shteteve

    Përgjigju
    • O bo bo bo.: 27/02/2023 16:56

      Karamele ZANA pèr Kloin.

  • Klaus: 27/02/2023 16:42

    Sa shume po punon qeveria per te ardhmen e ketij vendi.Keshtu vazhdoni me punen e nisur.

    Përgjigju
  • Orgen: 27/02/2023 16:41

    Ju lumte per gjithe keto nisma qe kane per te sjell kaq shume zhvillim ne vend.

    Përgjigju
  • Kevi: 27/02/2023 16:36

    Paçim sa me shume projekte

    Përgjigju
  • Eni: 27/02/2023 16:35

    Fale jush po ruhen marredhenie te mira me malin e zi

    Përgjigju
  • Loni: 27/02/2023 16:33

    Sa mire qe e keni mbrojtur gjithmone Vjosen

    Përgjigju
  • Linda: 27/02/2023 16:18

    Edhe nje dite tjeter e bukur per Shqiperine per nje te ardhme se me te sukseshme.

    Përgjigju
  • Ani: 27/02/2023 14:41

    Ju urojm suksese ne kete takim ge sotem

    Përgjigju
  • Olti: 27/02/2023 14:16

    Krenar qe kemi mardhenie te tilla me malin e zi

    Përgjigju
  • titi: 27/02/2023 14:12

    sukses dhe vetem sukses

    Përgjigju
  • flori: 27/02/2023 14:05

    Ja dikush qe mendon per shqiperine edhe rajonin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?