Politikë

Mblidhet Komisioni hetimor për 25 prillin, PS kërkon informacion nga Basha për grupin e armatosur për mbrojtjen e votës nga PD: A ekziston mundësia të rithirret?

3 Nëntor 2021, 17:10| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 18:28

  • Share

TIRANË- Partia Socialiste në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit kanë kërkuar informacion për funksionimin gjatë zgjedhjeve të strukturës së armatosur për mbrojtjen e votës në PD. Në dy kërkesa, PS i drejton 17 pyetje Lulzim Bashës dhe 10 të tjera Policisë së Shtetit, për themelimin, funksionimin dhe ringritjen e kësaj strukture. Ka qenë nënkryetari i këtij Komisioni, Toni Gogu i cili ka shtruar të gjitha pyetjet, ku edhe ka ngritur dyshime nëse ekziston mundësia që kjo strukturë e armatosur të jetë ende aktive dhe mund të thirret sërish.

 Ai ka theksuar se kjo është një kërkesë për informacion drejtuar institucioneve, pra PS-ja nuk kërkon që Lulzim Basha në cilësinë e kryetari të PD-së dhe Gledis Nano, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të thirren si dëshmitarë.

"Kërkesë për Lulzim Bashën, kërkojmë informacion të detajuar, kur është themeluar struktura e mbrojtjes së votës, me cfarë platforme, akti që e ka themeluar strukturën në fjalë, si janë organizuar nga qendra e partisë deri në njësinë bazë, cila ka qenë skema organizative e kësaj strukture, si është financuar, mbi cilat kritere është bërë rekturimi, sa ka qenë numri i anëtarëve, cilët kanë qenë drejtuesit, lista ë anëtarësisë, veprimtaria e tyre dhe e secilën anëtarë, a ka pasur përpjekje nga drejtuesit për korrigjimin e akteve të kundraligjshme, a ekziston sot, kjo strukturë, nëse jo a ka skema të ngjashme që parashikojnë rithirrjen e kësaj strukture.

Kërkesa e dytë për Policinë e Shtetit. A ka qenë në dijeni policia e shtetit për këtë strukturë, cila ngjarje për krime zgjedhore janë kallëzuar nga kjo strukturë, në sa ngjarje rezulton e përfshirë struktura e mbrojtjes së votës, në cilat qarqe kanë ndodhur, a ka patur bashkëpunim të kësaj strukture me policinë e shtetit, po denoncime?", janë disa prej pyetjeve që ka ngritur PS-ja në Komisionin Hetimor.

Kjo kërkesë është pranuar automatikisht, pa asnjë kundërshtim nga palët.

"Është e disiplinuar prej ligjit dhe rregullores, nuk kemi asnjë çështje për të debatuar, Gogu ka bërë 2 kërkesa dhe çdo kërkesë pranohet pa votim, është e drejta e çdo deputeti për të caktuar jo vetëm temë dhe lëndën që kërkon të hetojë pretendimet që ngre, por edhe të zgjedhë instrumentin. Ligji për Komisionet Hetimore, i jep të drejtën çdo deputeti të sjellë dhe të ofrojë dokumente, por edhe të dhëna që mund t'i marrë edhe në rrugë jo zyrtare, ajo është pranuar automatikisht me atë përmbajtje që ka", tha kryetari Enkelejd Alibeaj.

Dakordësi është arritur edhe sa i përket ekspertëve që do asistojnë për veprimtarinë e Komisionit Hetimor për 25 prillit. Nga LSI-ja është caktuar Silva Caka, nga PD-ja Marinela Ziu dhe Marash Logu, e ndërsa PS-ja Eridian Salianji, Mariglen Legisi. Mbledhja e radhës u la, të mërkurën e javës së ardhshme në orën 17:00.

Ishte vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit që zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një strukture të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

17 pyetjet e PS-së drejtuar Lulzim Bashës    (Kliko këtu për dokumentin)
1. Kur është themeluar Struktura e Mbrojtjes së Votës (S.M.V)?
2. Me çfarë platforme është themeluar kjo strukturë?
3. Cili është akti që e ka themeluar strukturën në fjalë dhe kush e ka nënshkruar atë?|
4. Si janë organizuar nga qendra e partisë e deri në bazë?
5. Cila ka qenë skema organizative e S.M.V?
6. Si është financuar S.M.V?
7. Mbi çilat kritere është bërë rekrutimi?
8. Sa ka qenë numri i anëtarëve?
9. Cilët kanë qenë personat drejtues për çdo qark?
10. Cila ka qenë lista e anëtarësisë për çdo qark?
11. Si është normuar veprimaria e tyre dhe e secilit anëtar njësie?
12. A është analizuar në strukturat e PD veprimtaria e S.M.V?
13. A janë analizuar incidentet ku është përfshirë kjo strukturë?
14. A ka patur konstatime për shkelje të ligjit nga elementë të strukturës?
15. A ka patur përpjekje nga drejtuesit dhe strukturat udhëheqëse për korrigjimin e akteve të kundraligjshme?
16. A ekziston sot, a është ende e ngritur S.M.V?
17. Nëse jo, a ka skema të gatshme që parashikojnë rithirrjen e kësaj strukture?

10 pyetjet drejtuar Policisë së Shtetit   (Kliko këtu për dokumentin)
1. Sa është numri i ngjarjeve që lidhen me krimet zgjedhore të rregjistruara nga Policia e Shtetit?
2. Sa prej këtyre ngjarjeve janë konstatuar kryesisht nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe për sa prej tyre ka patur kallëzim nga shtetasit?
3. Në sa prej këtyre ngjarjeve rezulton e përshirë Struktura e Mbrojtjes së Votës (S.M.V)?
4. Në cilat qarqe kanë ndodhur ngjarjet në fjalë?
5. Cilat prej ngjarjeve që lidhen me krimet zgjedhore apo të tjera, janë kallëzuar nga Struktura e Mbrojtjes së Votës apo nga shtetas të cilët kanë qenë të lidhur me këtë strukturë?
6. A ka patur ndonjë bashkëpunim të Struktura e Mbrojtjes së Votës me Policinë e Shtetit?
7. A ka patur ndonjë bashkëpunim të Partisë Demokratike të Shqipërisë (P.D.SH) me Policinë e Shtetit? Nëse po, cilët kanë qënë personat e kontaktit nga ana e PDSH?
8. A ka patur ngjarje për të cilat, pas kallëzimit në polici, është vendosur të mos hetohen më tej sipas parashikimeve ligjore? Nëse po, në sa nga këto ngjarje ka rezultuar e përfshirë S.M.V?
9. Gjatë hetimeve që ka kryer Policia e Shtetit, ka rezultuar se personat e përfshirë në ngjarje kanë qenë të armatosur? Nëse po, në sa nga këto ngjarje ka rezultuar e përfshirë S.M.V dhe si është përfshirë kjo e fundit?
10. Përshkruani në mënyrë të detajuar të gjitha ngjarjet që lidhen me krimin zgjedhor dhe të cilat ka patur hetime nga Policia e Shtetit, pavarësisht nëse ngjarja është referuar apo jo në Prokurori për procedimin e mëtejshëm dhe pavarësisht nëse S.M.V rezulton apo jo e përfshirë.

Ekspertët për 25 prillin
PD
Marinela Ziu
Marash Logu
PS
Erdian Salianji
Mariglen Legisi
LSI
Silva Caka

Ora 17:34
Gabimi në shkresën e Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj del si kryetar Kuvendi! Demokrati: Jua siguroj se nuk e kam si ambicie! Kollçaku: Unë jua uroj

 

Një gabim në shkresën e Komisionit Hetimor ka rezultuar si kryetar i Kuvendit, Enkelejd Alibeaj. Kjo është vënë në dukje nga deputeti i PS-së, Bardhyl Kollçaku. Kjo shkaktoi edhe humor dhe Alibeaj tha se do të ndryshohet menjëherë.

Bardhyl Kollçaku: Në dokument nga mënyra se si është hartuar, del sikur Enkelejd Alibeaj është kryetar i Kuvendit

Enkelejd Alibeaj: Ua siguroj se nuk e kam si ambicie

Bardhyl Kollçaku: Unë jua uroj

Enkelejd Alibeaj: Dy mënyra, ose mbas fjalës Kuvendi të shtohet Komisioni, ose pas emrit tuaj, të shtohet kryetar i Komisionit

Enkelejd Alibeaj: Sekretaria të saktësoj që bëhet fjalë për kryetarin  Komisionit Hetimor. Ka një kërkesë për të ruajtur imazhin të pacenuar dhe të klirë të Kuvendit, falenderoj shumë zotin Kollçaku

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?