Politikë

Kuvend, debat për votën e diasporës/ Berisha: E solla në 2013 por Rama më kërcënoi keq! Replikon PS: Jemi dakordësuar për ndryshimet në kod, doni t'a vrisni këtë proces

30 Janar, 14:38| Përditesimi: 31 Janar, 00:26

  • Share

Tiranë- Kuvendi u përfshi sot (30 janar) në debate lidhur me votën e diasporës. PD e PS akuzojnë njëra tjetrën se po përpiqen të sabotojnë këtë proces kur tashmë janë regjistruar mbi 105 mijë shqiptarë nga jashtë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

PD po kushtëzon votën e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me votimin e amendamentit të tyre që u njeh votimin me pasaportë apo dokumente biometrike të vendit ku jetojnë nëse nuk kanë një dokument shqiptar.

Por, PS u shpreh kundër dhe e quajti alibi të Partisë Demokratike për humbjen që do të pësojnë në zgjedhjet e 11 majit. Propozimi i PS-së është që këta emigrantë të lejohen të votojnë me ID të skaduar shqiptare.

Ish-kryeministri Berisha tha se nëse nuk votohet amendamenti i PD-së që u njeh votimin me pasaportë apo dokumente biometrike të vendit ku jetojnë atëherë do të organizohen protesta para ambasadave

Berisha tha se në vitin 2013 është kërcënuar nga kryeministri Edi Rama (atëherë lider i opozitës) se nëse mazhoranca e PD-së së asaj kohe do të kalonte ligjin për votën e emigrantëve në Parlament, PS nuk do të merrte pjesë në zgjedhje.

Berisha: Rama po bën çdo gjë për të sabotuar votën e diasporës. Po kushtëzon votimin e qytetarëve shqiptarë me shtetësinë shqiptare, pasjen ose jo të dokumenteve shqiptare. Shqiptarë ata i bën shtetësia, por ai ka frikë dhe tmerr nga vota e diasporës.  Kur solla ligjin për votën e diasporës, në 2013 Rama më kërcënoi se nuk do merrte pjesë në zgjedhje nëse votonim ligjin. Më në fund vendimi i Gjykatës Kushtetuese imponoi dhe palët vendosën ta votojnë.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, tha se mazhoranca është dakordësuar me PD për ndryshimet e bëra në kod për votën e diasporës.

‘Ramë dakord që ata shtetas që jetonin jashtë vendit të votojnë me një nga dokumentet e identifikimit të vlefshëm shqiptar. Kjo ishte marrëveshja që bëmë dhe këtë shkruam edhe në kod. Nga doli kjo që kanë ngel edhe 150 mijë që s’kanë asnjë dokument, nga doli ky merak njëherë. Ju jeni penduar sepse nuk arrini dot që t’i bindni ata dhe gjeni një justifikim, doni ta vrisni këtë proces. Ju bashkë me mua e keni bërë kodin, pse e kërkoni tani këtë, sepse s’ju dalin llogaritë’, tha ai.

Ndërkohë, ministrat e qeverisë, Taulant Balla dhe Ulsi Manja gjithashtu dhe kreu i grupit PS, Niko Peleshi thanë se PD nuk do t'i japin dritën jeshile votës së diasporës prandaj po e kushtëzojnë votën. 

Balla: “E kam ditur prej disa vitesh e tani doni të bllokoni dy element thelbësorë. E ka detyrim parlamenti të miratojë gadishmërinë e qeverisë që postën edhe në kthim ta paguajmë ne. Hajdeni e mos e kushtëzoni votën me asgjë. Duhet të spostojmë afatin e regjistrimit të kandidatëve të pakën dhe me 10 ditë të tjera. Të tjerat janë rrena e alibi. Mos ma luaj gishtin por jepni votën. Edhe për një kërkesë që ju ka ardhur ju do e bëjmë. Keni frikë se Celibashi ju vjedh votat? Bujrum të numërojmë votat në prani të përfaqëuesve partiakë. Të tjerat alibi për humbjen.

Seanca parlamentare e sotme nisi me një minutë heshtje për nder të ndarjes nga jeta të kryepeshkopit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Seanca  nisi në orën 15:00, me gjysmë ore vonesë dhe ka rend dite të ngjeshur, me të paktën 16 pika. 

Deputetja e PD-së Ina Zhupa tha se maxhoranca ka futur në rend dite pr/ligje si 'paketa e maleve' të cilat i quan klienteliste dhe me qëllime elektorale, në replikë kreu i grupit PS-së tha se parlamenti nuk bën ligje vetëm për një pjesë të qytetarëve, por për gjithë shqiptarët.

Ndërkohë kryetari i PD-së mbështet nismën e deputetit demokrat Dash Sula për ngritjen e komisionit të së vërtetës, për të bërë transparencë për deputetët që kanë përdorur encrochat.

Ka pasur me 2 –3 encrochate. Damian se po flas unë. Ke pasur dhe ti. Betohu se nuk ke pasur. Mos u fsheh.  Kryeministri juaj ka pasur 2 ose 3 të tillë. Nëse nuk pranoni komisionin e së vërtetës do i publikojmë një nga një' tha Berisha. 

Ora 00:03
Hoxha: Letërnjoftimi elektronik, rol kyç në luftën ndaj krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet! Tre fazat e projektit

1738278411_c4547aa199e848c49c1e5c6d3bf1d0e9.jpg

Ministri I Brendshëm, Ervin Hoxha ftoi deputetët të votojnë pr/ligjin , “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, me qëllim krijimin e mundësisë për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftim digjital (e-ID). 

Ministri tha se Pr/ligji është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me kërkesat e Bashkimit Evropian.

“Ai synon të krijojë një sistem të integruar të identitetit digjital, i cili do të jetë i sigurt, i besueshëm dhe i përshtatshëm për të gjithë shtetasit shqiptarë.  Përveç lehtësimit të shërbimeve administrative, letërnjoftimi digjital do të luajë një rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet. Duke përdorur teknologji të avancuar, garantojmë një nivel të lartë sigurie dhe mbrojtje të të dhënave personale, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për privatësi dhe transparencë, tha ministri. 

Ky projekt është strategjikisht i rëndësishëm dhe është pjesë e agjendës së Qeverisë për digjitalizimin dhe modernizimin e vendit. Ai është përfshirë në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare dhe është në përputhje me objektivat e Dokumentit të Politikave Prioritare 2025–2027. 

Ministri prezantoi dhe hapat se kur do të realizohet projekti

Ne do të realizojmë këtë projekt në tre faza kryesore: 

1.Projektimi dhe ndërtimi i infrastrukturës; 

2.Zbatimi i një projekti pilot; 

3.Implementimi i gjerë i identitetit digjital në të gjithë popullatën. 

Ky proces pritet të zgjasë të paktën tre vjet, por përfitimet e tij do të jenë të dukshme që nga fazat e para. 

Ora 22:31
Bujar Leskaj: Jo shpërblime të përkohshme, por masa afatgjata për pensionistët, qeveria i trajton si votues të rëndomtë

1738272911_leskaj.JPG

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj foli sot në Kuvend për ndryshimet në Aktin Normativ për buxhetin e vitit 2024, që u paraqit nga ministri i Financave, Petrit Malaj.

Deputeti demokrat Bujar Leskaj e quajti këtë procedurë, një miratim formal të Aktit Normativ, pasi sipas tij, Kuvendi është kthyer në një noter të qeverisë.

“Një tjetër dëshmi e mënyrës së paplanifikuar dhe të paqëndrueshme se si qeveria shqiptare menaxhon financat publike. Ky akt tregon qartë dështimin e planifikimit fillestar të buxhetit, nevojën për ndërhyrje emergjente në fund të vitit dhe përdorimin e parave publike për qëllime elektorale,” tha Leskaj.

Deputeti Leskaj u ndal edhe te shpërblimet për pensionistët dhe ndihmën sociale për grupet vulnerabël dhe shtresat në nevojë, që ai e quajti një “lëmoshë elektorale” para zgjedhjeve.

“Një nga ndryshimet e këtij akti, që ju e quani si vlerë, është shpërndarja e bonuseve për pensionistët dhe shtresat në nevojë, një praktikë që përsëritet sa herë afrojnë zgjedhjet. Me një vit zgjedhor para qeveria ka zgjedhur të “blejë” mbështetjen e qytetarëve me shpërblime të përkohshme, në vend që të marrë masa aftagjatë për përmirësimin e pensioneve dhe ndihmës ekonomike,” pohoi Leskaj.

Leskaj shtoi se 60 milionë euro të parashikuara në buxhet mund të përdoreshin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.

“Në mënyrë që t’u ofrojnë një siguri financiare, qeveria i trajton pensionistët si votues të rëndomtë që mund të blihen me një pagesë apo bonus një herë në vit. Politikë klienteliste, ku ndihmat nuk janë afatgjata, por vetëm një mjet për të siguruar vota në prag të zgjedhjeve”, tha ai. 

Ora 21:45
Ministri Malaj: Në shkurt do të shpërndahet bonusi i pranverës për pensionistët

Ministri i Financave, Petrit Malaj paraqiti sot në Kuvend Aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2024, përmes të cilit u sigurua mbështetja për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, përmes një pakete prej rreth 2,2 miliardë lekë, si dhe krijimi i një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve, me një transfertë fillestare prej rreth 6,3 miliardë lekësh.

Malaj informoi se bonusi i pranverës për pensionistët do të mund të tërhiqet duke nisur nga muaji shkurt.

'Me një fond prej 2.2 miliardë lekësh bëmë të mundur ofrimin e një bonusi më të qënësishëm për shtresat më në nevevojë, ndërsa garantuam hapjen e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve me një transfertë fillestare prej rreth 6.3 miliardë lekë. Është një bonus, që sikundër është deklaruar edhe nga Kryeministri Rama do të nisë të shpërndahet në muajin shkurt dhe që,  falë parametrave ekonomikë do të  vijojmë ta japim në vazhdimësi për të reflektuar çdo rritje mbi parashikimin, krahas punës që po vijon me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë, për një reformë të thellë të sistemit të pensioneve', tha ai. 

Ora 21:19
Shehaj në Kuvend: Financuesi i turit të diasporës mori miliona euro përfitime nga Rama, iu dha leje ndërtimi për dy kulla dhe një hotel në Tiranë

 

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, u tregua i ashpër në fjalën e tij sot në Kuvendin, duke folur për takimet e PS-së në diasporë.

Shehaj iu referua një takimi të Ramës 6 muaj më parë, në Milano, duke e quajtur një aferë korruptive të pastër, sepse, sipas tij, takimi ishte një farsë e organizuar dhe financuar nga një sipërmarrës me të cilin ai kishte një marrëveshje korruptive.

Sipas tij, një biznesmen pagoi faturat për këtë spektakël propagandistik dhe si shpërblim Rama i dha një leje ndërtimi për dy kulla dhe një hotel shumëkatësh në qendër të Tiranës.

‘Sot, do t’ju tregoj një aferë korruptive të pastër. Një skandal te vërtetë! Një skemë e neveritshme që tregon saktësisht si funksionon kjo qeveri e kalbur. Gjashtë muaj më parë, Edi Rama u shfaq në një takim madhështor me diasporën në Milano. Super organizim, para pa fund, shumë shqiptarë shkuan atje, me shpresë, me besim. Dhe ai, me pafytyrësinë me të madhe, ju tha: ‘Kemi ndryshuar Shqipërinë, është gati për ju!” “Kthehuni! Sakrifikoni! Me punë dhe mund do të arrini gjithçka edhe në Shqipëri!”. Thjesht i gënjeu. E vërteta është komplet ndryshe: takimi ishte një farsë e organizuar dhe financuar nga një sipërmarrës me të cilin ai kishte një marrëveshje tipike korruptive!

Sipas një investigimi, një biznesmen pagoi faturat për këtë spektakël propagandistik! Dhe si shpërblim? Rama i dha një leje ndërtimi për dy kulla dhe një hotel shumëkatësh në qendër të Tiranës! Kjo është Shqipëria e Edi Ramës! Ky është modeli i tij. Shet Shqipërinë për të mbajtur pushtetin. Rama ju bëri thirrje 700.000 shqiptarëve që të ktheheshin në Shqipëri, Rama shpërbleu 1 prej tyre, atë që pagoi faturat e tij. Me pak fjalë, modelin që i garantoi 11 vjet pushtet në bashki dhe 12 vjet në qeveri, po shtrin në perëndim edhe me Diasporën. Jo vetëm kaq. Për të kapur votën e emigrantëve, hapën faqe false në Facebook dhe Instagram. Emra të bukur si "Diaspora Fier", "Diaspora Lezhë", "Comunità Albanese in Italia". Po çfarë ishin këto?

Ishin mashtrime të sponsorizuara nga kompani të lidhura me Partinë Socialiste, me një qëllim: Të mbledhin të dhënat e emigrantëve me mashtrim. Emrin. Mbiemrin. Numrin e telefonit. Emailin. Pastaj i përdorin për ti manipuluar. Për t’ju dërguar mesazhe, për ti gënjyer, për t’ju marrë veten! Dhe kush qëndron pas kësaj? I njëjti biznesmen që organizoi takimin në Milano. E njëjta skemë: financon PS-në dhe më pas merr leje ndërtimi, projekte, miliona euro! Kjo është Shqipëria e Edi Ramës. Një vend ku pushteti blihet dhe shitet. Kjo është arsyeja pse Shqiptarët ikin’, tha ai.

Ora 20:45
‘Jemi dakordësuar për ndryshimet në kod për votën e diasporës’, Gjiknuri- PD-së: Jeni penduar, nuk arrini t’i bindni dot, doni t'a vrisni këtë proces

 

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, i është përgjigjur kërkesës së PD për të futur në listat e zgjedhësve edhe ata emigrantë shqiptar që nuk kanë asnjë dokument identifikimi shqiptar.

Ai tha se mazhoranca është dakordësuar me PD për ndryshimet e bëra në kod për votën e diasporës.

Sipas tij, këto kërkesa bëhen pasi PD e ka kuptuar se nuk arrin dot që të jetë e besueshme që të votohet nga diaspora.

‘Në 2024 ne negociuam çdo detajë se si do të realizohet vota e diasporës, jam unë ai që kam pasur barrën nga mazhoranca për tu ulur na tavolinë me ju për një produkt të përbashkët. Ramë dakord që ata shtetas që jetonin jashtë vendit të votojnë me një nga dokumentet e identifikimit të vlefshëm shqiptar. Kjo ishte marrëveshja që bëmë dhe këtë shkruam edhe në kod. Nga doli kjo që kanë ngel edhe 150 mijë që s’kanë asnjë dokument, nga doli ky merak njëherë. Ata që s’kanë dokumente, s’kanë si regjistrohen sepse sistemi duhet që të dhënat të jenë në sistemin e gjendjes civile. Nga dalin këto kërkesa. Qëllimi është i qartë, ju jeni penduar, ju nuk arrini dot që  ti bindni. Nuk jeni të besueshëm dhe del varianti tjetër. Për ju ka rëndësi që të justifikohet humbja dhe të gjendet një alibi për të, por treni i votës së diasporës është nisur dhe ju se ndalni dot. Ju jeni penduar sepse nuk arrini dot që t’i bindni ata dhe gjeni një justifikim, doni ta vrisni këtë proces. Ju bashkë me mua e keni bërë kodin, pse e kërkoni tani këtë, sepse s’ju dalin llogaritë’, tha ai.

Ora 20:37
Investimet strategjike/ Jorida Tabaku: Po favorizohen oligarkët, jo qytetarët e ndershëm

1734008624_tabaku.jpg

Deputetja e Partisë Demorkatika, Jorida Tabaku hodhi sot akuza ndaj qeverisë për hartimin e ligjeve që favorizojnë oligarkët dhe ndëshkojnë qytetarët e ndershëm.

Tabaku e lidhi këtë qëndrim me disa nisma ligjore të sjella në Kuvend, ndër të cilat atë për zgjatjen e afatit për marrjen e statusit “investitor strategjik”.

“Një sistem i pandershëm që favorizon oligarkët dhe ndëshkon qytetarët e ndershëm. Katër muaj para zgjedhjeve, Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike. Të ardhurat për frymë janë më të ultat në rajon. Pensionet janë më të ultat në Ballkanin Perëndimor. Çmimet rriten çdo muaj, ndërsa faturat po bëhen të papërballueshme. Por çfarë bën mazhoranca socialiste? A merr masa për të lehtësuar jetesën e qytetarëve? A i ndihmon ata që punojnë me ndershmëri? Jo! Socialistët nuk merren me problemet e shumicës, por me pasurimin e pakicës”, deklaroi Tabaku.

Duke e cilësuar realitetin si “të zymtë”, Tabaku thekson se qeveria sjell dy ligje që falin taksat për oligarkët.

“Në një kohë kur shtresa e mesme dhe qytetarët e ndershëm paguajnë 23% tatim mbi punën e tyre, qeveria vendos që investitorët në ndërtimin e resorteve turistike të mos paguajnë taksa për 10 vjet. Ky nuk është një shtet që mbështet qytetarët e ndershëm, por një regjim që ushqen një pakicë oligarkësh. Ndërsa shqiptarët largohen nga vendi sepse nuk shohin të ardhme, një grusht biznesmenësh të oborrit të Partisë Socialiste marrin toka falas, taksa falas dhe leje ndërtimi të personalizuara. Ata që kanë miq në qeveri, pasurohen pa punuar. Ata që punojnë ndershmërisht, paguajnë më shumë dhe marrin më pak. Në këtë sistem, nëse je i lidhur me qeverinë, pasurohesh. Nëse je i ndershëm, ndëshkohesh”, tha ajo.

Sipas Tabakut, ky nuk është socializëm, po klientelizëm.

“Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve. Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo është një paketë anti-Shqipëri; një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri; një paketë që forcon monopolin e një pakice, ndërsa shumica lufton për mbijetesë; një paketë që shkatërron konkurrencën dhe pengon shqiptarët e ndershëm të ecin përpara,” u shpreh Tabaku.

Tabaku theksoi rëndësinë e rikthimit të konkurrencës dhe meritokracisë.

Ora 19:37
VIDEOLAJM/ 'Çunat e Bostonit', Nallbati ngjit logon me mbishkrimin tek vendi i kryeministrit

Një Incident u shënua në Kuvend. Ndërsa ministri Balla po fliste afër foltores është afruar Bledion Nallbati.

Garda u afrua ndërsa deputeti demokrat vuri një logo me mbishkrimin ‘çunat e bostonit’ tek vendi i kryeministrit.

Ora 18:54
‘Në tavolina restorantesh në Stamboll, vendoset fati i një tenderi në Shqipëri', Sula: Këto s’i themi ne, i ka thënë Ahmetaj, ai po ju çjerr maskën

 

Deputeti i PD Dashnor Sula, nga Kuvendi me tone të ashpra ka folur për ndërtimin e hekurudhës Tiranë- Durrës për të cilën është kërkuar fond shtesë.

Ai tha se kjo nuk është hera e parë që kërkohen fonde shtesë për projekte të caktuara.

Sula ka përmendur edhe deklaratat e bëra nga Arben Ahmetaj, se në tavolina restorantesh në Stamboll vendoset fati i një tenderi në Shqipëri.

‘Mos mendoni se ne jemi kundër hekurudhës apo rrugëve, por më gjeni një kontratë të vetme ju mua që në mes të projektit nuk keni rritur financimin për së dyti. Rrugën e Elbasanit a e rritet prap ju, tuneli i llogarasë a e rritët prap. Rruga e Qafë Pllocës e keni rritur disa herë dhe këto si themi ne, por i ka thënë Arben Ahmetaj, që në tavolina restorantesh në Stamboll vendoset fati i një rrugë dhe i një tenderi në Shqipëri. Tmerri juaj do jetë Ahmetaj, ai pavarisisht se ça ka bërë po ju çjerr maskën, po i bënë nder kombit me ato që po tregon. Ish- gruan e tij e keni persekutuar që s’ka asnjë pikë faji, se u nda me Ahmetajn, këtë e bëni për të detyruar Ahmetajn që të heshti. Kjo nuk është çnjerëzore, jeni bërë si Enver Hoxha që të persekutonte’, tha ai.

Ora 18:48
Balla propozon ndryshime në ligjin për nënshtetësinë shqiptare: Ata që e kanë lënë ta rimarrin me procedurë të përshpejtuar! PD kundër

 

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka propozuar ndryshime në ligjin për nënshtetësinë, për shqiptarët që e kanë lënë nënshtetësinë shqiptare që të mundësohet që ta marrin me procedurë të përshpejtuar.

‘Është e vërtet që shumë qytetarë duke filluar nga viti 1990, kur iu desh të largohen nga vendi thyen muret e ambasadave dhe u larguan nga vendi, një pjesë e tyre bazuar në ligjin e vjetër gjerman iu desh që të linin shtetësinë shqiptare. Në qershor të vitit 2024 koalicioni i majtë në Gjermani bëri të mundur heqjen e këtij detyrimi në Gjermani dhe numrat në konsullatat tona në Mynih ishin të larta. Tani janë me mijëra ata që kanë aplikuar në këto muaj për të rimarr shtetësinë. Shqipëria nuk është më Shqipëria që ata lanë por i bënë të gjithë shqiptarët që të jenë krenar për vendin e tyre. E gjej me vend propozimin e një ndryshimi në ligjin e shtetësisë për të krijuar një procedurë të përshpejtuar për marrjen e shtetësisë për ata që kanë qenë të detyruar që ta lënë. Sapo ta konkretizojmë do zoti nuk vini prap dhe të thoni nuk vijmë që ta bëjmë tani para zgjedhje, sepse s’na lë kodi zgjedhor’, tha ai.

Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh kundër kësaj pasi sipas tij problemi nuk është tek ata që nuk e kanë nënshtetësinë shqiptare pasi, ata nuk mund të jenë në lista. Sipas tij, PD kërkon që t'i sigurohet votimi atyre që janë në lista zgjedhore dhe kanë dokument identifikimi të vendit ku jetojnë.

 ‘Këtu nuk është çështja për ata që se kanë shtetësinë shqiptare, sepse ai që se ka shtetësinë shqiptare nuk është në listat e zgjedhësve. Ne kemi raste të provuara sot që persona me shtetësi të lënë me dekret të presidentit të vendit i keni ende në listën e zgjedhësve në shkelje të ligjit.  Problemi është për ata që janë shtetas shqiptar që kanë një dokument të vlefshëm të vendit ku jetojnë dhe është më i vlefshëm se ai dokumenti shqiptar që i ka skaduar’, tha ai.

Ora 16:56
Hekurudha Tiranë-Durrës, Balla: Janë kryer 80% e punimeve, përfundojnë në verën e vitit 2026

'Rreth 80% e punimeve për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, kanë përfunduar', kështu është shprehur nga Kuvendi ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Ai tha se punimet pritet të përfundojnë në verën e vitit 2026.

‘Tirana dhe Durrësi janë dy qytete të mëdha dhe lidhja e tyre me hekurudhë është projekt i madh strategjik dhe një lidhje me rëndësi infrastrukturore që do ti bashkojë edhe më shumë këto qytete. U konsiderua e rëndësishme që pjesë e financimit nga Banka Europiane për Rindërtim të ishte edhe ndërtimi i godinave të reja të stacioneve hekurudhore sepse vetëm godina e stacionit hekurudhor në Durrës mund të rikonstruktohet, kurse të tjerat duhet që të bëhen të reja. Ju dhe bankën euoripane për rindërtim dhe zhvillim e shpallët grup kriminal, po ju keni qenë në qeveri vet dhe keni punuar më këtë bankë. Sa i takon punimeve ne kemi kryer mbi 80 për qind të punimeve dhe në verën e 2026, do vini me tren në Tiranë’, tha ai.

Ora 16:52
"Ju ka zënë tartakuti, keni frikë" - Ulsi Manja "përplaset" me Flamur Nokën në Kuvend: Je fosile politike (VIDEO)

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka nga kuvendi teksa ka folur për votën e emigratëve u shpreh se PS do që të votojnë vetëm ata që janë në lista dhe jo edhe emigranët që skanë një dokument shqiptar identifikimi.

Ju keni tartakutin, ju doni që të votojnë vetëm ata që keni në listat tuaja dhe nuk doni që të votojë e gjithë diaspora.  Unë jam këtu për hallin e shqiptarëve. Me Kushtetutë çdo shqiptar duhet që të votojë. Çdo shtetas duhet që të votojë sa kohë e ka emrin në gjendjen civile dhe shteti duhet që ti krijoi kushtet për të votuar. Por ju doni që të votojnë vetëm ata që keni në listat tuaja dhe nuk doni që të votojë e gjithë diaspora. Ju i mohoni të drejtën e votës, keni frikë. Ju brenda s’ju duan dhe jashtë ju refuzojnë’, tha ai.

Me tone të ashpra i është përgjigjur ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e quajti Nokën një fosile.  

‘Që të jesh shtetas shqiptar ke të drejta dhe detyrime, për të ushtruar të drejtën e votës kodi ka duhet përcaktuar pasaport biometrike ose kartë ID të vlefshme. Ju thoni që ti jepet e drejta e votës edhe nëse kanë një dokument të vendit ku jetojnë. Po mirë me dokument shqiptar mund të votojnë një shtetas shqiptar në botë, jo, sepse nuk ja lejon. Po kemi rënë dakord kush ka një dokument identifikimi shqiptar që i ka skaduar përgjigjia jonë ka qenë po që mund të votojë. Ju e bllokoni sepse ju se keni dashur kurrë votën e diasporës. Lëre more dorën ti, je një fosile politike’, tha ai.

Fjalës së Manjës, Noka iu përgjigj nga vendi, por mikrofoni i tij ishte i fikur. 
Mikrofoni iu fik dhe Manjës. 

Ora 16:26
'Ligjin për votën e Diasporës e solla unë në 2013', Berisha: Rama e kundërshtoi! PS nuk lejon njohjen e letërnjoftimit të përbashkët, që e njeh dhe BE-ja

 

Sali Berisha replikoi me ministrin Taulant Balla në seancën e sotme në parlament teksa po flisnin për votën e Diasporës. Berisha akuzoi maazhorancën se nuk regjistron për të votuar ata që nuk kanë një pasaportë shqiptare, duke thënë se shtetësinë shqiptare atyre ua njeh Kushtetuta dhe ua mohon PS-ja.

'Në vitin 2008 kur është bërë Kodi, nuk ka patur vendim të GJK, asnjë ligj në kodin zgjedhor, që i njihte të drejtën shqiptarëve jashtë për të votuar në vendet ku jetojnë. Mos të bëjmë spekulime banale. Kur solla ligjin për votën e diasporës, në 2013 Rama më kërcënoi se nuk do merrte pjesë në zgjedhje nëse votonim ligjin. Më në fund vendimi i Gjykatës Kushtetuese imponoi dhe palët vendosën ta votojnë.

Nuk ka gjë më absurde se të vësh në dyshim shtetësinë shqiptare një shqiptari pasi sipas jush nuk disponon një pasaportë shqiptar. Shtetësia garantohet me kushtetutë dhe nuk mund të hiqet. Urdhëroni, nëse s’keni frikë nga vota e shqiptarëve. BE ka letër njoftim të përbashkët dhe njeh letërnjoftimin kurse Shqipëria nuk njeh letërnjoftimin. Kërkoj që secili të pyetet të japë përgjigje. Të thotë Ervin Hoxha është shkarkuar apo jo, të thotë Ulusiu ka kërkuar Louis Vuitton përveç parave.'

Ora 16:19
Balla ironi me Mziun: Xhelal, iku koha jote kur certifikatat bliheshin! Deputeti i PD-së: E-Albania nuk punon në Shqipëri, jo më jashtë vendit

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka hedhur poshtë pretendimet e PD-së dhe Berishës për votën e diasporës. Sa i përket mosregjistrimit të atyre që nuk kanë një pasaportë shqiptare, Balla thotë se kjo është një praktikë që ndiqet kudo.

Më pas bëri dhe ironi me deputetin Xhelal Mziu, pasi sipas Ballës certifikatat nuk blihen më si në kohën e Mziut por merren në e-albania. 

'Mjaftojnë 2 dokumenta për tu regjistruar, i pari është ID ose pasaportë edhe nëse është e skaduar. Tjetra është një dokument që të vërtetojë adresën. Një dokument japin për adresën dhe kur plotësojnë adresën japin dokument tjetër. mos u gënjeni nga njëri që ka 30 vjet që gënjen. Është e paligjshme të regjistrohesh me një dokument të një vendi tjetër. Nuk e bën asnjë vend. KQZ ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ka qenë shumë liberal në këtë pjesë. Ka lehtësuar mundësinë e regjistrimit të pjesës tjetër të familjes. Ju vetëm lëmsh bëni.

Çdo qytetar shqiptar që kontratën e qerasë e ka në emër të kryefamiljarit, mjafton të bashka ngjisi certifikatën familjare. Xhelal ka mbaru  koha kur ishe ti ku certifikata blihej me lekë. Për ju nuk punon asnjë gjë. Ne e-Albania certifikata familjare merret në çdo moment. Ju jeni kundër votës së diasporës. Doni të bllokoni dy elementë kryesorë. Nuk ka asnjë alibi që ju rezultatin e 11 majit do e keni humbjen më të thellë që as ajo e 1997 nuk do ju duket aq e thellë. Frika ju ka karakterizuar kaq vite. Keni frikë që Celibashi do ju vjedhi, bujrum ti numërojnë çdo përfaqësues partiakë.'

Nuk ka munguar dhe përgjigja e Mziut i cili thotë se e-albania nuk punon në Shqipëri, e jo më jashtë vendit.

'Ka mijëra që nuk kanë një dokument. Edhe kur kanë një dokument shqiptar nuk regjistrohen dot. E-Albania nuk funksionon në Shqipëri jo më jashtë Shqipërisë.'

Ora 15:54
Balla: Vota juaj kundër ‘Paketës së maleve’ është gafë, Diaspora e mirëpret, jeni kundër zhvillimit! Ç’keni me trenat ju, njëri premtoi tramvajin dikur (ironizon dhe Bashën)

Projekti i rehabilitimit Tiranë-Durrës dhe për linjën e aeroportit të Tiranës ishte një nga temat e rendit të ditës në Parlament.

Fjalën për mazhorancën e mbajti ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili akuzoi opozitën se është kundër zhvillimit dhe teknologjisë.

Ai kundërshtoi opozitën për pretendimet se po kalohen ligje me motive elektorale, duke thënë se Parlamenti duhet të jetë në punë, pavarësisht zgjedhjeve.

“Nuk kemi kohë për të humbur. Po çojmë përpara vizionin tonë Shqipëria 2030. Edhe pse jemi në prag fushate eketorale puna jonë këtu në Parlament është të vazhdojmë punën, për të qeverisur, për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për qytetarët tanë, përfshi edhe nismën e Paketës së Maleve. Kundërshtia juaj për paketën e maleve është minimalisht një gafë. Paketa e maleve është mirëpritur nga diaspora. Shumë prej tyre janë gati ta shftrytëzojnë pronën e familjes për t’u rikthyer me vendin e tyre. Pse jeni kundër ju? Paketa e Maleve është mirëpritur nga vëllezërit tanë në Diasporë, sepse pronat e familjes së tyre ta shfrytëzojnë në Shqipëri. Tani pse ju jeni kundër. Po ju ka lënë Luli mbrapsht, do jenë 500 jo 100 leje. Do jenë edhe 5 mijë”, tha Balla për projektligjin e qeverisë që zhvillon turizmin malor. 

Pika e dytë ishte çështja e marrëveshjeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe ajo e Rinasit për në aeroport. Edhe këtu Balla sulmoi PD-në, se pengon investimet dhe zhvillimin e vendit.

“Ka shqiptarë që duan të shkojnë me tren në Durrës dhe jo me autobus. Erdhi njëri këtu dikur dhe e anuloi se s’i pëlqen treni. Treni do bëhet dhe do jetë i standardeve europiane. Nuk do shkoni më me Benz në Rinas, por me tren. Çfarë probleme keni me trenin ju? Jeni parti që do mbaheni mend kundër zhvillimit dhe teknologjisë dhe që s’e mori vesh asnjëherë populli. Mbështesim projektin e hekurudhës dhe fondin për të me anë të partnerit serioz të BERZH-it. Ju votën do ta jepni sepse nuk jeni të gjithë kundër zhvillimit, se edhe ju do hipni në trenin që do realizohet fal kësaj marrëveshjeje. Se ishte njëri dikur që premtoi tramvajin. Vitin e ardhshëm do kemi gati godinat dhe elektrifikimin e një pjese të hekururdhave. Deri tani janë realizuar 80% të punimeve dhe konsiston në 34 km linje hekurudhore Durrës-Tiranë. Do mundesohet dhe ndërtimi i 12 godinave për stacionet hekurudhore. Ju nuk i doni trenat, ju mbani trenat tuaj, ne do vazhdojmë drejt rrugës Shqipëria 2030”, përfundoi ai duke ironizuar ish-kreun e PD-së dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Ora 15:49
Kuvendi, 1 minutë heshtje për Kryepeshkopin Anastas! Flutura Açka i kërkon Spiropalit: Nderoni dhe Fan Nolin

Deputetët e Kuvendit mbajtën sot një minutë heshtje në nisje të seancës së sotme plenare.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali kujtoi sot në nisje të seancës plenare Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Spiropali u shpreh se, “Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos u nda nga jeta. Nuk do e kemi më mes nesh atë që me vizionin, erudiconin, dijet, vullnetin dhe vendosmërinë e tij në kushte të mungesave e vështirësive, gjatë më tepër se 3 dekadave ringjalli, ringriti dhe rindërtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Më pas ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje.

“Sot në Tiranë u krye shërbesa e përcjelljes së Kryepeshkopit. Duke i shprehur në emër të Kuvendit të  Shqipërisë ngushëllimet Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe besimtarëve ortodoksë për këtë humbje të madhe dhe në shenjë nderimi e mirënjohjeje për trashëgiminë e kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Fortlumturisë së tij Anastas ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje”, tha Spiropali.

Ndërkohë deputetja Flutura Açka I kërkoi Kuvendit një minutë heshtje dhe për Fan Nolin.

Të bëjmë një minutë heshtje dhe për Fan Nolin. Me Fan Nolin ju respektoni dhe hirësinë, dhe diplomatin, mjeshtrin e fjalës e nuk ka një të dytë për të nderuar këtë figurë

Ndërkohë shprehu shqetësimin se për ndërprerjen dhe thirrje e parlamentit pa një kriter të arsyeshëm.

“Nuk mund të ndërpritet kohë e pa kohë. Nuk më duket normale që parlamenti të ndërpritet për një arsye si e sotmja. Këtë e keni bërë me 10 dhjetor 2024, e zhvendosët  parlamentin për shkak të vizitës së Erdoganit. Parlamenti nuk është garderobë e xhamisë, as hangar i rekuizitave të mitingjeve të kryeministrit tuaj e keni bër disa herë”

Në përgjigje Spiropali tha se do e marrë parasysh kërkesën e saj. 

Ora 15:47
Vota e diasporës, Berisha: Rama po saboton votën e emigrantëve, i vetmi vend që s' njihni dokumentet biometrike të vendeve të BE dhe NATO-s

Kreu i PD Sali Berisha, teksa ka folur për votën e diasporës në Kuvend, u shpreh se emigrantëve që u ka skaduar dokumenti i identifikimit nuk po lejohen që të votojnë edhe pse kanë atë të vendit ku jetojnë.

Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend që nuk njeh dokumentet biometrike të vendeve të BE dhe NATO-s.

‘Kreu i narkoshtetit po bënë gjithçka për të sabotuar të drejtën e shqiptarëve jashtë vendit për votim, po kushtëzon votimin e qytetarëve me shtetësi shqiptare, shqiptar ata i bënë shtetësia pavarsisht dokumentit që kanë marr në vendin ku jetojnë. Ky është standardi i atij që ka frikë nga vota e shqiptarëve, nuk ka akt më absurd se ti thuash mbi 1 mln shqiptarëve që s’kanë dokumente biometrike të lëshuara në Shqipëri, por kanë dokumente të vendit ku jetojnë që nuk mund të votojnë. Jeni i vetmi vend që nuk njihni dokumentet biometrike as të vendeve të BE dhe as të NATO-s, keni frikë dhe tmerr nga vota e tyre. U bëjë thirrje shqiptarëve të përgatiten për protesta para ambasadave të narkoshtetit’, tha ai.

Ora 15:43
'Kemi detyrim të zgjasim mandatet e prokurorëve të SPAK', Alibeaj: Është kërkesë e 75% e publikut shqiptar

Deputeti opozitar Enkelejd Alibeaj mbajti fjalën e tij sot në parlament ku i bëri thirrje deputetëve të votojnë pro zgjatjes së mandatit për prokurorët e SPAK. Alibeaj komentoi edhe lajmin për ndërprerjen e fondeve amerikane për vendet e huaja përfshirë dhe Shqipërinë dhe institucionin e SPAK.

'Përshëndes dhe deklaratën e SPAK sot, se do vazhdoj veprimtarinë e vet. Paguhen nga ky shtet dhe taksat e shqiptarëve dhe kanë detyrimin ta çojnë punën deri në fund.

E fundit për përdorimin e telefonave të kriptuar, duhet bërë. Keni depozituar kërkesën për heqjen e imunitetit duhen bërë bashkë. Një kërkesë që qëndron mbi kokën e çdo deputetit, zgjatja e mandatit të prokurorëve të SPAK. Është një kërkesë e 75% e publikut shqiptar që mbështet SPAK që ky parlament të marrë një qëndrim për zgjatjen e mandatit të prokurorëve. Detyrimi është për ta bërë tani. Heshtja demaskon këdo dhe ky është momenti për ta bërë', tha Alibeaj.

Ora 15:30
Deputetë me encrochat/ Berisha në Kuvend: Të ngrihet komisioni i së vërtetës! Rama e Gjiknuri kanë pasur 2 ose 3 llogari

Kryetari i Partisë Demokratike kërkon ngritjen e komisionit hetimor të së vërtetës, një propozim nga deputeti i PD-së Dash Sula. Nëse nuk do ngrihet Berisha tha se do të jetë PD që do të bëjë transparencë.

“Nuk është TikTok rrugaçi që thotë Ajtullahu I Tiranës por Encrochati, krimineli vrasësi. Të krijohet komisioni i së vërtetës. Të zbulohen lidhjet e politikës me krimin është kusht i domosdoshëm.
Ka pasur me 2 –3 encrochate. Damian se po flas unë. Ke pasur dhe ti. Betohu se nuk ke pasur. Mos u fsheh.  Kryeministri juaj ka pasur 2 ose 3 të tillë. Nëse nuk pranoni komisionin e së vërtetës do i publikojmë një nga një' tha Berisha. 

Ora 15:26
Sula: Pse nuk fusni në Kuvend kërkesën time për telefonat SKY ECC të deputetëve, ministrave dhe politikanëve tuaj...? Spiropali: U rrëzua te Mandatet

Deputeti demokrat Dashnor Sula akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali se po zvarrit kërkesën e tij dhe të partisë për projektvendimin për vetëdeklarimin nga politikanët, deputetët, ministrat e mazhorancës përdorin SKY ECC dhe telefona me platformë të koduar.

“Kush ka përdorur nga deputetët e Parlamentit SKY ECC. Kam bërë kërkesë në emër të PD për projektvendimin për vetëdeklarimin e deputetëve nëse përdorin telefona me SKY ECC, është dorëzuar që në nëntor 2024 dhe ende nuk është futur në kalendar. Merrni masa dhe respektoni. Keni sjellje arrogante edhe ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana juaj, nuk i sillni dhe i grisni dhe sorollasni. Zonja kryetare pse nuk sillni këtu të dimë se kush deputet apo politikan e ministër ka përdorur SKY ECC, cili prej tyre ka folur dhe komunikuar me bandat kriminale, për qëllime zgjedhore apo kriminale”, tha Sula.

Ai hodhi dyshime se deputetët dhe ministrat e mazhorancës kanë pasur telefona të koduar dhe duan që të mos hetohen apo publikohen këto të vërteta nëpërmjet një Komisioni.

“Çdo deputet nuk ka pse të ketë frikë se numri është publik. Për çfarë i duhet politikanit, ministrit, politikanit, kryetarit të bashkisë tuaj të mbajë telefona të koduar. Ju kërkoj ta fusni një sahat e më parë këtë kërkesë në seancë plenare, sa më shpejt kjo nismë të jetë në Kuvend. Të bëhet transparencë”, përfundoi Sula.

Kryeparlamentarja Spiropali iu përgjigj se kërkesa ishte shqyrtuar dhe rrëzuar në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.

“Kjo nismë është diskutuar në Këshillin e Rregullores dhe Mandatit të Deputetit, nuk ka kaluar por është vendosur të ngrihet një Këshill për vlerësimin e kësaj kërkese tuaj”, tha ajo.

Ora 15:19
Përmbytjet në Durrës, Andia Ulliri: S’mund t’ia vini fajin shiut, përgjegjësia e qeverisë dhe drejtueses së bashkisë

Deputetja e PD Andia Ulliri, në seancën e sotme në Kuvend ka ngritur shqetësimin për përmbytjet, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditën e djeshme (29 janar) në qytetin e Durrësit.

Ajo bëri përgjegjëse qeverinë dhe drejtuesen e bashkisë së Durrësit.

‘Bashkia çdo investim që ka bërë ka qenë një investim fantazëm dhe paratë po përfundojnë në xhepat e zyrtarëve tuaj dhe asnjë investim real. Përmbytjet në Durrës, nuk mund të justifikoheni nga kushtet atmosferike, nuk mund t’ia vini fajin shiut. Është përgjegjësia e qeverisë socialiste dhe drejtueses së bashkisë së Durrësit. Janë 400 familje dhe më shumë që janë përmbytur. Kjo është paturpësia juaj që qeverisni atë bashki. Ministrat e qeverisë duhet që të mbajnë përgjegjësi, e vërteta janë ato pamjet, janë 400 familjet e përmbytua dhe ju keni dështuar në qeverisjen e këtij vendi, qytetarët e Durrësit dhe të atij qarku do të ju japin juve përgjigjen që meritoni’, tha ajo.

Ora 15:12
Zhupa akuza PS: Keni futur në kalendar projektligje për qëllime elektorale, 100 grante për ‘Rilindjen e maleve’! Falsifikuat data, po shkelni Kodin! Peleshi: Ligjet për të gjithë shqiptarët

Deputetja Ina Zhupa mori fjalën për opozitën në nisje të seancës për diskutimet e mbajtura në lidhje me mosdakordësinë e PD në Konferencën e Kryetarëve.

Shkak ishte kalendari dhe futja në rend ditë e investimeve stragtegjike, Paketës së Maleve dhe çështjeve të tjera, që ligjvënësja opozitare i quajti klienteliste dhe me qëllime elektorale.

“Po fusni në kalendar dhe projekt-program projektligje për qëllime elektorale. Po fusni projektligje e ligje për oligarkë dhe qëllime elektorale, për 100 grante elektorale si në rastin paketa e maleve, për Partinë Socialiste. Paketën e maleve e keni futur pa datë, kishit parashikuar një datë boshe 10 janar, por keni shkelur kodin zgjedhor, sepse keni falsifikuar datën dhe po e kaloni 4 muaj para zgjedhjeve. Po bëni aset elektoral, po kthehen deputetët për votën e PS-së. 100 grante parashikon paketa e maleve, që parashikon PS sepse do jetë në funksion të saj dhe mund ta quajmë “Rilindja e Maleve”, tha Zhupa.

Në fund ajo theksoi se PS dhe mazhoranca duhet të sillte ligje për qytetarët dhe përmbytjet, jo për qëllime elektorale.

“Ju nuk fusni ligje për mbrojtjen e qytetarëve, ligje për rastet e përmbytjeve, siç po ndodh edhe në Durrës. Për këto dhe të tjera u shprehëm kundër kalendarit në Konferencën e Kryetarëve. Na sillni shkresën e KQZ që ju lejon juve t’i fusni këto projektligje në kalendar për seancë. Në të kundërt janë ligje elektorale”, përfundoi Zhupa.

Kreu i grupit PS-së Niko Peleshi, i është përgjigjur deputetes së PD Ina Zhupa. Ai tha se parlamenti nuk bën ligje vetëm për një pjesë të qytetarëve, por për gjithë shqiptarërt.

‘Ky aludimi është për të përhapur një tymnajë, për ta dëgjuar ata nuk ka ligj që futet befas në seancë dhe miratohen ligjet kalon në komisione shqyrtohen, nëse deputetët do të vërejnë ndonjë element që bien ndesh më kodin zgjedhore do të mbahet qëndrimi në komisioni, paketa e maleve nuk synon të shpërndajë grante si u tha këtu për fermerët apo për socialistët e zonave malore, por u shërben të gjithëve dhe hap një hapësirë të re, është aty për tu vënë në zbatim para ose pas zgjedhje, nuk është për partinë por për Shqipërinë’, tha ai.

A.Q/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 31/01/2025 04:48

    Fjalimi i Agron Shehaj ishte me i miri e godiste ne shenje,por do te doja emra e fakte.Kush pagoi?-Jep emrin! I pagoi faturat Rames,jep fotokopje te fatures e pageses! Morri leje per kulla e hotel,cilat,ku ekzaktesisht,jep fakte zoteri!

    Përgjigju
  • Tani: 30/01/2025 20:25

    Jeni kthyer ne mazhorance fashiste

    Përgjigju
  • tini: 30/01/2025 17:20

    ketu berisha ka tee drejte,,te lejohet votimi me dokumentet e BE...

    Përgjigju
    • Ai: 31/01/2025 08:15

      Jo vetem pepinot po "jorgot"ku ti lejm ti fusim adhe ato se jon gjynof komshi esapi

    • Delinquenti: 30/01/2025 21:04

      Po simas teje te fusim edhe gjysmen e "pepinove" te votojn dhe pa frik do te dalin nje 10 miljon shqiptar gjith e gjith.....

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?