Politikë

KAS rrëzon kërkesën e PD për pavlefshmëri zgjedhjesh në Shkodër e Durrës! Pranon të LSI për hapjen e 108 kutive në Durrës, i duhen 136 vota për t'i marrë mandatin PS-së

25 Maj 2021, 10:10| Përditesimi: 25 Maj 2021, 20:24

  • Share

TIRANË- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka rrëzuar kërkesën ankimore të PD dhe LSI për pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Durrësit dhe të Shkodrës. Megjithatë KAS ka pranuar kërkesën e LSI për rinumërimin e 108 kutive të votimit për qarkun e Durrësit. Duke nisur nga ora 10:00 e ditës së nesërme do të nisë procesi i rinumërimit për 108 kuti të këtij qarku. Për të marrë mandatin që pretendon në Durrës, LSI i duhen 136 vota shtesë nga rinumërimi.

Vendimi për rinumërim u mirëprit nga përfaqësuesi i PS në KAS, Eridjan Salianji, i cili tha se janë të bindur që mandati i tetë i PS në Durrës është legjitim dhe rezultati nuk do të ndryshojë. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve hodhi poshtë dje edhe kërkesat për marrjen e provave shtesë për të dyja qarqet, Shkodër dhe Durrës.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar sot edhe kërkesën e Partisë Demokratike për provat shtesë për Qarkun Tiranë. Gjithashtu është rrëzuar kërkesa e kandidatit të pavarur Bojken Abazi, për të marrë kamerat e Qendrave të Votimit në shkollën Arben Broci në Tiranë. 

LSI ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS për rrëzikin e kërkesave për qarkun Gjirokastër dhe Vlorë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe PD për Gjirokastrën. Pas vendimit të marrë nga KAS e cila ka rrëzuar pretendimet e PD dhe LSI për Qarku e Gjirokastrës përfaqësuesit e këtyre dy forcave politike në KQZ kanë akuzuar se kjo është vendimmarrje politike. KAS vendosi të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie dhe përsëritje të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.

Megjithatë në Berat u pranua kërkesa për rinumërimin e votave të partive zgjedhore për 114 kuti me kërkesë të LSI dhe ajo që u vu re ishte se nga rreth 35 mijë fletë votimi të numëruara për herë të dytë bë Berat, LSI ka rikuperuar gjithsej me 15 vota, nga 77 që i duheshin për t'i marrë mandatin Partisë Socialiste. Rikuperimi prej 15 votash nga dhjetëra mijëra vota të numëruara tregon se proporcioni është totalisht i papërfillshëm. 

Ora 20:14
KAS i rrëzoi kërkesat ankimore për Tiranën, Durrësin e Shkodrën, përfaqësuesi i PD: Vendimet e komisionit, zbatim i urdhrave politike që i vinin me mesazhe

Për përfaqësuesin e PD në KAS, Marash Logun, vendimet e këtij Komisioni që rrëzoi kërkesat ankimore të kësaj partie për Tiranën, Durrësin e Shkodrën, janë vendime politike me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Në një reagim nga KQZ, Logu tha se PD kishte dorëzuar një sërë provash që faktonin shkelje të rënda para dhe gjatë zgjedhjeve, duke akuzuar KAS se nuk zbatoi ligjin.

"Nga PD janë vendosur në dispozicion të KAS materiale voluminoze për këto qarqe dhe prova të shumta q faktonin shkelje të rënd atë ligjit. Duke patur parasysh numrin e madh të shkeljeve, provave që ne i vumë në dispozicion KAS, pritëm që ky komision të zbatonte ligjin dhe të shmangte zbatimin  urdhrave politike që i vijnë në telefonat e tyre përpara vendimeve të rëndësishme. Lidhur me qarkun e Tiranës, sikurse dhe për Durrësin dhe Shkodrën, kërkesat tona për prova shtesë u rrëzuan. Ne kemi paraqitur fakte se si votat u blenë nga drejtues të lartë të PS në bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar. Në Durrës ishin ngritur struktura për blerje votash, edhe në Shkodër po ashtu. Është fakt i provuar se burimet shtetëror enë Shkodër, Durrës e Tiranë u përdorën masivisht në shërbim të PS. Ne do t'i shkojmë këtij procesi deri në fund", tha ai.

KAS rrëzoi sot kërkesën e PD për pavlefshmëri në Durrës e Shkodër dhe për prova shtesë në Tiranë.

 

Ora 19:52
KAS vendos rrëzimin e kërkesës së PD-AN për pavlefshmëri zgjedhjesh në qarkun e Shkodrës

KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të PD për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Shkodër.

Ora 18:55
KAS pranon kërkesën e LSI për rinumërim të 108 kutive të votimit në Durrës, diferenca me 136 vota! PS: Mandati ynë legjitim, zero mundësi të ndryshojë rezultati

KAS pranon kërkesën e LSI për rinumërim votash në 30 qendra votimi në Durrës. Numërimi do të bëhet nesër në orën 9. Do të rinumërohen votat në 108 kuti votimi në këtë qark. Mandati i LSI varet nga 136 vota, të cilat duhet ti marrë nga rinumërimi i votave.

Diskutime në KAS:

Kaziaj përfaqësuesi i LSI: Kemi bërë kërkesë për Qarkun e Durrësit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhësve. Kërkojmë ashtu si një kërkesë analoge për Qarkun e Beratit dhe ju e keni marrë në konsideratë ato që ishin provat tona, kërkojmë rinumërim të Qarkut të Durrësit. Ju e keni të disponueshme pranë jush kërkesën ankimore, përbëhet nga 8 fletë. kemi elementë të mjaftueshëm për vendimmarrje objektive. Janë rreth 300 qendra votimi. Nga materiali përfundimtar nga këqyrja e këtyre fletëve votimi, kemi përpara jush fletë votimi të pavlefshme dhe që janë vënë te zarfi i fletës së votimit që është në qeveri për momentin.

Totali i qendrave të votimit është 108 kuti të këqyrja nga pamjet filmike. Për aq sa na lejohet nga pamjet filmike, për shkak se numëruesit vinin dorën e vet përpara asaj që ka qenë vullneti i qytetarit, për një nga subjektet. Nga kjo tabelë, më konkretisht, subjekti politik PS, ka një numër rreth 204 votash më tepër se rezultati i pasqyruar në tabelën përmbledhëse të Qarkut të Durrësit. LSI, të paktën nga pamjet e këqyra nga ana jonë, që japin dhe indicie të mjaftueshme, LSI ka një disavantazh të vogël rreth 136 vota, që në fund të fundit janë shumë pak në një qark të madh siç është ai i Durrësit. Një afat kohor shumë të shkurtër dhe për faktin që askujt nuk i vlen një vonese të tepërt dhe të kotë të procesit, në faqen shtatë kam kërkuar që ky organ kolegjial, veç provave të mbledhura nga ana jonë, të marri parasysh edhe procesverbalet e KQZ, pamjet filmike dhe çdo dokument që i shërben një hetimi të thelluar administrativ. Kjo do të sillte një transparencë nëse do të procedoni dhe do të bëni hapjen e këtyre kutive. Duam një vendimmarrje objektive nga ana juaj.

Relatori i KAS Bele: Ne i dëgjuam vërejtjet tuaja. Di të them për pjesën e personave të tjerë, një vendim eventual për të filluar procesin e numërimit në këtë sallë, kutitë do të jenë të identifikuara nga ju sepse i vlejnë procesit. Personat që do të hynë do të jenë të identifikueshëm.

Eridian Salianji, përfaqësuesi i PS: Është i qartë në Kodin Zgjedhor si kryet procesi i numërimit. Ankuesi, tha që ky proces i shërben transparencës. Jemi dakord me këtë pjesë, mandati i tetë i PS është legjitim, i votuar nga zgjedhësit e Qarkut të Durrësit. Janë zero shanset për të ndryshuar rezultatin. Jemi dakord me këtë pjesë, shpresoj ta pranoni këtë kërkesë të ankuesve. Sepse për ne është e rëndësishme procesi zgjedhor, shumë e rëndësishme. Numërimi ka qenë transparent në Qarkun e Durrësit.

Ora 18:33
KAS rrëzon kërkesën e PD për pavlefshmëri zgjedhjesh në Durrës

KAS ka rrëzuar kërkesën e PD për pavlefshmëri zgjedhjesh në Durrës. Ndërkohë vijon me shqyrtimin e kërkesës së LSI po për këtë qark.

“Rrëzimin e kërkesës ankimore numër 37 të PD. Ky vendim është i ndërmjetëm dhe do të jetë pjesë e vendimit përfundimtar të KAS. Mund të bëhet ankim në Kolegj Zgjedhor”, thotë anëtari i KAS.

Ora 18:21
Debate gjatë mbledhjes/ KAS s’pranon prova të reja për Durrësin, tërhiqet të marrë vendim për kërkesën për pavlefshmëri zgjedhjesh

KAS nuk ka pranuar kërkesën e PD-së për prova të reja sa i përket qarkut të Durrësit. KAS, dëgjoi me vëmendje të gjitha pretendimet e ngritura nga PD dhe LSI, por vendosi që të mos marrë prova shtesë. Kësisoj KAS është tërhequr për të marrë vendim për kërkesën për të shpallur zgjedhjet të pavlefshme.

“Me shumicë vendos të konfirmojë të njëjtin qëndrim se KAS nuk pranon që të drejtohet institucioneve për 19 kërkesat për prova të kërkuara nga PD dhe ky është një vendim i ndërmjetëm që duhet të arsyetohet bashkë me vendimin përfundimtar. Kërkesa për pavlefshmëri, kas do tërhiqet për vendim për një vendim të ndërmjetëm”, tha ai.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PD-së në KAS, Marash Logu shprehet se 34 persona mund të kenë votuar 71 herë sipas të dhënave PEI në këtë qark.

“4 persona me të njëjtin mjet identifikimi kanë votuar në 8 qendra votimi të ndryshme, 34 persona janë përdorur për identifikimin e 71 zgjedhësve. 34 persona mund të kenë votuar 71 herë, është një provë që kemi pasur mundësi ta diskutojmë edhe me qarqet e tjera, të dhënat do të përdoren nga ana jonë, po ajo që ka rëndësi është informacioni që na është dhënë në dispozicion. Pyetja ime është që a është kryer verifikimi nëse ka pasur ndërprerje dhe ka vijuar me votim manual”, tha Logu.

Relatori i KAS, Koli Bele është shprehur se në Durrës ka pasur mosfunksionim të pajisjes PEI në 28 raste.

“Nga një verifikim i bërë na rezulton që në Durrës ka pasur mosfunksionim të pajisjes PEI në 28 raste”, tha Bele.

Ora 17:37
Mblidhet KAS, shqyrton kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve për Durrësin dhe Shkodrën

Mblidhet sërish KAQ dhe po shqyrton kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve për Durrësin dhe Shkodrën.  Dje KAS hodhi poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për marrjen e provave shtesë për Durrësin dhe Shkodrën. LSI kërkoi pavlefshmëri zgjedhjesh dhe rinumërim votash në 30 qendra votimi në Durrës, kurse për Shkodrën nuk kishte bërë asnjë kërkesë ankimore. Nga ana tjetër PD ka kërkuar pavlefshmëri zgjedhjesh në Shkodër dhe Durrës.

Ora 11:45
Ankimet për Tiranën në KAS, Boiken Abazi: Mandati im është vjedhur

1621935983_Screenshot5.jpg

Në mbledhjen  e KAS sot, ku po diskutohen ankimet për Qarkun Tiranë, Boiken Abazi, kandidat i pavarur, i propozuar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është shprehur se mandati i tij është vjedhur.

"Ne kemi dorëzuar një fotografi, e cila është fletë votimi ku është votuar numri 13. Kjo fletë votimi është gjetur nga një maturante në shkollën 'Arben Broci' në Tiranë dhe si fotografi ka qarkulluar në rrjetet sociale. Maturantja duket se e ka gjetur mëngjesin e datës 26 prill dhe kjo na jep dyshimin e bazuar që kutitë e votimit mund të jenë hapur para se të shkojnë në vendet e numërimit. Nuk kemi asnjë shpjegim tjetër për këtë.

Nga kamerat 360 gradë ne kemi evidentuar nga grupet e numërimit dëmtim të fletëve të votimit me dashje.  

E kam të dëshmuar si kandidat që u pengova si kandidat në Qendrat e Votimit. Dëshmi të forta të asaj që ndodhi, vërtetohet nga raporte si ai i KRIK, OSBE-ODIHR dhe besoj se ju e keni parë që dyndja ka degraduar në dhunë në shkollën 1 maji. Dhe në KZAZ 30 dhe në KZAZ 43. Sërish ne kemi dëshmuar me dëshmi me shkrim nga vëzhguesit tanë shkeljet. Udhëzimet e nxjerra nga KQZ etj. Ne kemi marrë pamjet nga KQZ.”-tha ndër të tjera në fjalën e tij Boiken Abazi.  

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?