Politikë

11 maji ‘trazon’ Kuvendin, PD kërkon debat: Vodhët zgjedhjet! PS: Rinumërimi për të shtyrë kohën, s’iu del asgjë! Opozita ‘braktis’ votimin

16 Qershor, 07:13| Përditesimi: 16 Qershor, 20:10

  • Share

TIRANË- Më shumë se 1 muaj nga zgjedhjet, në sallën e Kuvendit asnjë seancë plenare nuk i shpëton dot debate për 11 majin. Rinumërimi që opozita ka kërkuar për 4 qarqe të vendit, Taulant Balla është i bindur se do të jetë një dështim për të provuar farsën elektorale të pretenduar nga demokratët.

“Vini këtu e kërkoni debat për zgjedhjet, për çfarë? U bënë më 11 maj, rezultati më i qartë se asnjëherë tjetër. Debati për zgjedhjet në momentin në fjalë po e bëjnë institucionet që duhet të diskutojnë zgjedhjet, sepse e dini fare mirë, se nga ky rinumërim nuk del asgjë përsa i përket rezultatit të përgjithshëm. Jeni futur në rinumërim vetëm për të shtyrë kohën”

Zgjedhjet pa standarde, për Jorida Tabakun deputeten e rizgjedhur të PD-së janë problemi dhe pengesa kryesore për integrimit evropian.

“Në shtator të nisim me një rezolutë, ku elementi i parë duhet të jenë zgjedhjet. Jo vetëm denoncimi por ngritja e shqetësimit të zgjedhjeve si një shqetësim që sot pengon rrugën evropiane.”-tha Tabaku.

“Përsa i përket imazhit të Shqipërisë, çështjes së integrimit, thirrja ime është hiqni dorë nga ai turp i madh, se do vazhdoni të zhyteni edhe më shumë. Garë e paepur e opozitës për ta nxirë Shqipërinë sa më shumë.”- tha Balla.

"skush nga koleg nuk besoj se është ndjerë mirë kur në PE kryetari i delegacionit që monitoron zgjedhjet, lexoi një raport që ia nxinte faqen Shqipërisë nuk ia nxin opozita faqen Shqipërisë, por raporti për zgjedhjet duke nisu nga përfshirja e krimit, burimet shtetërore, vendimet e qeverisë në influencën të votës. Ishin trupi më i madh. Ato janë çështje të mazhorancës, asnjë fjalë nuk tha opozita atje.", tha Tabaku. 

Një vizitë e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali në Odesa për një samit dhe mungesa e zv.kryeministres Belinda Balluku u bënë ‘molla e sherrit’ në seancën plenare të kësaj të enjtje, 16 qershor. I pari që nisi debatet ishte Gazment Bardhi i cili akuzoi kryeparlamentaren se nuk ishte në samitin “Evropa Juglindore-Ukrainë”, por duke bërë selfie në Greqi. Pas tij, demokratët në bllok hodhën të njëjtat akuza, duke thënë se ka marrë vend Kuvendin peng, duke shtyrë seancat në varësi të axhendës së saj.

"Do duhej që parlamenti mblidhej të enjten dhe na thatë që jeni vizitë zyrtare në Ukrainë. Në fakt ishit duke ngrenë drekë në Greqi. Kjo është një arrogancë e shtuar dhe tregues se si po e trajtoni kuvendin si pronë private”, tha Gazment Bardhi.

“Kur shkojnë me detyra kryetarët e Kuvendi, nuk mbyllet Kuvendi i asnjë vendi, prandaj janë nënkryetarët. Nuk është pronë e kryetarit, kjo sallë e Kuvendit”, tha Shehu.

“Turet tuaja turistike për të bërë selfie, atje zonjë s’mund të bllokojnë axhendën e kuvendit. Kuvendi edhe në mungesën tuaj kanë dy nënkryetarë”, tha Noka.

Spiropali sqaroi se seanca nuk u shty për shkak të axhendës së saj, por se shumë deputetë kishin aktivitete të tjera.

“E kuptoj shumë mirë që u mungojnë fotografitë e selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit, por ky nuk është problem. Nuk shkojmë për foto, shkojmë aty për të përfaqësuar Shqipërinë, atë ju e nxini ku të mundni në atë hapësira të vogla që u kanë mbetur ndërkombëtarisht”, tha Spiropali.

“U morët 30 minuta pse u shty seanca nga të enjten të hënën, ksi lloj hallesh paçi gjithmonë..na lini të vijojmë me prezantimin sepse s’kemi energji për të humbur kot”, tha Balla, ndërsa vijoi të prezantojë projektligji për performancën energjitike të ndërtesave në mungesë të ministres Belinda Balluku.

Edhe kjo pikë ngjalli debate, ku opozita kërkoi praninë e zv.kryeministres, sipas së cilëve duhej të ishte ajo që të prezantonte pr.ligjin.

Bardhi: Zonja ministre duhet këtu.

Spiropali: Zv/kryeministrja nuk është dhe nuk do të jetë, do vijojmë me diskutimet dhe procedurën...!

Bardhi: Në fakt zv/kryeministrja ndodhet në Fier, po falenderon grupet kriminale atje për zgjedhjet!

Pasi  mbaroi luftën me mazhorancën për vjedhje zgjedhjesh, demokratët ikën nga salla. Në seancë mungonin edhe shumë ministra, ndërsa kuorumin për të votuar projektligjin në rend ditë socialistëve ia plotësuan deputetët e PSD-së së Tom Doshit. Projektligji për performancën energjitike të ndërtesave u miratua me 72 vota pro dhe një kundër, pasi Dash Sula ishte i vetmi opozitar në sallë. 

Në Kuvend, mungoi kryeministri Edi Rama, si edhe Sali Berisha, i cili po ashtu nuk u paraqit as në SPAK për masën detyrim paraqitjeje me argumentin se është sëmurë.

Ora 20:09
‘Yzmeqari’ i Ballukut’, Gjekmarkaj ironizon duke propozuar Komisionin ‘estetik’: Të jepen çmimet Miss Oratoria dhe Miss Fjalimi, Toni Gogu kryetar jurie

 

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka folur ditën e sotme në seancën plenare gjatë diskutimeve për projektligjin mbi performancën energjetike të ndërtesave, të propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gjekmarkaj kërkoi që prezantimi të bëhej nga ministrja Belinda Balluku, por në mungesë të saj projektligji u paraqit nga ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. 

'Zoti Balla e ka kuptuar që nuk e justifikon dot rrogën si ministër për Parlamentin dhe ka dy seanca që është bërë yzmeqar pranë Ministrisë së Energjetikës'.-tha Gjekmarkaj.

Më tej, deputeti Gjekmarkaj u ndal edhe te ndërhyrjet e deputetëve të mazhorancës gjatë debatit parlamentar. Ai bëri një propozim të ‘çuditshëm’, ku tha se kërkon ngritjen e një ‘Komisioni estetik’ për të vlerësuar fjalimet e mbajtura në Kuvend, me qëllim përzgjedhjen e fjalimit më të mirë.

'Fjalimi i zotit Balla, fjalimi i zonjës Resuli, fjalimi i zonjës Antoneta dhe fjalimi i Dilo Nasufit meritojnë një komision estetik. Do të propozoja Pastorin, njeriun e Zotit, Toni Gogun. Të shpallet Miss Fjalimi ose Miss Oratoria. Fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit për higjienë mendore dhe shpirtërore në shenjë respekti për deputetët.'-tha Gjekmarkaj.

Ora 16:52
FOTOLAJM/ Me karton të kuq në dorë, Dash Sula i vetmi deputet opozitar në Kuvend, votoi kundër

Dash Sula, i vetmi deputet opozitar gjatë votimit

Një moment pikant nga votimi në Kuvend ditën e sotme ishte salla bosh në krahun e opozitës, e cila e braktosi në momentin që do votohej për projektligjin e performancës së energjisë në ndërtesa.

I vetmi që ishte prezent ka qenë deputeti demokrat Dash Sula. I ulur dhe me karton të kuq në dorë, ai shoqëroi momentin e votimit, duke e ngritur kartonin kundër projektligjit, teksa kolegët e tij të mazhorancës që arritën të bënin edhe kuorumin, edhe shumicën, e kaluan me 72 vota.

 

Ora 16:42
PSD e Tom Doshit shpëton mazhorancën, kalon me 72 vota projektligji për performancën e enegjisë në ndërtesa

1750084565_kuvendiishqiperise.jpg

Parlamenti kaloi me 72 vota pro projektligjin e dorëzuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe i paraqitur si nismëtar nga ministri Taulant Balla, për performancën energjitike në ndërtesa.

Pas debateve të forta që shoqëroi seanca gjatë ditës mes mazhorancës dhe opozitës, ku kryefjalë ishin zgjedhjet, u vu re mungesa e shumë deputetëve në sallë nga të dyja krahët.

Para votimit u mor një pushim 10 minuta, deri sa të mblidhej numri për kuorum dhe më pas me prezencë të 73 deputetëve u votua. Dash Sula ishte i vetmi nga opozita që mbeti në sallë dhe votoi kundër. Projektligji u kalua me shumicë të thjeshtë të thjeshtë votash.

Mazhoranca u shpëtua nga prezenca e deputetëve të PSD-së së Tom Doshit në sallë, me të cilët arritën edhe kuorumin dhe shumicën.

Nga ministrat e kabinetit qeveritar ishin të pranishëm Taulant Balla, Ulsi Manja, Ogerta Manastirliu dhe në fund u bashkua edhe Mirela Kumbaro. Në fund projektligji kaloi me 72 vota pro dhe 1 kundër.

Ora 16:18
Sula ironi në Kuvend: Përgatisni një ligj për parlamentarët pensionistë, kanë nevojë të rrinë me nipërit! PS-së i është mërzitur pushteti, por i ka ngelur në dorë

Deputeti Dashnor Sula, i cili s’do të jetë më pjesë e Kuvendit, me ironi iu sugjeroi ligjvënësve të zgjedhur më 11 maj që të propozojnë një ligj për parlamentarët pensionistë. Sipas Sulës, edhe ata kanë nevojë të rrinë me nipër e mbesa dhe jo të harxhojnë kohë në Kuvend. Një ironi e pati edhe kolegët socialistë për të cilët tha se ka dëgjuar se shkojnë dhe luten në Kishë të Laçit që situata në PD të vazhdojë e njëjtë. Sula shtoi se edhe Partisë Socialiste i është mërzitur pushteti, por s’ka kush ta marrë dhe i ka ngelur në dorë.

“Ne që s’do jemi më edhe mund të na dëgjojnë ndonjë Këshillë. Duhet të përgatisni një pr.ligj për parlamentarët pensionistë, që mos ta humbin kohën, që kanë nevojë të rrinë me nipër e mbesa dhe jo të jenë në kuvend dhe të konsumojnë energji më shumë se sa u takon. Si gur varri po na ngelin shumë njerëz të caktuar dhe po krijojnë probleme mjaft të mëdha në politikë. Balla tha një shprehje që më tërhoqi vëmendjen, që s’do ua kërkojmë dorëheqjen Berishën rrini të qetë. Po zoti Balla ti mirë e ke dhe je i lumtur. Kam dëgjuar që po shkoni në Kishë të Laçit dhe të luteni që situata në PD të vazhdojë prapë në këtë gjendje. Një pjesë e mirë  e juaja nuk ka më energji të reja. U është mërzitur edhe ju pushteti, po s’keni ca të bëni se s’ka kush ta marrë dhe u ka ngel në dorë”, tha Sula.

Ora 15:56
Kuvend/ Zhupa gjen si arsye të humbjes së thellë të PD-së aktivitetin europian të ‘Giro d’Italia-s’: Ishte e ndaluar me ligj

 

Ina Zhupa, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë njëkohësisht dhe pjesë e listës së deputetëve në qarkun e Vlorës, ka komentuar zgjedhjet parlamentare të 11 Majit edhe në këtë seancë të radhës zhvilluar këtë të hënë. Zhupa ka gjetur si arsye të humbjes së thellë të PD-së, zhvillimin e një prej xhirove më të njohura në aktivitetet sportive në Europë, Giro d’Italia.

Sipas Zhupës është shkelur ligji që ky aktivitet është lejuar të zhvillohet.

"Në fakt bie dakord me zonjën parafolëse është historike ajo çka ka ndodhur në këto zgjedhje se nuk ka parë histori në të gjitha dimensionet, e veta të farsës elektorale, në dimensionet e veta qesharake. Është aq historike sa ka ndryshuar dhe një rregull po aq historik, dikur mbaronin shkollën, bënin karrierë dhe vinin bëheshin deputetë. Tani është bërë historike që vijnë e bëhen deputetë dhe i fut Edi Rama në shkollë që të mësojnë sesi do bëhen deputetë. Edhe lektorë kanë vetëm Edi Ramën, do të fusin dhe 2-3 orë menaxhim marrëdhëniesh me krimin ku do të ftojnë lektorë të veçantë Suel Çelën, Troplinën, Xhabafët për t’i mësuar se si t’i mbajnë marrëdhëniet me krimin brenda dhe jashtë vendit. A është mandati i qarkut të Vlorës pikërisht si rezultat i votës së diasporës, kësaj vote që ju e dinit paraprakisht se çfarë do të ndodhte. Sigurisht se ju kishit objektiv të caktuar diasporën dhe kishit objektiv brenda vendit dhe nuk kursyet asnjë metodë për t’ia arritur qëllimit. Nuk kurseni asgjë kur vjen puna për të organizuar 4500 aktivitete në periudhën e ndaluar nga ligji, ku mjafton të kujtojmë atë të famshmin Giro D’Italia, 7 milionë euro një organizatë private."-tha Zhupa gjatë fjalës së saj. 

Ora 15:53
Spiropali-Vokshit: Ju jeni arsyeja që PD humbi! Turpin tregojeni te dera e SPAK, ku protestoni për të mbrojtur të akuzuarin për korrupsion! Të fala atij që ishte me grip sot!

 

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe deputetja Albana Vokshi

Albana Vokshi sulmoi ashpër sot nga foltorja e Kuvendit mazhorancën, duke ‘tundur’ në dorë raportin e Parlamentit Europian, që tha se ishte i mbushur i gjithi me akuza për qeverinë socialiste dhe farsën elektorale.

Madje ajo nuk kurseu as kryeparlamentaren Elisa Spiropali, duke i kujtuar se “turpi ishte edhe për të”, duke lexuar mungesën e transparencës dhe balancës së kontrollit, duke i përmendur 10 pika.

“Raporti të paralajmëron Elisa! E Keni shkatërruar sistemin e kontrollit dhe balancës në parlament. Respektimin e Gjykatës Kushtetuese me vonesa. Nuk e zbaton Rama vendimin e Kushtetutës që të mbronte deputeten e tij. Kështu hyet në Europë? Procesi do jetë mbi bazë meritokracie. Zgjedhjet në mjedis të polarizuar thotë raporti, përdorimi i burimeve administrative të paralajmëron Elisa, cenimi i pushtetit dhe kontrollit e balancës”, tha ajo mes të tjerash.

Para se ministri Balla të merrte replikën me deputeten demokrate, u përgjigj po për procedurë kryeparlamentarja Spiropali, që gjithashtu i dha Vokshit edhe “të falat” për kreun e PD-së, Sali Berisha, ai për të cilin tha se “ishte turpi i vërtetë i Shqipërisë”.

“Ndoshta ju jeni një nga arsyet kryesore që PD ka marrë këtë rezultat që ka marrë më 11 maj në qarkun e Tiranës. Turpin ju nuk na e tregoni dot ne, që nuk lini derë pa shkuar. Mënyra si flisni, fjalori juaj, qëndrimi juaj, ato që thoni për Shqipërinë, të jeni e bindur se s’do pijnë ujë asgjëkundi. Sepse Shqipëria, ashtu siç thuhet edhe në raport, do i mbyllë negociatat brenda 2027. Dhe brenda kësja dekade do jetë anëtare e BE-së. Turpin shkoni dhe tregojeni në derë tjetër, aty ku protestoni në derë të SPAK-ut, siç thuhet në raport, ku shantazhoni dhe kërcënoni prokurorët dhe gjykatësit. Aty ku mbroni një njeri të akuzuar për korrupsion madhor, ndryshe nga të gjithë ne. Të fala atij që ishte me grip sot, koha e të cilit ka përfunduar”, u shpreh drejtuesja e Kuvendit.

Ora 15:43
Edhe Vokshi si Berisha, nxin Shqipërinë: Turpi është i juaji, dhatë 138 licenca kanabisi për vota! Balla: Gënjen hapur, s’është dhënë asnjë licencë, e di dhe PE!

 

Një tjetër shkak debati në parlament ditën e sotme dhe jashtë rendit të ditës, ishte raporti i Parlamentit Europian, për të cilën opozita pretendon se godet qeverinë dhe fakton farsën elektorale të 11 majit.

Ndërsa doli edhe nga rendi, deputetja Albana Vokshi, foli për turpin e qeverisë bazuar te raporti i PE-së, duke akuzuar edhe kryeparlamentaren Spiropali.

Mes të tjerash ajo foli për mungesën e parlamentit, faljen e gjobave, licencat e kanabisit, manipulimin e votave, përdorimin e administratës dhe të tjera.

“Parlamenti të bëjë transparencë, të drejtojë ashtu siç duhet, merre lexoje raportin çfarë është propozuar, 175 amendime, s’ka pasur ndonjëherë kaq shumë, janë të gjitha me konsensus. Turp është të shkosh në Bruksel e të flitet për zgjedhjes që janë dhunuar, mënyra si drejtohet Parlamenti është turp. Ka 10 pika, merre lexoje. U përmendën strukturat kriminale. Ky është turpi, ky ëhstë turpi Elisa. Kolegët tanë u skandalizuan kur shikonin si futeshin votat në kuti, u alarmuan me fotot e videot, e kriminelëve që rrinin aty, edhe me bexhë, u alarmuan, si është e mundu thanë. Ndaj bëjmë debat, raporti i ka të tëra raporti. U dhanë licenca për kultivim kanabisi nga qeveria. Turp është që Shqipëria përmendet si narkoshtet. Turp është qëq Rama dha 138 licenca kanabisi para zgjedhjeve, për 29 mijë hektarë, drogë për vota. Nuk jemi gati të hyjmë në BE, zgjedhjet e shkatërruan rrugën europiane të Shqipërisë”, tha Vokshi mes të tjerash.

Ministri Balla replikoi me deputeten demokrate, duke i thënë se po gënjente hapur, pasi nuk ishte dhënë asnjë licencë për kanabisin mjekësor dhe madje falja e gjobave u bë në dhjetor dhe jo dy ditë para zgjedhjeve.

“Ne i dëgjojmë me vëmendje të madhe edhe deputetët që gënjejnë. U tha këtu se u dhanë 138 licenca për kultivim me qëllime mjekësore të kanabisit në mijëra hektarë tokë. E para, këto licenca nuk janë dhënë, nuk rezulton të jenë dhënë. E dyta, si gënjen deputeti kështu. Para 5-6 vitesh janë parë disa zona nga qeveria, por nuk është dhënë asnjë licencë. Si i bëhet kësaj Flamur, deputetja gënjen hapur! E kam sqaruar personalisht PE-në dhe zotin Garlik para zgjedhjeve, para se të vinit ju atje. Ai e di mirë, para se të shkonit ju. Amnistia bëhet me ligj dhe ligji u bë në dhjetor dhe jo dy ditë para zgjedhjeve, siç thoni ju”, u kundërpërgjigj Balla.

Ora 15:07
Balla: Garë e paepur për të nxirë Shqipërinë me përroin psikik të Berishës, jeni turpi i vendit! Mos kini merak, s’ua kërkojmë dorëheqjen e Saliut

Ndërsa mbante fjalën e tij për projektligjin e nismës për menaxhimin e energjisë dhe ndërtesave në Kuvend, ministri i Shtetit Taulant Balla debatoi edhe me opozitën.

Pas fjalës së deputetes demokrate Jorida Tabaku, që hodhi akuza për farsën elektorale të 11 majit dhe raportin e PE-së për parregullsitë që opozita pretendon, ai i kujtoi “përroin psikik” të Sali Berishës në PE për të nxirë dhe hedhur baltë ndaj Shqipërisë, me qëllim që të dëmtojë procesin e integrimit të vendit në BE.

Duke e cilësuar të turpshëm veprimin e opozitës dhe apeluar për bashkëpunim, pasi “Shqipëria ishte edhe e tyre”, ai apeloi që opozita të reflektonte dhe ndihmonte, psi kishte rolin e saj dhe të braktiste diskursin e kreut të saj, që sipas tij, me moshën që ka nuk mban as përgjegjësi për ato që thotë e bën.

Në fund Balla ironizoi edhe dyshën Vokshi-Noka që ndërhynin herë pas here gjatë fjalës së tij, duke i cilësuar edhe si “ylli i ri i partisë”. Balla paralajmëroi PD-në se nëse nuk reflektonin, edhe më 2029 me sa dukej shqiptarët do i ndëshkonin edhe më keq, sepse “shqiptarët nuk janë budallenj”.

Fjala e plotë e Taulant Ballës në Kuvend:

"Garë e paepur e opozitës për ta nxirë Shqipërinë sa më shumë. Kulmi i kësaj ishte një përrua psikik që u dëgjua në një nga sallat e Parlamentit Europian dhe t’ju them të drejtën, nuk turpëron më atë person, se personi tashmë nuk mban më përgjegjësi për gjithçka bën dhe thotë.

Por edhe parafolësja me shumë pathos (Tabaku), që iu referua një raporti vjetor të PE-së, i propozuar nga një mik shumë i mirë i Shqipërisë, Andreas Schieder, e kam mik prej 20 vitesh, mik pa parti.

Këtë pjesë nuk e njeh ti (i drejtohet Nokës). Në një fjali të vetme ai tha atë që kishte dashur të thoshte në raport. Shqipëria është vendi i parë mes atyre që vrapojnë për t’u bërë anëtar i BE-së. Unë po i referohem fjalës.

Nuk kam asnjë dyshim, po do ta bëj qejfin (i drejtohet opozitës) që Mali i Zi është pak para nesh, sepse Mali i Zi i hapi bisedimet për anëtarësim në vitin 2012. Ne në 2012 nuk na jepnin dot as statusin e vendit kandidat. Në 2014 i hapi Serbia bisedimet.

Jo baltën që u jep ai si ushqim, diskutim e kam, patjetër, e marr fjalën sa herë ma jep rregullorja, po, do më tregosh ti mua rregulloren e Kuvendit (i drejtohet Nokës).

Shqipëria do i mbylli bisedimet për anëtarësim, negociatat, brenda Krishtlindjeve të vitit 2027.

Ju, se ju që jeni këtu një pjesë jeni rizgjedhur, se duke reflektuar nga sjellja që keni pasur, nga shtatori e tutje të ulemi së bashku dhe të punojmë për këtë moment historik. Opozita ka një vend e rol të pazëvendësueshëm në këtë proces të natyrshëm.

Dhe duhet patjetër që të reflektojë që të bëhet pjesë. U tha këtu nga parafolësja pse nuk bëjmë ne debat për zgjedhjet, po debati për zgjedhjet në momentin në fjalë po e bëjnë institucionet që duhet të diskutojnë zgjedhjet, aty ku ju keni shfrytëzuar edhe të drejtën që kemi dakordësuar së bashku që në 13 vite më parë, për të kërkuar edhe rinumërim. Sepse e dini fare mirë, se nga ky rinumërim nuk del asgjë përsa i përket rezultatit të përgjithshëm.

E vetmja vot që po del është ajo e ndonjë komisioneri tuaj që ia ka kaluar ndonjë kandidati tjetër, tek tuk, brenda atij marzhit të gabimit njerëzor, të deritanishëm. I referohem këtu deri tani rinumërimit të qarkut të Dibrës, biem dakord së bahsku që ato 20 vota që kishin shkuar nga Gjunkshi te ai tjetri, janë brenda marzhit të gabimit. Po ne nuk mund të bëjmë një debat për zgjedhjet tani.

Por ju mund t’i bëni një shërbim vendit, meqë flasim për eficencë energjie, të bëjmë edhe një eficencë, sepse e keni futur në rinumërim vetëm për të shtyrë kohën.

Se e theksoi edhe njëri këtu, ne nuk ua kërkojmë dorëheqjen e Saliut, ne jo njëherë! Ata që ua kërkojnë zgjidheni hallin brenda jush. Ne s’kemi e s’bëhemi pjesë në asnjë diskutim të brendshëm të partisë tuaj. Por vini këtu e kërkoni debat për zgjedhjet, për çfarë? U bënë më 11 maj, rezultati më i qartë se asnjëherë tjetër. Ditë e zezë të më përkthesh ti mua Joridën, por jemi këtu për performancën e energjisë në ndërtesa. Nëse keni çështje për këtë, bujrum, por përsa i përket imazhit të Shqipërisë, çështjes së integrimit, thirrja ime është hiqni dorë nga ai turp i madh, se do vazhdoni të zhyteni edhe më shumë.

Se ju ende s’keni kuptuar një gjë shumë të rëndësishme, vota e shqiptarëve dhe mbi të gjitha vota e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, ishin vlerësim për punën e Edi Ramës dhe qeverisë socialistë dhe një ndëshkim për ju, për sjelljen tuaj ndaj Shqipërisë gjithë këto vite. Se ai, del një (Berisha) që paguhet me taksat e shqiptarëve dhe del atje “narkoshteti, narkoshteti...”, lërini mo këto se latë nam, lërini se latë nam, realisht latë nam! E duhet t’ju vij turp se vendi është i përbashkët, edhe i yni edhe i juaji.

Dhe shqiptarët për budallenj nuk i merr sot askush, asnjëri prej jush. Dhe shqiptarët, siç ua matën kokën më 2025, më keq akoma do jetë, sepse s’ka ndonjë plan për reflektim me sa duket, e njëjta kastë do jetë, Albana në Durrës, Muli në Tiranë dhe ec edhe 2029-ta. Aty, aty ti, mbaje ti, ylli i ri europian i partisë".

Ora 14:41
Tabaku: Shqipëria, e fundit në rajon për infrastrukturën! Vendin nuk e nxin opozita, por qeveria

 

Deputetja Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend, përmendi raportin e OECD, që e rendit Shqipërinë të fundit në rajon sa i përket infrastrukturës. Sipas saj Shqipëria mbetet e fundit në rajon sa i përket standarteve dhe përfundimit të të gjithë rrjetit të ndërlidhur me rajonin.

“Raporti i OECD, i cili publikoi se ku ndodhet Shqipëria dhe treguesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE, e lë Shqipërinë të fundit në rajon. Kur flasim për integrimin që do të arrijmë për dy apo tre dite, realiteti është ndryshe. Sot çdo qytetar shqiptar ka të ardhura 37% të mesatares së BE, PBB është 40% i vendeve të BE, por Shqipëria në të gjithë elementet është pas. Por elementi ku është e fundit në rajon është infrastruktura. Megjithëse Shqipëria ka investimet më të larta në infrastrukturë dhe koston më të lartë të rrugëve, është e fundit sa i përket standarteve dhe përfundimit të rrjetit dhe të të gjithë rrjetit të ndërlidhur me rajonin. Raporti i OSBE thotë se Shqipërisë i duhen të paktën 15 vite që të ketë standartet minimale të rajonit, 15 vite edhe për ujësjellës kanalizimeve, për infrastrukturën dhe për energjinë. Për të gjithë elementet e infrastrukturës Shqipëria është e fundit. E kuptoni sesa larg ndodhet Shqipëria nga marrja e pasaportës evropiane.”, tha ajo.

Sipas saj, Shqipërinë nuk po e “nxin” opozita por qeveria, e cila ka në dorë mundësinë për të ndryshuar vendin.

“Faqen e Shqipërinë nuk e nxin opozita, por ato që kanë në dorë mundësi për ta ndryshuar vendin, për të organizuar zgjedhje normale dhe se bëjnë, që kanë mundësi të ndalojnë ë rinjtë shqiptarë të largohen dhe nuk e bëjnë. Besoj se ka ardhur koha që këtë proces ta bëjnë për të gjithë shqiptarët dhe familjet shqiptare që nuk e sheh ditën e ndryshimit këtu por jashtë.”, theksoi Tabaku.

Sipas saj, “Procesi i integrimit s’ka pse të jetë as marketing politik dhe as deklarata politike por ndryshime për qytetarët". Tabaku kërkoi gjithashtu edhe një rezolutë në shtator, e cila të nisë me zgjedhjet.

“Në shtator të nisim me një rezolutë, ku elementi i parë duhet të jenë zgjedhjet. Jo vetëm denoncimi por ngritja e shqetësimit të zgjedhjeve si një shqetësim që sot pengon rrugën evropiane.”, u shpreh Tabaku.

Ora 14:20
'Kështu lloj hallesh paçi', Balla ironizon opozitën: Po harxhoni energji kot, u morët 30 minuta se pse u shty seanca

 

Seanca plenare nisi sot me debate në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita kërkon që në seancë të marrë pjesë ministrja e energjisë, Belinda Balluku, pasi sot në kuvend po shqyrtohet projektligji për eficencën energjetike të ndërtesave.

Demokratët kërkojnë me ngulm prezencën e Ballukut në kuvend, pasi sipas tyre ajo duhet të japë llogari. Në replikën e tij ministri Taulant Balla ironizoi kërkesat e opozitës.

“Zotrote ke qenë ca kohë në qeveri te drejtuar nga Edi Rama në fakt. Është e kotë që harxhoni energji edhe pse po flasim për një ligj për eficëncën energjetike, se u morët 30 minuta pse u shty seanca nga të enjten të hënën, ksi lloj hallesh paçi gjithmonë..na lini të vijojmë me prezantimin sepse s’kemi energji për të humbur kot”, tha Balla.

Ora 14:01
Mungesa e Ballukut në Kuvend, Bardhi: Zv/kryeministrja po falenderon grupet kiminale në Fier! Të paktën ngrihu në lartësinë e Nikollës! Spiropali: Keni rënë në gropë!

 

Gazment Bardhi duke debatuar me Spiropalin

Një debat i fortë për procedurën në Kuvend ishte edhe ai mes kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Drejtuesja e Kuvendit kaloi në pikën e rendit të ditës, që kishte të bënte me nismën që ka të bëjë me projektligjin për performancën energjitike dhe të ndërtesave nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Por ajo që ra në sy dhe “molla e sherrit” u bë mungesa e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Opozita kërkoi prezencën e saj në Kuvend, pasi në të kundërt shkelej rregullorja, teksa nisma do lexohej nga ministri Taulant Balla.

Gazment Bardhi e kundërshtoi fort si shkelje rregulloreje e Kuvendit, duke ironizuar edhe Ballukun, për të cilën tha se “ndodhet në Fier për të falenderuar grupet kriminale për zgjedhjet”.

Gjithashtu ai ironizoi edhe Spiropalin, të cilës i kërkoi të ngrihej në nivelin e paraardhëses së saj, Nikolla.

Debati Bardhi-Spiropali:

Bardhi- Zonja kryetare, ç'e ke këtë kërcënim për deputetët...?

Spiropali: Nuk kam asnjë kërcënim, kalojmë për procedurë, keni pyetje për nismëtarin...?

Bardhi: Respektoni Rregulloren e Kuvendit, procedurën. Zonja ministre duhet këtu. Ka firmëtar, ka edhe kundërfirmëtar sipas rregullores së Kuvendit. Duhet patjetër të jetë ministri kundërfirmues i tij në Këshillin e Ministrave prezent, kemi shumë pyetje dhe zonja duhet të jetë në seancë. Ne duhet të bëjmë dëbat mbi sektorin dheprojektligjin. Ju ngaqë flisni, nuk të dëgjoni. Kemi shumë pyetje për të bërë për ministren për sektorin e energjisë, për aferat e energjisë elektrike. Zonja duhet të jetë në seancë plenare për t'u përgjigjur.

Spiropali: Zv/kryeministrja nuk është dhe nuk do të jetë, do vijojmë me diskutimet dhe procedurën...!

Bardhi: Duhet ministrja, është kthyer...! (u kthye, ndërhyjnë Vokshi dhe Tabaku).

Spiropali- Jam dakord me atë, halle halle kjo dynja, por hallet tuaja qenkan të çuditshme me këto që ju kanë ndodhur. Zoti Noka ka hallin e kryetarit të Kuvendit, se ndoshta e ëndërronte vetë. Ju keni hall kush do e prezantojë projektligjin. Keni pyetje për projektligjin?

Bardhi- Po unë s'kam fol akoma... Zonja kryetare, të paktën të ngriheni në lartësinë e zonjës Nikolla. Ju po silleni si Ermonela Felaj...

Spirolali- Mos flisni në atë mënyrë se nuk jeni në ato pozita, të na tregoni lartësinë nga gropa ku keni rënë. Mos bini kaq poshtë. Ministri nuk është, zv/kryeministrja nuk do jetë.

Bardhi- Mos më thuaj batak... Nëse nuk është ministri, shtyhet projektligji, e ka procedura! Taulanti lexon fjalinë e parë dhe lë të dytën, kështu e ka zakon, pra gënjen edhe për rregulloren e Kuvendit... Lexoni pikat, rregulloren, kaq e thjeshtë është kërkesa e opozitës. Në fakt zv/kryeministrja ndodhet në Fier, po falenderon grupet kriminale atje për zgjedhjet!

Spirolali- Vazhdojmë me procedurën, me rendin...

Bardhi- Ka rregullore, ka procedurë Kuvendi, nuk bëhet nëse nuk është ministrja, shtyhet.

Noka nga vendi- Moj ça thua ti, ça po flet... procedura...

Vokshi- Sado të bësh ti, nuk ia zë dot vendin Belës... (ironizon Spiropalin)!

Ora 13:51
Replikat/ Noka: Turet turistike për selfie, s’mund të bllokojnë Kuvendin! Spiropali: Juve u mungojnë fotot përtej oqeanit

 

Deputeti i PD, Flamur Noka është përfshirë në replika me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali. Këtë të fundit e akuzoi se turet turistike nuk mund të bllokojnë axhendën e Kuvendit, duke iu referuar pjesëmarrjes së saj në një samit të Ukrainë. Noka tha se shkoi për të bërë selfie, ndërsa kryetarja i kujtoi non gratën e liderit të tyre, Sali Berisha, duke i thënë se e kupton që mungojnë selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit.

Noka: E turpshme që spikerja e parlamentit u thotë deputetëve ma dini për nder që po e bëj këto seanca, kur parlamenti është i zgjedhur nga sovrani, na ka zgjedhur për ta përfaqësuar dhe vazhduar punën në shërbim të ligjit dhe Kushtetutës, në interes të sovranit. Turet tuaja turistike për të bërë selfie, atje zonjë s’mund të bllokojnë axhendën e kuvendit. Kuvendi edhe në mungesën tuaj kanë dy nënkryetarë. U mungojnë juve 5 apo 10 deputetë dhe nuk kaloni dot noterzimet që u kërkon sulltani, ju e keni kthyer Kuvendin në një noter të çdo akti që vjen nga sulltani. Nuk është dyqani juaj që hapet dhe mbylle kur doni ju. Që nga 11 maji ju keni problem funksionimin e kuvendit. Duhet të kesh parasysh, dhe aq kohë sa je në atë karrige, se vjeshta ikën bashkë me vapën dhe do vijë Sara të të zërë vendin. Përpiqu të ruash dinjitetin e institucionit që përfaqëson.

Spiropali: E kuptoj shumë mirë që u mungojnë fotografitë e selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit, por ky nuk është problem. Nuk shkojmë për foto, shkojmë aty për të përfaqësuar Shqipërinë, atë ju e nxini ku të mundni në atë hapësira të vogla që u kanë mbetur ndërkombëtarisht.

Ora 13:43
Sula në Kuvend: Një pjesë e juaja ka axhenda personale, po prisni Dhjetorin kur diskutohet për mbarimin e mandatit të 'kryetarit të SPAK-it'!

 

 

Deputeti demokrat në këtë legjislaturë, Dashnor Sula, ka akuzuar të dyja palët se po zvarrisin qëllimisht në mënyrë proceduriale çështjet e rëndësishme ligjore, siç janë rezolutat dhe raportimet nga institucionet e pavarura, që sipas tij duhet të bëhet brenda këtij sesioni parlamentar, para se të nisin pushimet dhe të rikthehet me Kuvendin e ri.

Ligjvënësi hodhi dyshime se shumë nga deputetët që do jenë edhe në legjislaturën e ardhshme, kanë axhendë personale, teksa qëllimi kryesor i PD dhe PS mbetet fundi i vitit, kur mbaron edhe mandati i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në lidhje me debatin për mandatin e prokurorëve.

"Po shmangen procedurat në këtë Kuvend. Një pjesë e mirë ka axhende personale edhe në legjislaturën tjetër, kjo është për të ardhur keq. Shqetësimi që kam për ata që do jenë dhe ata që nuk do jenë, në çaste të caktuara vendimtare, PS dhe PD preson Dhjetorin kur mbaron mandati i kryetarit të organizatës së SPApit, ku prisni të zhvillohen e të ndodhin xhevahire. Rregullorja e Kuvendit e ka qartë se deri në qershor duhet të dalin të gjtiha vendimet dhe rezolutat, gjë që nuk është realizuar ndaj brenda këtyre dy seancave të mbarojnë këto rezoluta apo raporte për institucuionet e pavarura, duke nisur nga kreu i “organizatës kriminale të SPAK”, tha Sula mes të tjerash.

 

Ora 13:43
Bardhi në Kuvend: Zegjine Balluku duhet të vijë e të prezantojë projektligjin, s’mund të fshihet për shumë gjatë

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi praninë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në seancë për prezantimin e projektligjit për performancën energjitike të ndërtesave.

Bardhi iu referua si “Zegjine Balluku”, duke shtuar se duhet të vijë në seancë dhe se nuk mund të fshihet për gjatë.

“Sipas kushtetutës, kur prezantohet një projektligj duhet të jetë nismëtari i projektligjit. Nismëtari nuk delegon tek një ministër tjetër propozimin e vet. Prandaj, ka firmëtar dhe kundërfirmëtar. Në rastin konkret është Zegjine Balluku, ka tre seanca që nuk vjen. Të vijë në seancë dhe të japë llogari për këtë projektligjin që t’i bëjmë pyetje. Nuk mund të na përgjigjet ministri për parlamentin për çështje të energjisë. “, theksoi Bardhi.  

Ora 13:37
Peleshi i kthehet opozitës: Nuk vini në Komisione! Me ju ose pa ju, do ta mbyllim me sukses Kuvendin

 

Kreu i Grupit të PS, Niko Peleshi i tha opozitës se nuk mer pjesë në komisione dhe pastaj pyesin se përse nuk shtohen pr.ligjet në kalendarin e punës.

"Grupi jonë është për të ecur para me një axhendë të ngarkuar, deri në fund, para se Kuvendi të nisë pushimet. Kemi shumë punë para, janë rreth 20 akte për tu miratuar. Më lejoni t’iu kujtoj që Kuvendi nuk nis dhe mbaron në këtë foltore, nuk zhvillohet vetëm të enjten por gjatë gjithë javës. Ju nuk jeni në komisione dhe pastaj kërkoni pse nuk shtohen pr.ligjet. Ejani ti shtojmë të gjitha, por dikush duhet të punojë, dikush duhet të vijë në mbledhje. Ta dinë edhe të gjithë shqiptarët, PS dhe grupi i saj e bën vetë të gjithë procesin në mungesën tuaj. Ju bëni vetëm seancën tuaj të zakonshme, të fjalës për procedurë dhe diskutimet jashtë rendit të ditës. Por, ama duhet ta dinë edhe qytetarët, edhe ata që nuk i ndjekin punimet e komisioneve, Ju nuk vini në Komisione, shumë pak anëtarë të komisioneve nga opozita marrin pjesë nëpër komisione. Me ju apo po ju e mbyllim me sukses këtë Kuvend për të nisur në shtator", tha Peleshi. 

Ora 13:31
Tabaku në Kuvend: Duhet të ishte në rend dite raporti i komisionit të PE! S’mund të anashkalohet çështja e zgjedhjeve dhe e integrimit

Deputetja e PD, Jorida Tabaku shprehu kritika për faktin se në rend dite nuk janë përfshirë çështje të rëndësishme si raporti i Komisionit të Jashtëm të PE për Shqipërinë. Ajo përmendi gjithashtu se ka propozuar tre projektligje në një vit dhe asnjë nuk janë vënë për diskutim. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Spiropali theksoi se javën e ardhshme do të diskutohet për raportin e Komisionit të Jashtëm.

Tabaku: Duket se maxhoranca u rikthye në këtë parlament me një fitore imagjinare në Komisionin e Çështjeve Evropiane nuk bëjmë dot kuorum. Anëtarët e maxhorancës nuk vijnë në mbledhje, dhe iu bëj thirrje ju që të merrni në dorë grupin parlamentar të PS të ulen dhe të vijnë e miratojnë se ka axhendë parlamenti. Sot kishim në rend dite për të diskutuar raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Mund të kishim raportin e PE, që kaloi në Komisionin e Jashtëm, përsëri nuk është futur në rend dite. Ka nevojë parlamenti për debat. E kuptoj që grupi i PS nuk do të jetë këtu në shtator, por ky është problemi juaj, jo i joni. Fjala integrim është standarte që fillon nga standartet e zgjedhjeve. Më vjen keq që edhe ato ligje që janë gati, dhe raporte, nuk i vendosni në rend dite. Si deputete, ka një vit që kam propozuar tre projektligje dhe në asnjë nga komisionet parlamentare nuk po diskutohen. Grupi i PD ka mbi 60 iniciativa, përsëri nuk po diskutohen. E kuptoj se ndodheni me një mungesë vullneti politik edhe për të çuar përpara integrimin dhe për zgjedhjet por në këtë parlamentr harrojeni se çështja e zgjedhjeve dhe e integrimit do të anashkalojnë. Nuk ka integrim pa diskutuar këtu së pari zgjedhjet dhe të gjitha diskutimet e PE.

Spiropali: Që të diskutohet raporti duhet të ketë një dakordësi, edhe me nënkryetarin dhe me shumicën. Nuk është çështje iniciative personale, por dakordësie. Besoj se dakordësia ekziston dhe vullneti po ashtu që ai raport të diskutohet dhe besoj se do të diskutohet javën e ardhshme. Jam dakord që është raport i rëndësishëm për të cilin ka nevojë për diskutime.
 

Ora 13:29
VIDEO/ Shehu ngatërrohet me fjalët e tij: Parlamenti të bëjë pushime...! Spiropali e ironizon

Kuvendi nisi punimet ditën e sotme me debate dhe diskutime të forta. PD akuzoi mazhorancën se po mbante në sirtar nismat e tyre dhe projektligjet e dorëzuara prej kohësh, teksa PS sipas opozitës po nxitonte për pushime.

Deputeti Tritan Shehu akuzoi kryeparlamentaren Spiropali se po zvarriste edhe dy nga projetligjet që ai kishte dorëzuar mes të tjerash, si ajo e dy gjinive dhe gjenocidit serb.
Madje ai në nisje të fjalës së tij bëri edhe lapsus, ku në vend të fjalës punime tha pushime, teksa kryeparlamentarja Spiropali duke ironizuar i kujtoi se pikërisht kalendari këtë parashikonte në vijim (këto janë dy seancat e fundit).

“Kur shkojnë me detyra kryetarët e Kuvendi, nuk mbyllet Kuvendi i asnjë vendi, prandaj janë nënkryetarët të cilët krijojnë mundësi që Parlamenti të vazhdojë normalisht pushimet (punimet). Nuk është pronë e kryetarit, kjo sallë e Kuvendit. Nëse do e fusni parlamentin për pushime të pajustifikuara..”, tha Shehu.

Ndërhyn Spiropali që i kujton:

“Pikërisht zoti Shehu, ja e sheh, lapsusin, pushimet, nuk janë të pëfshira në kalendar”, tha ajo.

Teksa Shehu vijoi:

“Zonja kryetare ju po shkatëerroni plotësisht anën proceduriale të procesit. Janë paraqitur projektligje nga ne, ju po i shtyni, nuk po i sillni, këshut vepruar edhe për gjenocidin në Kosovë, e shtytë, e latë jashtë, nuk e keni sjellë, kështu edhe për atë me dy gjini, prindi një e prindi dy, qëllimisht nuk po e sillni, po dëmtoni rëndë familjen. Ta kalojmë në një nga dy seancat e mbetura atë projekligj, por unë i di votat tuaja, thelbin për shoqërinë njerëzor ee fmailjen, ndaj silleni ta kalojmë”, tha ai mes të tjerash në fjalën e tij për procedurë.

Në fund Spiropali iu rikthye për kujtesë, duke u shprehur se në parlament kalojnë e diskutohen projektligje që janë kaluar njëherë në Komisione.

Ora 13:27
Bardhi-Spiropalit: Të enjten nuk ishit në Ukrainë, por për drekë në Greqi! Kryeparlamentarja: Më vjen mirë që ndjek aktivitetin tim në rrjete sociale

Në nisje të seancës së sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali se javën që shkoi nuk ishte për samitin në Ukrainë, por në Greqi.

“Seanca duhet të ishte mbledhur të enjten, ashtu siç u miratua kalendari i ounimeve. Na thatë se kishit angazhim të rëndësishëm. Por e vërteta është se nuk ishit në Ukrainë, por duke ngrënë drekë në Greqi. Këtë na e bënit me dije të gjithë deputetëve dhe të mbyllësh Kuvendin për ta trajtuar si shtëpinë tënde personale për të ngrënë drekë në Greqi nuk është e mbështetur në rregullore por arrogancë që kalon kufijtë e sjelljes tuaj të përditshme. Edhe pse jemi një muaj nga mbyllja e punimeve, mbani të kyçur plot 60 nisma të deputetëve të kuvendit të Shqipërisë. Sipas Kushtetutës, një nga funksionet kryesore të deputetit apo përgjegjësia e tij kryesore ka të propozojë nisma legjislative”, tha Bardhi.

“Uroj t’u ketë shijuar dreka në Athinë dhe t’ia ketë vlejtur se bllokuat punimet”, i tha me ironi Bardhi, gjë që solli edhe reagimin e Spiropalit. Sipas kryeparlamentares, seanca e kaluar nuk u shty për shkak të pjesëmarrjes së saj në Ukrainë, por për faktin se kishte mungesa të deputetëve për shkak të aktiviteteve të tjera.

“Më vjen mirë që ndiqni aktivitetin tim në rrjete sociale. Por siç diskutuam në konferencën e Kryetarëve, seanca nga 12-16 nuk u shty për shkak të pjesëmarrjes time në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore por shumë deputetë kishte mungesa në aktivitete të tjera. Ishte e zëvendësuar prezenca ime me dy nënkryetarët por në bazë të nenit 7, kryetari i kuvendit ka për detyrë që të kujdeset për mbarëvajtjen e seancave plenare dhe deputetët të jenë pjesëmarrës”, tha Spiropali.
 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alniku: 16/06/2025 15:04

    Dhe më në fund Tironcja Tabakhone e nxorri fytyrën e saj të (moderuar) si nuk i vjen zor njëherë por ajo parti duhet me u shpallur terroriste dhe pik Demon-kratike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?