TIRANË- Një vizitë e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali në Odesa për një samit dhe mungesa e zv.kryeministres Belinda Balluku u bënë ‘molla e sherrit’ në seancën plenare të kësaj të enjtje, 16 qershor. I pari që nisi debatet ishte Gazment Bardhi i cili akuzoi kryeparlamentaren se nuk ishte në samitin “Evropa Juglindore-Ukrainë”, por duke bërë selfie në Greqi. Pas tij, demokratët në bllok hodhën të njëjtat akuza, duke thënë se ka marrë vend Kuvendin peng, duke shtyrë seancat në varësi të axhendës së saj.
"Do duhej që parlamenti mblidhej të enjten dhe na thatë që jeni vizitë zyrtare në Ukrainë. Në fakt ishit duke ngrenë drekë në Greqi. Kjo është një arrogancë e shtuar dhe tregues se si po e trajtoni kuvendin si pronë private”, tha Gazment Bardhi.
“Kur shkojnë me detyra kryetarët e Kuvendi, nuk mbyllet Kuvendi i asnjë vendi, prandaj janë nënkryetarët. Nuk është pronë e kryetarit, kjo sallë e Kuvendit”, tha Shehu.
“Turet tuaja turistike për të bërë selfie, atje zonjë s’mund të bllokojnë axhendën e kuvendit. Kuvendi edhe në mungesën tuaj kanë dy nënkryetarë”, tha Noka.
Spiropali sqaroi se seanca nuk u shty për shkak të axhendës së saj, por se shumë deputetë kishin aktivitete të tjera.
“E kuptoj shumë mirë që u mungojnë fotografitë e selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit, por ky nuk është problem. Nuk shkojmë për foto, shkojmë aty për të përfaqësuar Shqipërinë, atë ju e nxini ku të mundni në atë hapësira të vogla që u kanë mbetur ndërkombëtarisht”, tha Spiropali.
“U morët 30 minuta pse u shty seanca nga të enjten të hënën, ksi lloj hallesh paçi gjithmonë..na lini të vijojmë me prezantimin sepse s’kemi energji për të humbur kot”, tha Balla, ndërsa vijoi të prezantojë projektligji për performancën energjitike të ndërtesave në mungesë të ministres Belinda Balluku.
Edhe kjo pikë ngjalli debate, ku opozita kërkoi praninë e zv.kryeministres, sipas së cilëve duhej të ishte ajo që të prezantonte pr.ligjin.
Bardhi: Zonja ministre duhet këtu.
Spiropali: Zv/kryeministrja nuk është dhe nuk do të jetë, do vijojmë me diskutimet dhe procedurën...!
Bardhi: Në fakt zv/kryeministrja ndodhet në Fier, po falenderon grupet kriminale atje për zgjedhjet!
Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës
Lajm në përditësim...
Deputetja Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend, përmendi raportin e OECD, që e rendit Shqipërinë të fundit në rajon sa i përket infrastrukturës. Sipas saj, pavarësisht kostove të larta, Shqipëria mbetet e fundit në rajon sa i përket standarteve dhe përfundimit të të gjithë rrjetit të ndërlidhur me rajonin.
“Raporti i OECD, i cili publikoi se ku ndodhet Shqipëria dhe treguesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE, e lë Shqipërinë të fundit në rajon. Kur flasim për integrimin që do të arrijmë për dy apo tre dite, realiteti është ndryshe. Sot çdo qytetar shqiptar ka të ardhura 37% të mesatares së BE, PBB është 40% i vendeve të BE, por Shqipëria në të gjithë elementet është pas. Por elementi ku është e fundit në rajon është infrastruktura. Megjithëse Shqipëria ka investimet më të larta në infrastrukturë dhe koston më të lartë të rrugëve, është e fundit sa i përket standarteve dhe përfundimit të rrjetit dhe të të gjithë rrjetit të ndërlidhur me rajonin. Raporti i OSBE thotë se Shqipërisë i duhen të paktën 15 vite që të ketë standartet minimale të rajonit, 15 vite edhe për ujësjellës kanalizimeve, për infrastrukturën dhe për energjinë. Për të gjithë elementet e infrastrukturës Shqipëria është e fundit. E kuptoni sesa larg ndodhet Shqipëria nga marrja e pasaportës evropiane.”, tha ajo.
Sipas saj, Shqipërinë nuk po e “nxin” opozita por qeveria, e cila ka në dorë mundësinë për të ndryshuar vendin.
“Faqen e Shqipërinë nuk e nxin opozita, por ato që kanë në dorë mundësi për ta ndryshuar vendin, për të organizuar zgjedhje normale dhe se bëjnë, që kanë mundësi të ndalojnë ë rinjtë shqiptarë të largohen dhe nuk e bëjnë. Besoj se ka ardhur koha që këtë proces ta bëjnë për të gjithë shqiptarët dhe familjet shqiptare që nuk e sheh ditën e ndryshimit këtu por jashtë.”, theksoi Tabaku.
Sipas saj, “Procesi i integrimit s’ka pse të jetë as marketing politik dhe as deklarata politike por ndryshime për qytetarët. Tabaku kërkoi gjithashtu edhe një rezolutë në shtator, e cila të nisë me zgjedhjet.
“Në shtator të nisim me një rezolutë, ku elementi i parë duhet të jenë zgjedhjet. Jo vetëm denoncimi por ngritja e shqetësimit të zgjedhjeve si një shqetësim që sot pengon rrugën evropiane.”, u shpreh Tabaku.
Seanca plenare nisi sot me debate në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita kërkon që në seancë të marrë pjesë ministrja e energjisë, Belinda Balluku, pasi sot në kuvend po shqyrtohet projektligji për eficencën energjetike të ndërtesave.
Demokratët kërkojnë me ngulm prezencën e Ballukut në kuvend, pasi sipas tyre ajo duhet të japë llogari. Në replikën e tij ministri Taulant Balla ironizoi kërkesat e opozitës.
“Zotrote ke qenë ca kohë në qeveri te drejtuar nga Edi Rama në fakt. Është e kotë që harxhoni energji edhe pse po flasim për një ligj për eficëncën energjetike, se u morët 30 minuta pse u shty seanca nga të enjten të hënën, ksi lloj hallesh paçi gjithmonë..na lini të vijojmë me prezantimin sepse s’kemi energji për të humbur kot”, tha Balla.
Gazment Bardhi duke debatuar me Spiropalin
Një debat i fortë për procedurën në Kuvend ishte edhe ai mes kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali.
Drejtuesja e Kuvendit kaloi në pikën e rendit të ditës, që kishte të bënte me nismën që ka të bëjë me projektligjin për performancën energjitike dhe të ndërtesave nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Por ajo që ra në sy dhe “molla e sherrit” u bë mungesa e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Opozita kërkoi prezencën e saj në Kuvend, pasi në të kundërt shkelej rregullorja, teksa nisma do lexohej nga ministri Taulant Balla.
Gazment Bardhi e kundërshtoi fort si shkelje rregulloreje e Kuvendit, duke ironizuar edhe Ballukun, për të cilën tha se “ndodhet në Fier për të falenderuar grupet kriminale për zgjedhjet”.
Gjithashtu ai ironizoi edhe Spiropalin, të cilës i kërkoi të ngrihej në nivelin e paraardhëses së saj, Nikolla.
Debati Bardhi-Spiropali:
Bardhi- Zonja kryetare, ç'e ke këtë kërcënim për deputetët...?
Spiropali: Nuk kam asnjë kërcënim, kalojmë për procedurë, keni pyetje për nismëtarin...?
Bardhi: Respektoni Rregulloren e Kuvendit, procedurën. Zonja ministre duhet këtu. Ka firmëtar, ka edhe kundërfirmëtar sipas rregullores së Kuvendit. Duhet patjetër të jetë ministri kundërfirmues i tij në Këshillin e Ministrave prezent, kemi shumë pyetje dhe zonja duhet të jetë në seancë. Ne duhet të bëjmë dëbat mbi sektorin dheprojektligjin. Ju ngaqë flisni, nuk të dëgjoni. Kemi shumë pyetje për të bërë për ministren për sektorin e energjisë, për aferat e energjisë elektrike. Zonja duhet të jetë në seancë plenare për t'u përgjigjur.
Spiropali: Zv/kryeministrja nuk është dhe nuk do të jetë, do vijojmë me diskutimet dhe procedurën...!
Bardhi: Duhet ministrja, është kthyer...! (u kthye, ndërhyjnë Vokshi dhe Tabaku).
Spiropali- Jam dakord me atë, halle halle kjo dynja, por hallet tuaja qenkan të çuditshme me këto që ju kanë ndodhur. Zoti Noka ka hallin e kryetarit të Kuvendit, se ndoshta e ëndërronte vetë. Ju keni hall kush do e prezantojë projektligjin. Keni pyetje për projektligjin?
Bardhi- Po unë s'kam fol akoma... Zonja kryetare, të paktën të ngriheni në lartësinë e zonjës Nikolla. Ju po silleni si Ermonela Felaj...
Spirolali- Mos flisni në atë mënyrë se nuk jeni në ato pozita, të na tregoni lartësinë nga gropa ku keni rënë. Mos bini kaq poshtë. Ministri nuk është, zv/kryeministrja nuk do jetë.
Bardhi- Mos më thuaj batak... Nëse nuk është ministri, shtyhet projektligji, e ka procedura! Taulanti lexon fjalinë e parë dhe lë të dytën, kështu e ka zakon, pra gënjen edhe për rregulloren e Kuvendit... Lexoni pikat, rregulloren, kaq e thjeshtë është kërkesa e opozitës. Në fakt zv/kryeministrja ndodhet në Fier, po falenderon grupet kriminale atje për zgjedhjet!
Spirolali- Vazhdojmë me procedurën, me rendin...
Bardhi- Ka rregullore, ka procedurë Kuvendi, nuk bëhet nëse nuk është ministrja, shtyhet.
Noka nga vendi- Moj ça thua ti, ça po flet... procedura...
Vokshi- Sado të bësh ti, nuk ia zë dot vendin Belës... (ironizon Spiropalin)!
Deputeti i PD, Flamur Noka është përfshirë në replika me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali. Këtë të fundit e akuzoi se turet turistike nuk mund të bllokojnë axhendën e Kuvendit, duke iu referuar pjesëmarrjes së saj në një samit të Ukrainë. Noka tha se shkoi për të bërë selfie, ndërsa kryetarja i kujtoi non gratën e liderit të tyre, Sali Berisha, duke i thënë se e kupton që mungojnë selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit.
Noka: E turpshme që spikerja e parlamentit u thotë deputetëve ma dini për nder që po e bëj këto seanca, kur parlamenti është i zgjedhur nga sovrani, na ka zgjedhur për ta përfaqësuar dhe vazhduar punën në shërbim të ligjit dhe Kushtetutës, në interes të sovranit. Turet tuaja turistike për të bërë selfie, atje zonjë s’mund të bllokojnë axhendën e kuvendit. Kuvendi edhe në mungesën tuaj kanë dy nënkryetarë. U mungojnë juve 5 apo 10 deputetë dhe nuk kaloni dot noterzimet që u kërkon sulltani, ju e keni kthyer Kuvendin në një noter të çdo akti që vjen nga sulltani. Nuk është dyqani juaj që hapet dhe mbylle kur doni ju. Që nga 11 maji ju keni problem funksionimin e kuvendit. Duhet të kesh parasysh, dhe aq kohë sa je në atë karrige, se vjeshta ikën bashkë me vapën dhe do vijë Sara të të zërë vendin. Përpiqu të ruash dinjitetin e institucionit që përfaqëson.
Spiropali: E kuptoj shumë mirë që u mungojnë fotografitë e selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit, por ky nuk është problem. Nuk shkojmë për foto, shkojmë aty për të përfaqësuar Shqipërinë, atë ju e nxini ku të mundni në atë hapësira të vogla që u kanë mbetur ndërkombëtarisht.
Deputeti demokrat në këtë legjislaturë, Dashnor Sula, ka akuzuar të dyja palët se po zvarrisin qëllimisht në mënyrë proceduriale çështjet e rëndësishme ligjore, siç janë rezolutat dhe raportimet nga institucionet e pavarura, që sipas tij duhet të bëhet brenda këtij sesioni parlamentar, para se të nisin pushimet dhe të rikthehet me Kuvendin e ri.
Ligjvënësi hodhi dyshime se shumë nga deputetët që do jenë edhe në legjislaturën e ardhshme, kanë axhendë personale, teksa qëllimi kryesor i PD dhe PS mbetet fundi i vitit, kur mbaron edhe mandati i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në lidhje me debatin për mandatin e prokurorëve.
"Po shmangen procedurat në këtë Kuvend. Një pjesë e mirë ka axhende personale edhe në legjislaturën tjetër, kjo është për të ardhur keq. Shqetësimi që kam për ata që do jenë dhe ata që nuk do jenë, në çaste të caktuara vendimtare, PS dhe PD preson Dhjetorin kur mbaron mandati i kryetarit të organizatës së SPApit, ku prisni të zhvillohen e të ndodhin xhevahire. Rregullorja e Kuvendit e ka qartë se deri në qershor duhet të dalin të gjtiha vendimet dhe rezolutat, gjë që nuk është realizuar ndaj brenda këtyre dy seancave të mbarojnë këto rezoluta apo raporte për institucuionet e pavarura, duke nisur nga kreu i “organizatës kriminale të SPAK”, tha Sula mes të tjerash.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi praninë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në seancë për prezantimin e projektligjit për performancën energjitike të ndërtesave.
Bardhi iu referua si “Zegjine Balluku”, duke shtuar se duhet të vijë në seancë dhe se nuk mund të fshihet për gjatë.
“Sipas kushtetutës, kur prezantohet një projektligj duhet të jetë nismëtari i projektligjit. Nismëtari nuk delegon tek një ministër tjetër propozimin e vet. Prandaj, ka firmëtar dhe kundërfirmëtar. Në rastin konkret është Zegjine Balluku, ka tre seanca që nuk vjen. Të vijë në seancë dhe të japë llogari për këtë projektligjin që t’i bëjmë pyetje. Nuk mund të na përgjigjet ministri për parlamentin për çështje të energjisë. “, theksoi Bardhi.
Kreu i Grupit të PS, Niko Peleshi i tha opozitës se nuk mer pjesë në komisione dhe pastaj pyesin se përse nuk shtohen pr.ligjet në kalendarin e punës.
"Grupi jonë është për të ecur para me një axhendë të ngarkuar, deri në fund, para se Kuvendi të nisë pushimet. Kemi shumë punë para, janë rreth 20 akte për tu miratuar. Më lejoni t’iu kujtoj që Kuvendi nuk nis dhe mbaron në këtë foltore, nuk zhvillohet vetëm të enjten por gjatë gjithë javës. Ju nuk jeni në komisione dhe pastaj kërkoni pse nuk shtohen pr.ligjet. Ejani ti shtojmë të gjitha, por dikush duhet të punojë, dikush duhet të vijë në mbledhje. Ta dinë edhe të gjithë shqiptarët, PS dhe grupi i saj e bën vetë të gjithë procesin në mungesën tuaj. Ju bëni vetëm seancën tuaj të zakonshme, të fjalës për procedurë dhe diskutimet jashtë rendit të ditës. Por, ama duhet ta dinë edhe qytetarët, edhe ata që nuk i ndjekin punimet e komisioneve, Ju nuk vini në Komisione, shumë pak anëtarë të komisioneve nga opozita marrin pjesë nëpër komisione. Me ju apo po ju e mbyllim me sukses këtë Kuvend për të nisur në shtator", tha Peleshi.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku shprehu kritika për faktin se në rend dite nuk janë përfshirë çështje të rëndësishme si raporti i Komisionit të Jashtëm të PE për Shqipërinë. Ajo përmendi gjithashtu se ka propozuar tre projektligje në një vit dhe asnjë nuk janë vënë për diskutim. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Spiropali theksoi se javën e ardhshme do të diskutohet për raportin e Komisionit të Jashtëm.
Tabaku: Duket se maxhoranca u rikthye në këtë parlament me një fitore imagjinare në Komisionin e Çështjeve Evropiane nuk bëjmë dot kuorum. Anëtarët e maxhorancës nuk vijnë në mbledhje, dhe iu bëj thirrje ju që të merrni në dorë grupin parlamentar të PS të ulen dhe të vijnë e miratojnë se ka axhendë parlamenti. Sot kishim në rend dite për të diskutuar raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Mund të kishim raportin e PE, që kaloi në Komisionin e Jashtëm, përsëri nuk është futur në rend dite. Ka nevojë parlamenti për debat. E kuptoj që grupi i PS nuk do të jetë këtu në shtator, por ky është problemi juaj, jo i joni. Fjala integrim është standarte që fillon nga standartet e zgjedhjeve. Më vjen keq që edhe ato ligje që janë gati, dhe raporte, nuk i vendosni në rend dite. Si deputete, ka një vit që kam propozuar tre projektligje dhe në asnjë nga komisionet parlamentare nuk po diskutohen. Grupi i PD ka mbi 60 iniciativa, përsëri nuk po diskutohen. E kuptoj se ndodheni me një mungesë vullneti politik edhe për të çuar përpara integrimin dhe për zgjedhjet por në këtë parlamentr harrojeni se çështja e zgjedhjeve dhe e integrimit do të anashkalojnë. Nuk ka integrim pa diskutuar këtu së pari zgjedhjet dhe të gjitha diskutimet e PE.
Spiropali: Që të diskutohet raporti duhet të ketë një dakordësi, edhe me nënkryetarin dhe me shumicën. Nuk është çështje iniciative personale, por dakordësie. Besoj se dakordësia ekziston dhe vullneti po ashtu që ai raport të diskutohet dhe besoj se do të diskutohet javën e ardhshme. Jam dakord që është raport i rëndësishëm për të cilin ka nevojë për diskutime.
Kuvendi ka nisur punimet ditën e sotme me debate dhe diskutime të forta. PD akuzoi mazhorancën se po mbante në sirtar nismat e tyre dhe projektligjet e dorëzuara prej kohësh, teksa PS sipas opozitës po nxitonte për pushime.
Deputeti Tritan Shehu akuzoi kryeparlamentaren Spiropali se po zvarriste edhe dy nga projetligjet që ai kishte dorëzuar mes të tjerash, si ajo e dy gjinive dhe gjenocidit serb.
Madje ai në nisje të fjalës së tij bëri edhe lapsus, ku në vend të fjalës punime tha pushime, teksa kryeparlamentarja Spiropali duke ironizuar i kujtoi se pikërisht kalendari këtë parashikonte në vijim (këto janë dy seancat e fundit).
“Kur shkojnë me detyra kryetarët e Kuvendi, nuk mbyllet Kuvendi i asnjë vendi, prandaj janë nënkryetarët të cilët krijojnë mundësi që Parlamenti të vazhdojë normalisht pushimet (punimet). Nuk është pronë e kryetarit, kjo sallë e Kuvendit. Nëse do e fusni parlamentin për pushime të pajustifikuara..”, tha Shehu.
Ndërhyn Spiropali që i kujton:
“Pikërisht zoti Shehu, ja e sheh, lapsusin, pushimet, nuk janë të pëfshira në kalendar”, tha ajo.
Teksa Shehu vijoi:
“Zonja kryetare ju po shkatëerroni plotësisht anën proceduriale të procesit. Janë paraqitur projektligje nga ne, ju po i shtyni, nuk po i sillni, këshut vepruar edhe për gjenocidin në Kosovë, e shtytë, e latë jashtë, nuk e keni sjellë, kështu edhe për atë me dy gjini, prindi një e prindi dy, qëllimisht nuk po e sillni, po dëmtoni rëndë familjen. Ta kalojmë në një nga dy seancat e mbetura atë projekligj, por unë i di votat tuaja, thelbin për shoqërinë njerëzor ee fmailjen, ndaj silleni ta kalojmë”, tha ai mes të tjerash në fjalën e tij për procedurë.
Në fund Spiropali iu rikthye për kujtesë, duke u shprehur se në parlament kalojnë e diskutohen projektligje që janë kaluar njëherë në Komisione.
Në nisje të seancës së sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali se javën që shkoi nuk ishte për samitin në Ukrainë, por në Greqi.
“Seanca duhet të ishte mbledhur të enjten, ashtu siç u miratua kalendari i ounimeve. Na thatë se kishit angazhim të rëndësishëm. Por e vërteta është se nuk ishit në Ukrainë, por duke ngrënë drekë në Greqi. Këtë na e bënit me dije të gjithë deputetëve dhe të mbyllësh Kuvendin për ta trajtuar si shtëpinë tënde personale për të ngrënë drekë në Greqi nuk është e mbështetur në rregullore por arrogancë që kalon kufijtë e sjelljes tuaj të përditshme. Edhe pse jemi një muaj nga mbyllja e punimeve, mbani të kyçur plot 60 nisma të deputetëve të kuvendit të Shqipërisë. Sipas Kushtetutës, një nga funksionet kryesore të deputetit apo përgjegjësia e tij kryesore ka të propozojë nisma legjislative”, tha Bardhi.
“Uroj t’u ketë shijuar dreka në Athinë dhe t’ia ketë vlejtur se bllokuat punimet”, i tha me ironi Bardhi, gjë që solli edhe reagimin e Spiropalit. Sipas kryeparlamentares, seanca e kaluar nuk u shty për shkak të pjesëmarrjes së saj në Ukrainë, por për faktin se kishte mungesa të deputetëve për shkak të aktiviteteve të tjera.
“Më vjen mirë që ndiqni aktivitetin tim në rrjete sociale. Por siç diskutuam në konferencën e Kryetarëve, seanca nga 12-16 nuk u shty për shkak të pjesëmarrjes time në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore por shumë deputetë kishte mungesa në aktivitete të tjera. Ishte e zëvendësuar prezenca ime me dy nënkryetarët por në bazë të nenit 7, kryetari i kuvendit ka për detyrë që të kujdeset për mbarëvajtjen e seancave plenare dhe deputetët të jenë pjesëmarrës”, tha Spiropali.
Komente
