Cilësohet si poet i dashurisë dhe vargjet e tij janë përcjellë plot emocion në një një mbrëmje të veçantë nën tingujt e muzikës.
“Ah ky mall, ky mall i çmendur!” titullohet aktiviteti kushtuar poetit dhe intelektualit të njohur vlonjat të viteve ’20-’30 të shek. XX, Ali Asllani, i mbajtur në teatrin “Petro Marko” mbrëmjen e së enjtes dhe që u ndoq me interes nga artdashësit, të cilët duartrokitën çdo performancë të artistëve.
Në skenën e teatrit u ngjitën aktorët Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Rozeta Ferri dhe Artan Islami, të cilët performuan vargjet lirike të poetit vlonjat, në shoqërinë e muzikës së Aulon Naçit në piano dhe kuarteti i harqeve: Dejon Bendaj, Vilson Guri, Albana Kola, Dorina Laro dhe në fyell e cylë dyjare, Vendim Kapaj, me pjesëmarrjen e sopranos Suada Gjergji.
I lindur në Vajzë të Vlorës dhe kryebashkiak i qytetit të Vlorës për shumë vite dhe ndër themeluesit e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve, Ali Asllani është poeti, poezia e të cilit ka fuqinë e lirisë, ndërsa nëpërmjet vargjeve sjell përshkrimin e shpirtit të kombit.
Një poet sa kompleks, aq edhe i thjeshtë, sensi i humorit dhe ironia e hollë e bëjnë poezinë e Ali Asllanit të veçantë dhe autentike.
Me vargjet e tij ai dëshmon jetën e ndërtuar nën kulturën e fjalës dhe kënaqësinë e komunikimit, me një ndërgjegje politike, e cila zotërohej fuqishëm nga ndërgjegja e tij poetike.
Rozeta Feri, aktore dhe njëherësh organizatore e këtij eventi, thotë se "Ali Asllani e ka shenjuar historinë e Vlorës, e ka dashur Vlorën si Ai! E ka ngritur në piedestal figurën e gruas”.
“Ajo që nuk thuhet shpesh për Ali Asllanin është lirizmi dhe erosi”, tha Driada Dervishi, regjisore.
Viktor Zhusti shprehet se “mbrëmjen e së enjtes festuam në Vlorë, në vendin që e ka frymëzuar poetin”. Ndërsa Yllka Mujo e krahason poezinë e tij me ujin e burimit.
Ali Asllani, i këndoi aq bukur Vlorës dhe atdheut, burrërisë e dashurisë. Nipi i tij, Ardian Asllani, e vlerësoi këtë aktivitet, i cili u prit me interes të lartë nga publiku, ndërsa nënvizoi se një të tillë do ta organizonin edhe në Tiranë.
“Do ta bëjmë këtë aktivitet edhe në Tiranë....”
Mbështetës i zjarrtë i Ismail Qemalit, Ali Asllani ka qenë edhe bashkëthemelues i shtetit shqiptar, diplomat karriere, kryebashkiak i qytetit të Vlorës për shumë vite dhe ndër themeluesit e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve.