Kronikë

Shemben objektet e para pa leje në Ksamil dhe Velipojë, Çuçi: Përgjegjësit para ligjit! Lamallari: Ligji do zbatohet çdo ditë, përfshirë dhe sezonin e verës

7 Qershor 2021, 07:15| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 18:49

  • Share

TIRANË- Nga sot, duke nisur me dy prej zonave më të bukura turistike në vend, Ksamilin në ekstremin jugor si dhe Velipojën në veri, filloi operacioni i shembjes së ndërtimeve pa leje në bregdet. Operacioni, i paralajmëruar si prioritar nga autoritetet qeveritare 'rrëzoi' sot në zonën e Velipojës dhe Ksamilit objektet e para. Në Velipojë parashikohet që brenda ditës së sotme të shemben 15 objekte të ndërtuara pa leje në bregdet, ndërsa në Ksamil janë parashikuar rreth 30.

Në Ksamil, efektivët e policisë janë përballur me raste të kundërshtimit nga disa prej pronarëve, pasi sipas tyre nuk janë njoftuar më parë nga IKMT për të larguar materialet e tyre nga objektet. Por, e kundërta ka ndodhur në zonën e Velipojës, ku pronarët nuk kanë bërë rezistencë për prishjen e ndërtimeve pa leje. 

Ndërsa, një reagim ka patur edhe nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i cili ka postuar pamjet nga ky operacion në zonën e Ksamilit. Çuçi është shprehur se ky aksion do të vijojë në të gjithë vijën bregdetare për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë shkelësit e ligjit.

Ndërkaq në një deklaratë për mediat zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka deklaruar se përse ky aksion është ndërmarrë pikërisht në sezonin e verës. Sipas Lamallarit, ligji duhet bazuar çdo ditë, si në sezonin e verës ashtu edhe në çdo periudhë të vitit.. Ai ka shtuar se çdokush që do të ndërtojë në territorin shqiptar duhet ta bëjë atë sipas rregullave dhe ligjeve dhe se tashmë ky aksion nuk ka më kthim pas.

Pesë ditë më parë ishte Kryeministri Edi Rama ai që u la afat pronarëve që kanë ndërtuar pa leje, deri sot, që t'i shembin vetë, pasi në të kundërtën, pasojat do të jetë më të rënda. Paralajmërimi shkoi për të gjithë, që nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe shefat e policisë.

Ishte Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i cili përmes një njoftimi dje bëri me dije detajet e operacionit për ditën e sotme. Objektet që do të shemben në Ksamil dhe Velipojë variojnë nga 1 deri në 5 kate, me struktura beton-arme dhe të lehtësuara.

Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, është vendosur si prioritet absolut nga Qeveria, madje duke e konsideruar si të njëjtë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit për Policinë e Shtetit. Ky ishte mesazhi dhe angazhimi madhor i Qeverisë shqiptare që është shpalosur që prej 14 majit nga Qeveria shqiptare në një aktivitet të posaçëm.

Operacioni “Bregdeti Ynë” synon pastrimin e bregdetit e territorit dhe çuarjen para ligjit të gjithë shkelësit. Ndërkohë dosjet për çdo subjekt shkelës, sipas ministrit të Brendshëm Çuçi, janë përmbyllur tashmë, ndërsa pas zonës së bregdetit, operacioni do të vijojë edhe në anët e rrugëve nacionale, për t’i pastruar nga ndërhyrjet e paligjshme. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Territorit  kanë konstatuar të gjitha ndërhyrjet e reja dhe janë në përfundim të fazës së njoftimit të këtyre subjekteve.

 

 

Ora 22:52
Operacioni 'Bregdeti Ynë', reagon Rama: Të çlirohet çdo hapësirë e zaptuar dhe të vihen para përgjegjësisë shkelësit e ligjit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me operacionin 'Bregdeti Ynë'. Rama thekson se ka nisur nga Ksamili dhe Velipoja shembja e ndërtimeve pa leje, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit, përgjatë gjithë vijës sonë bregdetare

'Operacioni “Bregdeti Ynë” - Ka nisur sot nga Ksamili dhe Velipoja shembja e ndërtimeve pa leje, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit, përgjatë gjithë vijës sonë bregdetare.'- shkruan Rama.

 

Ora 14:30
Operacioni 'Bregdeti ynë', Bledi Çuçi publikon pamjet nga shembjet në Ksamil: Të gjithë para ligjit

1610541735_cucii.jpg

Teksa sot ka nisur operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdetin shqiptar, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka publikuar pamjet nga ky operacion në zonën e Ksamilit.

Ai shprehet se ky aksion do të vazhdojë përgjatë gjithë vijës bregdetare për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

“Ka nisur në Ksamil e Velipojë shembja e ndërtimeve pa leje. Operacioni “Bregdeti Ynë” do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit”, shkruan Çuçi.

 

Ora 13:57
Aksioni për shembjen e ndërtesave pa leje, Lamallari zbulon arsyet pse u ndërhy në sezonin veror: Ligji duhet zbatuar çdo ditë (VIDEO)

Në një prononcim për mediat, zv. ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka zbuluar edhe arsyen se përse ky operacion është ndërmarrë pikërisht tani, në sezonin veror.

“Nuk mendoj se turistet u prishet imazhi se si agjencitë ligjzbatuese zbatojnë ligjin, po flasim për paligjshmëri dhe ligji duhet zbatuar në çdo kohë, si në sezon si në tetor, ndoshta është pak më e ndjeshme në sezonin veror, por këto janë çështje që duhen zbatuar çdo ditë dhe kjo është mesazhi më i qartë, jo vetëm turistëve, por edhe qytetarëve shqiptar se kush do që të ndërtojë në Shqipëri duhet ta bëjë këtë sipas rregullave dhe ligjit, në çdo kohë, qoftë sezon turistik apo periudha dimërore. Edhe një shembje që do të kryhet kërkon angazhimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor, për çdo rast është shqyrtuar dokumentacioni, çdo gjë duhet bërë në mënyrë komforte sipas ligjit. Përgjegjësi është atyre që kanë shkelur ligjin që nuk kanë marrë leje, apo edhe ato që kanë toleruar shkelësit e ligjit. Po vijohet dhe me evidentimin e personave që duhet ët reagonin dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ky operacion nuk ka kthim pas. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët është i nevojshëm për të bërë të mundur zbatimin e ligjit që të bëjmë një operacion sa më efektiv dhe kërkohet bashkëpunim, njoftimi ka qenë publik pak ditë më parë dhe të gjithë kanë marrë dijeni”, tha Lamallari.

Ora 09:55
Shembet objekti i parë në Velipojë, asnjë kundërshti nga pronarët deri tani (VIDEO)

Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje ka nisur mëngjesin e sotëm edhe në Velipojë. 

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur ndërtimin e parë në në zonën e Vilunit, pranë hidrovorit në Velipojë. Janë 15 objekte që janë parashikuar që të prishen sot në këtë zonë.

Deri tani nuk ka pasur asnjë kundërshti nga pronarët.

Ora 09:28
Fillojnë shembjet e ndërtimeve pa leje në Ksamil, pronarët kërkojnë kohë pasi pretendojnë që nuk janë njoftuar (VIDEO)

Ashtu siç ishte paralajmëruar në zonën e Ksamilit në Sarandë kanë filluar shembjet e ndërtimeve pa leje në zonën e bregut të detit. Fadromat e IKMT kanë  filluar punën.

Pronarët janë ankuar dhe kanë kërkuar më shumë kohë që të mund të heqin materialet pasi sipas tyre nuk janë njoftuar më parë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?