Mbyll siparin festivali i 11-të i këngës në BunkArt1, 'arti i ndaluar' përmes përjetimeve të protagonistëve

3 Janar 2020, 22:56| Përditesimi: 14 Janar 2020, 18:35

  • Share

Mbrëmja finale e Festivalit 11-të të Këngës, që kryefjalë pati këngën dhe lirinë e të bërit art, u transmetua për telespektatorët përmes valëve të “ReportTV”. Festivali retrospektiv mbylli siparin e tre mbrëmjeve artistike në skenën e Bunk’Art1, ku rolin e prezantuesit e rimori pas 47 viteve Bujar Kapexhiu, së bashku me Marsela Çibukajn, duke sjell me ndjeshmëri ta lartë artistike ngjarjen e bujshme të vitit 1972, përmes batutave, por të edhe të vërtetave të pathëna, si asnjëherë më parë.

Ëndrrat e artistëve ishin të mëdha, sytë dhe mendja e tyre ishte nga Perëndimi, aty ku dashurisë i këndohej me gjuhën e shpirtit, frymë kjo që donin ta sillnin dhe në vendin e tyre. Por, edhe pse populli e përqafoi shpejt, regjimi komunist i udhëhequr nga Enver Hoxha e mbyti lirinë ende foshnjë, duke dënuar çdo kontakt me botën e jashtme

Kompozitori Josif Minga rrëfen se si fare i ri, pas realizimit të muzikës së këngës “Sonte u takoj të gjithëve” e interpretuar nga Zija Saraçi mësoi që liria konsiderohej kontrabandë, nëse nuk merrte aprovimin e Enver Hoxhës. Prandaj, ai kujton se si artistët e rinj, intelektualët e kohës u dënuan vetëm, sepse guxuan.

“Për fat të keq u pagua shumë keq, edhe pse ishte pjesa më intelektuale e shoqërisë. Dolën emra të rinj, që i dhanë gjurmë muzikës, por fatkeqësisht pati edhe shumë viktima. Këto iniciativa janë shembullore, sepse rietikojnë të ardhmen”, thotë Minga.

Shaban Murati, diplomat karriere, kujton eksperiencën e tij, si poet, duke bërë thirrje që sot duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj poetëve.

Telespektatorët shijuan për tre net Festivalin 11 të Këngës, të ideuar dhe organizuar nga gazetari Carlo Bollino, i cili tregoi se si plagët e së shkuarës shërohen vetëm duke i thirrur kujtesës, dhe jo duke i mbyllur ato.

 “Udhët janë të bukura” e njohur më vonë, si “Kafe Flora” asokohe nuk kaloi pa u vënë re nën interpretimin e Lindita Sotës. Ritmet moderne të kompozuara nga Agim Krajka dhe poezia e Agim Shehut kanë lënë gjurmë në 47 vite. Bashkëpunimin, që i kushtoi dhjetë vite izolim, e rrëfeu në këtë natë të fundit të festivalit Agim Krajka.

“Është gjë tjetër, se si e zhvillon njeriu veten e vet, por shqiptari duhet që t’i këndojë vendit të vet. Unë këtë kisha parasysh, sepse e doja shumë këngën popullore. Doja shumë trevat e Shqipërisë, sepse shikoja se kudo që udhëtoja kishte diçka interesante. Por, nga “Kafe Flora” e pagova shumë shtrenjtë, dhjetë vjet izolim total”, tregon Krajka.

Ilir Mati sjell në kujtesë, se si rastësisht bashkë me studentë të tjerë asokohe u bë pjesë e udhëtimit, si anëtar jurie në këtë festival të Këngës. Ndonëse, ai tregon se nuk patën asnjë presion, rezultati u përmbys nga politika e kohës.

“Asnjëherë nuk e kam kuptuar, se si përfundova anëtar jurie në Festivalin 11-t të Këngës. Asnjëherë se kam marrë vesh se përse u ndodha atje, sepse nuk kam qenë shumë i lidhur me muzikën e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Por, ishim studentë në vit të fundit, kur dikush vjen edhe na thotë: ‘Do të vini në jurinë e Festivalit 11. Shkuam, edhe e gjetëm veten anëtar jurie, pa ditur asgjë”, shprehet Ilir Mati, ish- anëtar jurie.

Përmes ekranit, në këtë natë finale nuk mund të mungonte perla e pakohë e Vaçe Zelës, “Natën vonë”.


1578088524_festivali.jpg

Këngëtarët e rinj Kejsi Tola, Marsela Çibukaj, Vitmar Basha e Bledi Polena, Tiri Gjoci, Eranda Libohova, si rrallëherë u dhanë zë 20 këngëve të Festivalit në strehën e memories, Bunk’art 1, duke kujtuar për të shëruar

Justina Aliaj e privuar nga arti për 18 vjet, këndon në frëngjisht, duke sfiduar kohën pas afro gjysëm shekulli.

Të ftuarit specialë në natën e tretë, Luan Zhegu dhe Kozma Dushi, rrëfejnë përmes ekranit, se si as dora e hekurt e diktatorit edhe as regjimi nuk ua ndali dot këngën.

“Ai festival kishte këngë shumë të bukura, ishte një vulë në një fushë të varur”, shprehet këngëtari Kozma Dushi.

Kënga fituese, me poezinë e Fatos Arapit, “Kur vjen Pranvera” me zërin e Tonin Tërshanës, të jetësuar brenda saj, mund të shoh lirisht në drejtim të Perëndimit.

1578088506_festivalii.jpg

Risjellja e Festivalit të XI 47 vite pas në Bunk'art 1 u mundësua nga sponsori gjeneral, Bankers Petroleum.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Moderni: 04/01/2020 11:21

    Na enjti ai Bujari. Kenget te bukura po' llogjet e atij pa pik lezeti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?