Deputeti demokrat Petrit Doda u shpreh nga Kuvendi se ai dhe PD i kërkojnë SPAK-ut që të nisë hetimet për godinat arsimore të shembura dhe ndërtuara në Kamëz, pasi ka dyshime për shkelje ligji dhe abuzime ekonomike, duke akuzuar edhe kryebashkiakun socialist, Rakip Suli.
Kjo ishte edhe fjala e fundit e mbajtur para se deputetët sipas lajmërimit të kryeparlamentares Elisa Spiropali, të kalonin në votimin e 16 projekvendimeve të ndryshme në rend dite.
Ligjvënësi bëri edhe ironi me kolegët në sallë për seancën e kaluar, duke kujtuar çështjen e “heqjes së rripit”, ku tentoi të godiste me mikrofon të shkulur ministrin Taulant Balla.
“Sot nuk do të merrem me rripin, pasi sipasi siç shihet jo vetëm u është trashur truri nga zullumet ndaj shqiptarëve, por ju është prishur edhe shikimi (e ka fjalën për seancën e kaluar kur shkuli mikrofonin për të goditur ministrin Taulant Balla)”, tha ai.
Më tej kujtoi edhe çështjen e plehrave dhe abuzimit me fondin e rindërtimit në Kamëz.
“Po bëhen punësime dhe legalizime elektorale. Po kërcënohet administrata me pushime nga puna. Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë hetimet për shembjen e godinave të arsimit të ndërtuara në vitet 2010-2014. Shpërdorimi i fondeve të arsimit me ndërtimin e godinave të reja, me 5 herë më shumë të fondeve sesa standardet ndërkombëtare. Në krye të këtij shpërdorimi është kryebashkiaku Rakip Suli dhe ushtria që ka ai. Po kështu edhe grumbulli i mbeturinave që kanë pushtuar tërësisht Kamzën dhe rrethinat e saj”, tha Doda.
Në fund ai kujtoi kolegët e mazhorancës se “pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve të administratës për votën e Diasporës, emigrantët do votojnë për ndryshimin dhe rotacionin”.
Kjo fjalë i dha fund edhe diskutimeve në sallë, për të kaluar në votim. Spiropali kujtoi deputetët se do kishte 10 minuta pushim dhe më pas do votohej sipas procedurës.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PS e PD dakordësi, miratohen me 108 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor, futen në fuqi menjëherë! 1.5 mln euro fond partive për 11 majin (FOTOT)
A.Q/I.M/ReportTv.al
