Mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat në Milot ka shtuar ndjeshëm fluksin e automjeteve përgjatë aksit Tiranë–Fushë-Milot–Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe shpeshherë kaos total në qarkullim.
Përballë kësaj situate, Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që lëvizin përgjatë rrugës nacionale Lezhë–Milot që të ndjekin sinjalistikën e vendosur në drejtim të Rubikut, për të dalë në Rrugën e Kombit dhe anasjelltas.
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë Vendore të Lezhës, Valentin Nikolli, deklaron se është ngritur një grup pune për të shqyrtuar mundësinë e një ndërhyrjeje emergjente në këtë urë, me qëllim që të rihapet provizorisht për kalimin e mjeteve të vogla.
Ndërkohë, lidhur me mbylljen e urës mbi lumin Mat, ka reaguar zyrtarisht edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas njoftimit të ARRSH-së, kalimi në këtë urë përbën një rrezik serioz, pasi janë dëmtuar themelet e saj.
“Ura auto-hekurudhore e Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e:
* dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse,
* erozionit të theksuar në bazament, për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit,
* dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor.”
Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projektit të ndërhyrjes emergjente që po hartohet nga ARRSH në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës.Kjo ndërhyrje pritet të nisë menjëherë në ditët në vijim.Ndërkohë, ndërtimi i një ure krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore" thuhet në njoftimin e ARRSH.
Komente
