TIRANË- Me 502 vota pro dhe 120 kundër, Parlamenti Europian miratoi raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024. Miratimi vjen një ditë pasi Parlamenti Europian debatoi mbi raportin për Shqipërinë, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder.
Parlamenti Evropian i kërkon Shqipërisë të ruajë reformën në drejtësi dhe të mos cenohet pavarësia e SPAK. Në seancën e një dite më parë, Marta Kos, Komisionerja për Zgjerim, tha se bisedimet për anëtarësim të vendit tonë po ecin me një ritëm të paparë, por në çdo rast të bazuar në meritë.
Eurodeputetët përshëndesin synimin për mbylljen e negociatave të Shqipërisë deri në vitin 2027, ndërsa bëjnë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Miratimi i raportit u përshëndet edhe nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila thotë se është një vlerësim për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE. Kryeparlamentarja thekson se mirëpresin rekomandimet për të thelluar më tej reformat.
“Ky raport përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konfimon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Europian. Ne mirëpresim raportin e Parlamentit Europian, vlerësojmë rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës, dhe falënderojmë eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen tonë për raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmëndtë, qasjen objektive dhe të balancuar si ndaj të arritjeve ashtu dhe sfidave që kemi përpara dhe mbi të gjitha bashkëpunimin e përpjekjet e përbashkëta. Ne vlerësojmë gjuhën inkurajuese të raportit, si në pasqyrimin e qartë të reformave dhe arritjeve të Shqipërisë në dy vitet e fundit, ashtu edhe për fushat ku ka nevoje të bëjmë më shumë, më shpejt e më mirë”, shkruan Spiropali.
Presidenti Bajram Begaj tha se rezoluta i jep Shqipërisë energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
‘Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë përfaqëson një konfirmim dhe mbështetje të fortë për vendin tim. Ajo do të nxisë më tej përpjekjet tona për reforma drejt anëtarësimit në BE. Është koha të tregojmë mirënjohjen tonë përmes veprimeve konkrete dhe bashkëpunimit parlamentar në çdo aspekt të rezolutës', shkruan Begaj.
Ministri i shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla shprehet se “kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces.”
“Me 502 vota nga 686 prezentë në sallë, Parlamenti Europian miratoi Raportin 2023-2024 për Shqipërinë, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder. Mirënjohje grupeve të mëdha politike në PE dhe Komisionit Europian për mbështetjen e qartë të anëtarësimit të Shqipërisë brenda kësaj dekade në BE. Kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces”, shkruan Balla.
Duke mirëpritur synimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe përparimin e bërë deri më tani, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Marta Kos, Komisionere e Bashkimit Europian për Zgjerim kërkoi një ditë më parë që reforma në drejtësi të mos preket.
Dialog politik dhe kundër ndikimeve të huaja
Raporti nënvizon polarizimin e vazhdueshëm politik të shënuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për një dialog më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimet e huaja të dëmshme, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, që kërcënojnë institucionet demokratike dhe aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Procesi zgjedhor dhe reformat në drejtësi
Raporti reflekton mbi zgjedhjet parlamentare të majit 2025, të cilat përshkruhen si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët i bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Përparimi i bërë në reformat në drejtësi dhe hetimet ndaj korrupsionit në nivele të larta mirëpriten, megjithatë ndërhyrjet politike mbeten një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur llogaridhënien.
Votimi në Parlamentin Europian
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Presidenti i vendit Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me rezolutën e fundit të Parlamentit Europian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se rezoluta tregon mbështetje ndaj vendit tonë dhe do të nxisë më tej reforma drejt anëtarësimit në BE.
‘Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë përfaqëson një konfirmim dhe mbështetje të fortë për vendin tim. Ajo do të nxisë më tej përpjekjet tona për reforma drejt anëtarësimit në BE. Është koha të tregojmë mirënjohjen tonë përmes veprimeve konkrete dhe bashkëpunimit parlamentar në çdo aspekt të rezolutës', tha Begaj.
Grupi i socialdemokratëve në PE ka reaguar pas miratimit të raportit për Shqipërinë. Në një postim në platformën X, Grupi i socialdemokratëve shkruan se integrimi i Shqipërisë në BE brenda 2030, po bëhet gjithnjë e më i prekshëm. Por, në postim theksohet se tani nevojitet guxim reforma dhe mbështetje nga Brukseli.
"Shqipëria tregon se: ëndrra evropiane jeton! Si një ndër vendet më të avancuara mes kandidatëve për anëtarësim, hyrja në BE deri në vitin 2030 po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Por, ende nuk është arritur gjithçka. Tani nevojitet guxim, ritëm reformash dhe mbështetje e fortë nga Brukseli", shkruan Grupi i socialdemokratëve në PE.
Foto: Elisa Spiropali
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka përshëndetur miratimin e raportit mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, nga Parlamenti Europian, gjatë seancës plenare të mbajtur sot në Strasburg.
Në reagimin e saj zyrtar, Spiropali e cilësoi miratimin e raportit si “një sinjal të qartë të mbështetjes që gëzon procesi i zgjerimit në Parlamentin Europian”, duke falënderuar eurodeputetët për vëmendjen dhe angazhimin ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit.
“Me 502 vota pro, Parlamenti Europian konfirmon mbështetjen per anëtarësimin e Shqipërisë në BE bazuar në meritë dhe refoma. Pas një debati të zhvilluar një ditë më parë dhe pas miratimit me datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), Parlamenti Europian miratoi sot, në 9 korrik, në seancë plenare në Strasburg, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024.
Ky raport përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konfimon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Europian. Ne mirëpresim raportin e Parlamentit Europian, vlerësojmë rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës, dhe falënderojmë eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen tonë për raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmëndtë, qasjen objektive dhe të balancuar si ndaj të arritjeve ashtu dhe sfidave që kemi përpara dhe mbi të gjitha bshkëpunimin e përpjekjet e përbashkëta. Ne vlerësojmë gjuhën inkurajuese të raportit, si në pasqyrimin e qartë të reformave dhe arritjeve të Shqipërisë në dy vitet e fundit, ashtu edhe për fushat ku ka nevoje të bëjmë më shumë, më shpejt e më mirë.
Ky raport vjen në një moment të rëndësishëm, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri, në fakt në mënyrë të paprecedent- siç e theksoi vetë Komisionerja Kos në seancën e datës 8 korrik - në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, në përputhje të plotë si me aspiratat e popullit shqiptar, ashtu edhe me vlerat themelore të Bashkimit Europian, për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e administratës publike dhe lirisë së medias.
Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë.
Ne riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur për të vazhduar me ritëm edhe më të shpejtë reformat e nevojshme për anëtarësim dhe për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Bashkimit Europian dhe e konsiderojmë raportin një mesazh politik të rëndësishëm, i cili përkon tërësisht me mesazhin e qartë që qytetarët shqitarë dhanë me votën e tyre në zgjedhet e 11 majit, për të ecur me vendosmëri në rrugën e integrimit europian.
Në jemi të vetdijshëm dhe plotësisht të përkushtuar për natyrën rigoroze dhe transformuese të procesit të anëtarësimit dhe për nevojën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë edhe më të thelluar me të gjitha institucionet europiane, përfshirë edhe Parlamentin Europian dhe në këtë kuadër mirëpresim edhe rekomandimet për të thelluar më tej reformat, për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe për të kontribuar në forcimin dhe unitetin e Bashkimit Europian", shprehet Spiropali.
Komente
