Kronikë

‘Më ishte krijuar bindja se isha prokuror i SPAK-ut’, Gjykata e Sarandës lë në burg 49-vjeçarin! Mashtronte të rinjtë se do i punësonte si oficerë gjyqësorë

11 Tetor, 12:45| Përditesimi: 11 Tetor, 16:40

  • Share

SARANDË- 49-vjeçari Alban Muço, i cili u arrestua pasi hiqej si prokuror dhe mashtronte qytetarë, do të qëndrojë në qeli. Muço doli sot para Gjykatës së Sarandës, ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa u deklarua i pafajshëm.

Ai pretendoi se kishte krijuar bindjen se vepronte si prokuror i SPAK-ut. “Më ishte krijuar bindja se isha prokuror i SPAK-ut. Jam i pafajshëm, nuk kam dëmtuar asnjë qytetar,” deklaroi Muço në sallën e gjyqit.

Mashtrimet në Sarandë: Emëronte të rinjtë si hetues dhe truproja me paga prej 2800 euro

Hetimet kanë zbuluar se  Alban Muço ka mashtruar disa të rinj në Sarandë, duke u premtuar punësim në institucione të drejtësisë. Ai u ishte prezantuar si funksionar i lartë pranë Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke i “emëruar” si hetues të BKH-së, shoferë dhe truproja personale.

Sipas dëshmive të mbledhura, ai u kishte premtuar një pagë mujore prej 2800 eurosh, plus dieta dhe shpenzime të tjera, të cilat – sipas tij – do të paguheshin nga Prokuroria e Përgjithshme.

Avokati kërkon “arrest shtëpie”: Klienti vuan nga perceptim i deformuar i realitetit

Në seancë, avokati i tij, Armand Çaushi, kërkoi caktimin e masës më të lehtë, duke argumentuar se Muça nuk ka rrezik për t’u larguar dhe se nuk ka qëllim kriminal.

“Klienti im ka pretenduar se po jetonte në një fazë deluzionale, që mendonte se ishte prokuror, por që pretendon se nuk ka sjellë asnjë pasojë të rëndë apo pakësim të pasurisë së personave të tjerë” deklaroi Çaushi.

Gjykata refuzon – vendos “arrest me burg”

Pavarësisht kërkesës së avokatit, Gjykata vlerësoi të ligjshëm aarestimin e Alban Muço dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke vlerësuar rrezikun e lartë shoqëror dhe mundësinë e ndikimit në hetimet në vijim.

SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?