Çrregullimet e ankthit nuk po prekin vetëm të rriturit, por gjithnjë e më shumë edhe fëmijët dhe adoleshentët. Mjekët psikiatër evidetojnë një tendencë rritjeje të rasteve me çrregullime të sjelljes.
“Kemi një trend në rritje të rasteve vitet e fundit tek fëmijët, duke filluar që nga cikli 9-vjeçar por, edhe mosha e gjimnazit. Janë shtuar rastet kryesisht me çrregullimet e ankthit, të cilat mund të vijnë nga shkaqe të ndryshme, janë shtuar rastet me çrregullime të sjelljes me hiperaktivitet, rastet post abuzimit me substanca por, edhe psikoza”, thotë për Report Tv, Valentina Asabella psikiatre.
Varësia ndaj rrjeteve sociale është faktor kryesor që ndikon te moshat e reja. Për specialistët rreziqet online janë të gjithanshme dhe kjo sjell ndikim në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Kam evidentuar raste të cilët janë përfshirë në lojëra seksuale nëpërmjet rrjeteve sociale si në snapchat, tik-tok, dhe mbas kësaj fëmijët mbyllen në vetvete, ndjejnë frika dhe shohin ëndrra të frikshme, përjetojnë situata sepse ata janë akoma të papërgatitur për të arritur të kuptojnë këto lojëra apo informacione në rrjetet sociale. Kohët e fundit është vënë re edhe rritje e çrregullimeve të ankthit nga provimet, testet që kanë në fundvitit”, thotë Asabella.
Vetë prindërit e gjyshërit, thonë për Repor TV se mbajtja e të vegjëlve larg celularëve për ta është një mision i pamundur.
“Ngelën nëpër telefona, nëpër rrjete sociale, shikojmë që po vriten njerëz në këto rrjete, në Tik Tok”.
“Janë dhe mosmarrëveshjet familjare që ndikojnë, edhe rrjetet sociale ndikojnë shumë keq”.
“Prindërit nuk i kontrollojnë fare fëmijët, duan të rrinë rehat për vete. Gjithë rrugës gratë se kanë mendjen tek fëmija, por tek celulari”, u shpreh një gjyshe.
“Mendoj se teknologjia nuk ndikon mirë tek kalamajtë, se bien tërë kalamajtë pas celularit”.
Sipas mjekëve vajzat janë më të prirura të mbyllen në vetvete, ndërsa shtojnë se tek këta të fundit është parë një tjetër problematikë shqetësuese, dukuria për t’ju ngjarë personazheve të shoëbizit apo modeleve deri ne dieta ekstreme.
“Kam vënë re një rritje të trendit tek vajzat, kryesisht adoleshentet, të cilat mbyllen në këto rrjete sociale. Kam vënë re edhe një problematikë tjetër, dëshira për t’ju ngjarë dhe bërë si VIP-at. Ato identifikohen duke ndjekur këngëtarë, aktorë, vipa, kërkojnë me patjetër t’ju ngjajnë atyre dhe mund të ndërpresin ushqimin, pagjumësi në përpjekje për të marr rata format e dëshiruara të trupit”, thotë psikiatrja.
Që fëmijët të qëndrojnë sa më larg këtyre fenomeneve dhe ankthit, mjekët u bëjnë thirrje prindërve që të tregojnë më shumë kujdes ndaj tyre, duke e nisur me më shumë kohë të përkushtuar.