Dhespo Kalivioti është 78-vjeçe, jeton me bashkëshortin në fshatin “Lefter Talo” të bashkisë minoritare të Finiqit në skajin jugor të vendin. Sot gjendet në spitalin e Sarandës, e dërrmuar nga dhuna barbare e dy të rinjve që hynë për të plaçkitur banesën, mesnatën e së dielës. Për mikrofonin e Report Tv, Dhespo dhe bashkëshorti i saj, Spiro Kalivioti, 79 vjeç rrëfyen orët e tmerrit. Dy të rinj të maskuar, hynë në banesë, i goditën me shkopinj, kthyen shtëpinë përmbys derisa arritën të marrin 2 mijë euro.
“Ishte 11:30 e gjysmë ora. Nuk e kuptuan si hynë nga porta. Hyri i pari i gjatë tjetri nga mbrapa. I tha burrit çohu na jep leket.. Ata me shkop na qëllonin vazhdimisht. Me shkop të trashë më qëllonin. Më thoshin do të vrasin burrin më qëllon mua këtu. Më morën telefonin dhe s’kisha si të njoftoja policinë. Erdhën dhe të premten në darkë dhe s’morën gjë. Të dielën erdhën prapë. Ishin të maskuar në kokë dhe në fytyrë”, tha Dhespo Kalivioti.
Spiro Kalivioti është kryeplak i fshatit dhe menaxhon tokat e bashkëfshatarëve, të cilët janë emigrantë në Greqi. Prej 30 vitesh, thotë ai, kullotat e fshatit ua kemi dhënë me qira disa çobanëve nga Skrapari. Paratë e grumbulluara shpërndahen çdo sezon veror tek të gjithë banoret. Kësaj radhe nuk kishin ardhur të gjithë nga Greqia, ndaj mbante në banesë paratë e tyre. 79-vjecari dyshon se hajdutët kanë pasur informacion të brendshëm për këtë shume parash.
“Unë jam kryeplak i fshatit dhe menaxhoj tokat ata që më japin fshatarët. Ua jap disa çobanëve nga Skrapari. Tani unë mbledh lekët e fshatarëve dhe ua jap kur kthehen në verë. Kësaj radhe nuk erdhën 5-6 vete dhe kishin mbetur lekët aty në dollap. Ua ruaja unë. Ata (hajdutët) duket se kanë pasur informacion. Se kush e bën këtë punë nuk e di. Por dikush u ka treguar për lekët”, tregon ai.
Po kështu çifti i moshuar rrëfen për mikrofonin e Report TV se dy të rinjtë e maskuar, mbanin me vete përveç shkopinjve dhe një thikë e pistoletë.
“Kishin një pistoletë të bardhë dhe një thikë. E mbanin në dorë, nuk e dimë nuk e di nëse ishte lodër apo e vërtetë. Na thanë a keni armë? I thamë jo. E ktheu shtëpinë përmbys, tmerr i tmerrit”, rrëfejnë ata.
Çifti i moshuar nga Finiqi kërkon nga policia e Sarandës, të identifikojë dhe arrestojë hajdutët që i rrahën barbarisht, duke u shkaktuar plagë e mavijosje në trup, kokë e fytyrë.
“Më qëllon mua me shkop në kokë. U thashë ca ju kemi bërë. E kam shumë keq (tregon shpinën e mavijosur). Na tha kemi ardhur për leke. Juve punoni tha, keni lekët nga çobanët e Skraparit. Një orë ndenjën në shtëpi dhe e kthyen përmbys. Gjetën ca lek dhe i morën. Shtëpinë e bënë copash”, tregon ajo.
Kanë qenë fqinjët që njoftuan policinë pasi dëgjuan zhurmën në banesë.
“Fqinji dëgjova zhurmë dhe dola. Erdhi policia, ambulance. Nuk e ka bërë njeri nga fshati se këtu veç të moshuar ka. Mund të jenë nga jashtë fshatit ata (hajdutët). Këtu 10 familje janë, këta që rrahën janë më të rinjtë, të tjerët mbi 80-vjeç”, tregojnë fqinjët.
Ndërsa hajdutët e maskuar morën me dhune 2 mijë euro, u larguan nëpër natë, duke lënë pas frikë e pasiguri në këtë fshat të vogël të Finiqit, ku banojnë veç 10 familje, kryesisht të moshuar...
Komente
