Bota

Meçollari për Report Tv: Pushtuesit s’kanë fituar kurrë luftë! Deliu: Ukraina tregoi forcën, Putin po analizon situatën! Tafani: As Trump s'e dinte sulmin

3 Qershor, 21:54| Përditesimi: 4 Qershor, 12:04

  • Share

Ukraina ka kryer dy sulme të gjera strategjike dhe ushtarake ndaj Rusisë brenda tre ditëve të fundit, duke e goditur “ariun” e madh të drejtuar nga Vladimir Putin aty ku nuk e priste.

Operacioni “Rrjeta e Merimangës” shkatërroi me dronë 41 avionë luftarakë bërthamorë në bazat më të thella të Siberisë në Rusi, kurse goditja me dronë ujorë të pajisur me eksploziv shkatërroi urën mbi Krime, pikë lidhëse me rëndësi për pushtuesit rusë.

Analiza për zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë-Rusi u bë sot edhe në studion e ‘Repolitix’ në Report Tv, me të ftuarit e moderatorit Denis Minga. Denis Deliu, deputet i PS, ish-komando në misionet ndërkombëtare, Artur Meçollari, ish-oficer i Forcave Speciale, Arjan Galdini, kryetari i LRE dhe Endri Tafani, analist, dhanë mendimet e tyre mbi situatën më të fundit gjeo-politike dhe cili do jetë fundi.

“Sulm i kufizuar me dronë, me autonomi të kufizuar tek ata detarë, në ndryshim me ata ajrorë. Bëhet nëpërmjet kalimit nën ujë të eksplozivit. Ukraina ka prodhuar edhe një dron të mirë kohët e fundit. Është sulm i veçant dhe strategjik. Ura ka karakter sttategjik, e vetmja për komunikim me Krimenë. Me rëndësi është operacioni i hyrjes së forcave ukrainase në territorin rus, gati 4500 kilometra. Përveçse ka goditur edhe bazën strategjike, bazën ajrore, janë 41 avionë të goditur. Ky sulm do hyjë në histori dhe taktikat e luftës. Problemi më i madh i dronëve ujorë është komunikimi dhe thellësia, pasi valët nuk depërtojnë në thellësi të mëdha. Zakonisht ata përdoren me fije dhe jo me valë. Historia e luftrave ka treguar se pushtuesit asnjëherë nuk e kanë fituar atë, kanë marrë vetëm fitore ushtarake. Duhet edhe fitore politike. Putin po analizon çfarë ka ndodhur dhe pse dhe do dalë pasi t’i kundërpërgjigjet Kievit”, u shpreh ish-komandanti Meçollari.

Kurse deputeti socialist Deliu, u shpreh se sulmi i Ukrainës në dy fronte ishte me rëndësi të madhe, për ta ulur në mënyrë të barabartë Rusinë në tavolinën e negociatave.

“Sulm i rëndësishëm, me karakter psikologjik, kyç, ushtarak dhe politik, që tregon forcën e Ukrainës. Kjo tregoi se Ukraina ka mundësi të bëjë sulme pas krahëve të kundërshtarit dhe e ul atë në nivel të barabartë në tavolinë me Rusinë. Sulmet po bëhen gjatë kohës së negociatave dhe kjo tregon se edhe Ukraina ka forcë. Sulmi bëri që Ukraina të ulet në mënyrë të barabartë në tavolinë me Rusinë për bisedime. mendoj se Putin po analizon situatën dhe rreziqet, do ketë lëvizje drejtuesish ushtarakë dhe shërbimesh sekrete. Rusia ka humbur peshën e saj pas sulmeve”, u shpreh ligjvënësi, ish-komando në misionet ushtarake.

Analisti Tafani nënvizoi se për sulmin nuk e dinte as presidenti amerikan Donald Trump.

“Duhet presion ekonomik apo ushtarak që ta detyrosh tjetrin që të lëshojë diçka. Rusia nuk shihet të jetë tërhequr apo të ketë lëshuar. Rusia ka projektet e saj që Ukraina të mos ekzistojë, ka të njëjtat kërkesa territoriale që nga nisja e luftës. Sulmet janë të bëra nga vetë Ukraina, një vit e gjysmë përgatitje, duke mos u raportuar as te amerikanët. Imagjinoni që nuk e ka ditur dhe as është informuar presidenti amerikan Trump, sikurse liderët europianë. Avionët që u goditën janë të posaçëm të ndërtuar vite më parë, me goditje nga larg, që shmangin e radarët. Tani flota ruse ka më pak avionë në dispozicionë për të goditur. Këta avion as nuk prodhohen më tani, ky është problemi sepse nuk zëvendësohen. Ndaj goditja që i është bërë këtyre avionëve është e rëndë dhe të mendosh se janë goditur 4 apo 5 baza menjëherë. Putin po shikon hapësirën e veprimit dhe limitin e kundërpërgjigjes”, analizoi ai.

Për Arjan Galdinin lufta mund të quhet e mbaruar, teksa mbetet të shihet vetëm se çfarë përfundimi do ketë tavolina e negociatave. Lufta sipas tij aktualisht po bëhet se sa e madhe do jetë “copa e tortës”.

“Ukraina bëri një fitore në një dorë humbëse, pasi bëri një goditje në kohën kur nuk e ka mbështetjen e plotë nga SHBA si dikur. Negociatat asnjë palë nuk ka ndërmend që t’i mbyllë. Negociatat po vazhdojnë, teksa Europa është anashkaluar. Të gjitha palët mendoj se e dinë se çfarë po ndodh, varet se çfarë po negociojnë. Për mua lufta ka mbaruar, puna është sesa do jetë ndarja apo sa i gjatë do jetë ‘bishti’. Rusia nuk do të dalë nga skakiera e madhe si superfuqi. Unë mendoj se Putin është në tavolinën e negociatave, po diskuton me Trumpin, madje edhe Zelensky është i përfshirë. SHBA ndodhet aty, diku ka përfitime me minerale e marrëveshje, në krahun tjetër për territore”, tha Galdini.

Ora 22:26
Tafani: S’i besohet një ish-agjenti të KGB! Galdini: Paqja do vijë me humbje nga Ukraina! Meçollari: Putin s’e do paqen, kushte sikur e ka fituar luftën! Deliu: Kievi në vështirësi

Paqja në Ukrainë do vijë vetëm me humbje të saj, pasi marrëveshja në negociata do vijë me pasoja për të, për shkak se SHBA dhe Rusia do kërkojnë përfundimin e luftës duke ndarë copat që kërkohen.

Edhe pse Rusia është e raskapitur, ajo nuk do lëshojë pa marrë diçka nga Ukraina. Kështu u shpreh në emisionin ‘Repolitix’, Arjan Galdini.

“Bëhet fjalë për fuqi të mëdhaja që e ndajnë apo përmbysin globin. Rusia mendoj se e do paqen tani, pasi është e raskapitur. Argumentet që vijnë këtu janë që Rusia është e shkalafytur aktualisht, kurse Ukraina e ka pësuar në luftë dhe do e pësojë edhe në paqe. Më vjen keq ta them, por cinizmi është se kështu funksionon bota. Presidenti amerikan gjithashtu, Donald Trump, e kërkon me domosdo paqen. Bëhet fjalë për përqafim arinjsh që kushedi sesa pemë rrëzojnë. Ukraina do jetë e humbur në paqe, sepse tani çështja është se sa do jetë bishti, që mund të presë edhe pjesë të tjera të globit. Ky proces paqeje mendoj se do kërkojë të paktën 1 vit”, tha ai.

Kurse ish-komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari u shpreh se Putin ka vendosur kushte aq të forta, sa duket sikur ai e ka pushtuar Ukrainën dhe po i kërkon dorëzimin përfundimtar pasi ka fituar luftën.

“Unë mendoj se jemi shumë larg paqes. Armëpushimi është tjetër, është ngrirje e situatës në terren, mund të jetë afatgjatë dhe afatshkurtër. Por jemi shumë larg paqes mendoj. Sepse kjo nënkupton se duhet dorëzuar një palë. Pra Putin ka vendosur kushte të forta sikur e ka pushtuar të gjithë Ukrainën. Ndaj edhe Zelensky e quan idiot Putinin, sepse këto kushte nuk mund të vendosen. Putin kërkon dorëzim pa kushte dhe kjo ndodh vetëm kur Kievi mos të ketë asnjë mundësi tjetër. Unë mendoj se Putin nuk e do paqen, ndaj vendos kushte kaq të rënda”, u shpreh ish-komandanti.

Deputeti Denis deliu nënvizoi se disa nga kushtet e Putinit janë të qarta ekzistuese si rasti i krimesë, ku prej vitesh Rusia e ka pushtuar atë rajon.

“Me përjashtim të dy sulmeve të fundit, Ukraina nuk ka qenë në pozicion të favorshëm gjeo-politik dhe ushtarak gjatë luftës. Mendoj se Krimenë psh., Ukraina nuk e merr dot më pas. Shtuar kësaj edhe gjendjen poltike brenda Ukrainës apo edhe lodhjen e Europës”, tha ai.

Kurse analisti Endri Tafani tha:

“Lufta aktualisht kërkon një vendim politik, për mbarim apo tërheqje. Është evidente se Putin do që ta pushtojë tërësisht Ukrainën. Nuk i besohet një ish-agjenti të KGB-së. Ëndrra e tij është Odesa në Ukrainë dhe më pas hyn lehtë në Ukrainë”.

 

 

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?