Presidenti izraelit Isaac Herzog, teksa i dha Medaljen Presidenciale të Nderit kryeministrit Edi Rama, tha se populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje për ndihmën e jashtëzakonshme ndaj hebrenjve. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nderimit, presidenti izraelit tha se Kodi shqiptar i besës ndihet edhe aty.
"Zoti Kryeministër, i dashur miku im Edi! Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qënieve njerëzore. Kjo thirrje integriteti e nderi rrënjosur thellë në popullin tuaj, gjen jehonë fort në udhëheqjen tuaj sot, gjen jehonë në angazhimin tuaj ndaj tolerancës, humanizmit dhe drejtësisë sociale, gjen jehonë në qëndrimin tuaj të pakompromisë kundër antisemitizmit dhe urrejtjes.", u shpreh Herzog.
Më tej, Herzog vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve, duke përmendur fluturimin e ri të drejtpërdrejtë midis Tiranëd dhe Tel Avivit.
"Më duhet t'ju them se unë personalisht u mallëngjeva gjatë vizitës sime në Tiranë në shtator nga dhimbshuria juaj dhe dhurata prekëse për Idit Ohel, mamanë e Alon Ohel, i cili ende mbahet në bodrumet e Hamasit në shkelje të çdo parimi njerëzor dhe etik. Ne duhet ta kthejmë atë dhe çdo peng tjetër në shtëpi. Zoti kryeministër, i dashur miku im Edi! Si artist, ju keni aftësinë unike ta shihni botën, jo vetëm siç është, por siç mund të jetë dhe në këtë cilësi vizionare, kjo përbën shumë për kombin tuaj, edhe kaq shumë për lidhjet që kombet tona ndajnë aktualisht. Lidhja jonë po thellohet në kaq shumë fusha dhe sfera. Fluturimi i ri i drejtpërdrejtë midis Tiranës dhe Tel Avivit po thjeshton shumë udhëtimin dhe po ndihmon shkëmbimin e drejtpërdrejtë.
Dua të përgëzoj Sundor Airline që e ka shtyrë përpara këtë zhvillim. Dua t'ju falenderoj personalisht, kryeministër që personalisht i mikpritët izraelitët, të cilët iu bashkuan fluturimit përurues me kaq ngrohtësi e bujari, saqë nuk ndalen së shkruari në ëhatsApp, se sa e mrekullueshme ishte kjo gjë. Dua të përgëzoj Qendrën Mjekësore Sheba dhe Qeverinë Shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes për të ngritur një projekt të përbashkët mjekësor në Shqipëri. Dua t'ju falenderoj ju, i dashur Edi, dhe mikun tonë të dashur, profesor Yitshak Kreiss, që është drejtuesi ekzekutiv i Sheba-s për çuarjen e kësaj gjëje përpara.
Dua të përgëzoj të gjithë ata që janë mbledhur këtu për çuarjen përpara më tej të bashkëpunimit midis kombeve tona në mënyra kaq të rëndësishme. Sigurisht, vizioni i partneritetit dhe miqësisë sonë shkon përtej vetëm dy kombeve. Ai mishëron modelin e partneritetit midis etnive e besimeve fetare, e ja pse kemi me ne sot udhëheqës kaq të rëndësishëm fetarë, të cilët mund të ndihmojnë ta transformojnë Mesdheun Lindor nga një rajon konflikti, në një korridor bashkëpunimi e ndërlidhjeje, e në një model tolerante paqeje për Lindjen e Mesme, Europën e deri në Indi e më tej në Lindjen e largët në Azinë Juglindore e përtej.
Tradita hebreje na mëson se bota qëndron mbi tri shtylla të barabarta: Drejtësia, e Vërteta dhe Paqja. Kombi juaj, i dashur Edi, duroi një diktaturë të tmerrshme për 50 vjet. Është e jashtëzakonshme sesi u kthye në një demokraci energjike bazuar në drejtësi dhe të vërtetën që ju po e çoni përpara me kaq shumë sukses. Besoj po ashtu se këto vlera drejtësie së vërtetë e paqeje dhe sinergjia midis tyre, janë baza e udhëheqjes suaj dhe baza e miqësisë Shqipëri-Izrael, që ju keni ndihmuar të farkëtoni më tej. Edhe njëherë, është nder dhe kënaqësia ime më e madhe që t'ju akordoj Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit.", përfundoi presidenti izraelit.
Lajmi kryesor:
Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit: Nazistëve u dorëzuam arin, por jo hebrenjtë! Herzog: Kodi i besës ndihet edhe këtu (VIDEO)
Xh.D/I.M/ReportTv.al
