Muzeu që do të ndërtohet në Vlorë

Media italiane: Vlora do të ketë muzeun hebraik në vitin 2025! Ndërtesa me 3 elementë kyç, muret do të jenë me gur të posaçëm për kursim energjie

5 Janar 2023, 07:45| Përditesimi: 5 Janar 2023, 08:01

  • Share

Vlora do të ketë muzeun hebraik në vitin 2025. Muzeu i projektuar nga studioja izraelite Kimmel Eshkolot do të jetë i futur brenda një ndërtese historike dhe do të pasqyrojë historinë e komunitetit hebre në Shqipëri nga koha romake deri në atë bashkëkohore, shkruan media italiane Atribune.

Muzeu bazohet në tre elementë kyç: ndërtesa e periudhës së restauruar me kujdes me shtimin e një zone të re; një zonë për ekspozita në ambient të hapur; si dhe një zonë që i lidh të dyja. Secila prej strukturave është e pozicionuar me kujdes për të lejuar këmbësore midis Rrugës ‘Perlat Rexhepi’ dhe Rrugës ‘Ceno Sharrës’.

Salla që duket si në ambient të hapur do të krijohet në sheshin përballë saj, duke lënë hapësira të reja të cilat përveç rinovimit të planimetrisë urbane të asaj zone të qytetit, kontribuojnë edhe në dialogun mes tij dhe muzeut. Për më tepër, hyrja do të krijojë një rrugicë që sugjeron të vizitohet ndërtesa historike, duke zbuluar një pjesë të brendshme të muzeut, e dukshme përmes një dere xhami.

Muret e muzeut do të jenë prej guri me cilësi termike me qëllim që të luajnë rol kyç në kursimin e energjisë. E njëjta gjë do të përdoret edhe në ndërtimin e zonës së re për të cilën do të përdoret guri lokal. Vetëm zona e jashtme do të vishet me atë që quhet guri i Jeruzalemit.

Hapësirat e ekspozitës do të jenë fleksibël në mënyrë që të mund të eksperimentohen struktura të ndryshme dhe do të kenë një tavan të pajisur me panele akustike. Po ashtu dhomat mund të errësohen për rastet kur duhet të përdoret projektori për video.

Salla për ekspozitat

Hebrenjtë në Shqipëri, një histori me rrënjë të lashtë

Vendbanimet hebreje në Shqipëri datojnë në vitin 70 pas Krishtit, në mesin e epokës romake. Sipas historianit shqiptar Apostol Kotani, pasardhësit e atyre hebrenjve të parë themeluan sinagogën e parë në vend në Sarandë, midis shekujve IV dhe V. Pas kaosit të pushtimeve barbare pas rënies së Perandorisë Romake, që dobësuan qendrat urbane romako-bizantine të Shqipërisë, me ringjalljen e urbanistikës, një farë mirëqenie gjeti edhe komuniteti hebre. Në shekullin e 13-të në Durrës merrej me tregtinë e kripës.

Ndërsa aktivitetet e hebrenjve në Vlorë datojnë në vitin 1426, kur me mbështetjen e osmanëve, një nga komunitetet e tyre u vendos në qytetin e Adriatikut, duke u marrë me tregtinë e erëzave, lëkurës, pëlhurave me Turqinë. Në shekullin e XVI komunitetet më të rëndësishme hebraike ishin ato të Vlorës dhe të Beratit, të tjera më të vogla kishte në Kavajë, Himarë, Delvinë, Elbasan. Shekujt në vazhdim kaluan të qetë, deri në kohën e rënies së Perandorisë Osmane. Gjatë kryengritjeve nacionaliste shqiptare të vitit 1911, komuniteti hebre u akuzua për bashkëpunim me rebelët nacionalistë shqiptarë dhe si rezultat i hakmarrjes, shumë hebrenj u larguan nga vendi.

Në fund të viteve 30, nën pushtimin italian, ishin vetëm 204. Ligjet racore (të zbatuara edhe në Shqipëri) dhe pushtimi gjerman pasues, megjithatë, nuk arritën t'i zhdukin hebrenjtë nga vendi, sepse ata mbroheshin bujarisht nga popullsi vendase e krishterë dhe myslimane, deri në atë pikë sa shumë hebrenj nga Evropa zgjodhën të emigronin në Shqipëri. Duke i shpëtuar rrezikut të kampeve, nga viti 1945 komuniteti hebre u gjend nën diktaturën e Enver Hoxhës, por nuk përjetuan diskriminim apo persekutim. Që nga viti 1991, pothuajse të gjithë hebrenjtë e Shqipërisë emigruan në Izrael dhe sot janë vetëm disa dhjetëra, pothuajse të gjithë në Tiranë.

Salla që do t'i dedikohet Luftës së Dytë Botërore

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?