Mediat italiane jehonë për ndihmën me mjekë, citojnë fjalët e Ramës: Shqipëria nuk e harron që na keni shpëtuar

30 Mars 2020, 11:24| Përditesimi: 30 Mars 2020, 19:07

  • Share

Shqipëria u vu në rresht me shtete si Kina dhe Rusia për t'i ardhur në ndihmë Italisë, duke dërguar përtej Adriatikut tridhjetë mjekë dhe infermierë në luftën kundër koronavirusit. Edhe pse për një shtet si Italia, që bën pjesë në G-7, kjo ndihmë e Shqipërisë nuk është thelbësore, gjithsesi si gjest është vlerësuar shumë nga liderët e këtij vendi por jo vetëm. Edhe të dielën patëm një numër të madh qytetarësh italianë të cilët përveçse shprehnin falënderimin e tyre, flisnin edhe me superlativa për Shqipërinë.

Ndërkohë sot një numër i madhe mediash italiane, kryesisht ato më kryesoret, kanë rishkruar për këtë lajm, nisur nga video e publikuar dje e kryeministrit shqiptar Edi Rama në faqen e homolugut të tij italian Guiseppe Conte.

Disa nga mediat që kanë shkruar për këtë janë: 'Le Verita', 'SECOLO d'italia', 'La Republica', 'Il Tempo', 'Naziono-CARLINO-GIORNO', 'Il Messaggero', 'Il Giornale', 'La Stampa'.

Në tituj e disa prej tyre lexohej:

La Stampa: 'Në sulm si Milani i Sakit, në këtë mënyrë Shqipëria ime ndihmon Italinë.'-citim nga fjalët e Ramës

La Republicca: "Përralla e bukur e kryeministrit Rama."

"Do t'iu ndihmojmë, Shqipëria nuk e harron që na keni shpëtuar."- citim i fjalës së Ramës

IL Tempo:  "Situata do të shkojë që Italinë ta shpëtojnë shqiptarët

Nentitull i 'Il Tempo' që i referohet një citimi të Ramës: "Nuk i braktisim miqtë tanë, leksioni që jep kryeminsti shqiptar BE-së"

Ora 14:02
Il Messaggero: Zemërgjerësia e Vendit të Shqiponjave

Nuk jemi pa kujtesë. Ne nuk mund të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin kurrë një mik në nevojë. Sot ne jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet të fitojë dhe kjo luftë do të fitohet gjithashtu për ne, theksoi kryeministri shqiptar, Edi Rama në një fjalim të mbajtur ndërkohë që shoqëronte ekipin prej 30 mjekësh dhe infermierësh shqiptarë që u nisen për në Itali në ndihmë të kolegëve të angazhuar në luftën kundër koronavirusit në Lombardi në aeroportin e Tiranës, shkruan gazeta italiane ”Il Messagero”.

Nga njëra anë Rama, nga ana tjetër von der Leyen. Rrjetet sociale krahasojnë menjëherë bujarinë e Vendit të Shqiponjave me egoizmin e presidentes gjermane të Komisionit Europian.

I pari që falenderoi kolegun shqiptar ishte Giuseppe Conte, i ndjekur nga nga të gjithë drejtuesit, nga Salvini te Renzi.

Ekipi mjekësor zbarkoi në një fluturim special për në aeroportin e Veronës, që u rihap në mënyrë të jashtëzakonshme për këtë rast, i shoqëruar nga ministri për Çështjet Rajonale, Francecso Boccia.

Ndër të tjera, ekipi mjekësor u mirëprit nga presidenti i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana dhe zëvendësi i tij, Fabrizio Sala.

“Grupi i mbërritur nga Tirana ka zgjedhur të ndihmojë Italinë për të kthyer atë që ka marrë në të kaluarën. Prej 30 vitesh ju na keni ndihmuar dhe mbështetur dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë për këtë komb që është sot në vështirësi të mëdha”, theksoi një infermiere.

“Nëna ime u operua në Pizë në vitin 2011 për një sëmundje të rëndë. Ata mjekë e shpëtuan atë dhe tani dua të kthej atë që më kanë bërë”, mund të përmblidhet në këto dy fjali të shqiptuara nga një infermiere, e cila është pjesë e ekipit prej 10 mjekësh dhe 20 infermierë shqiptarë, cilët mbërritën në Itali për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19

Ora 12:55
Rama për 'La Stampa': Ja se si Shqipëria ime e ndihmoi Italinë

Unë kurrë nuk kam parë që një luftë të fitohet duke u mbrojtur, duhet të sulmosh, ky është një armik i vështirë dhe ne duhet të bëjmë si Milani i Arrigo Sacchit, të gjithë në mbrojtje dhe të gjithë në sulm, ai që luan vetëm humbet, deklaroi kryeministri Edi Rama për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”.

”Nuk e tradhton dashurinë e tij për Italinë edhe te metaforat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili dje goditi imagjinatën italiane me fjalët e tij të solidaritetit dhe dërgimin e 30 vullnetarëve, përfshirë mjekë dhe infermierë, për të ofruar ndihmën për qendrat më të prekura në Lombardi”, shkruan ‘La Stampa”.

Kryeministri Rama, pikërisht në një kohë kur Europa po mundohet të tregojë solidaritet, Shqipëria nuk mungoi për t’i dhënë mbështetjen e saj Italisë. Si lindi ideja?

“Ne kemi jetuar me Italinë çdo ditë, përgjithmonë, dhe kur kuptuam se kishte nevojë për forcat e vijës së parë i thashë vetes: “Le të bëjmë diçka, nuk do të jetë shumë, por prapë një ndihmë është… “Kështu që telefonova ministrin Luigi Di Maio dhe së bashku organizuam operacionin, duke u koordinuar edhe me Shëndetësinë. E shkëlqyer ishte përgjigjja e menjëhershme nga mjekët dhe infermierët tanë. Edhe këtu kemi vdekje dhe të infektuar, por situata italiane është më serioze, dhe mobilizimi është ndjerë “.

Si mendoni si po sillet Bashkimi Europian në këtë fazë?

“Për ne, Bashkimi Europian është rruga e vetme dhe destinacioni i vetëm, edhe nëse është një projekt i papërsosur, i cili ndonjëherë është bllokuar, është i vetmi që mund të ketë sukses. Ky është një armik i padukshëm, i cili nuk ka nevojë për viza, që nuk shikon kufijtë e Schengenit dhe që nuk mund të hidhet në det: përballë një armiku që sfidon vetë kuptimin e komunitetit tonë njerëzor, frikësohet të shohë vendet europiane të cilat mbyllen dhe bëjnë dekrete shpesh kontradiktore. Kjo jep idenë e pamundësisë për të luajtur të gjithë së bashku ”.

A mendoni se dobësia europiane rrezikon të lërë një boshllëk politik që të tjerët mund ta mbushnin?

“Askush nuk mund të zëvendësojë Bashkimin Europian dhe shpresoj se kjo dobësi do të shndërrohet në mundësi për të gjetur një kohezion të ri të brendshëm”.

Shqipëria ka parë bllokimin e negociatave vetëm disa muaj më parë. Si e konsideroi këtë opinion publik shqiptar?

“Ishte një tërmet i tmerrshëm psikologjik, madje edhe para atij gjeologjik që pasoi. Për ne, BE është i vetmi vend ku mund të ulemi, një hapësirë ​​ku fati është në duart tona dhe jo në duart e të tjerëve. Në fund të fundit, nuk është hera e parë që ka ndodhur: Unë kam parë mirë zhgënjimin e Italisë të lënë vetëm në krizën e migrantëve, dhe pjesërisht edhe tani, ndërsa po lufton një luftë që nuk është një luftë italiane … ”

Çfarë prisni nga Komisioni i Ursula von der Leyen?

“Ne kemi marrë ‘po’-në për të hapur negociatat vetëm disa ditë më parë, kam një admirim të madh për të, ajo është një grua e jashtëzakonshme, me një ndjeshmëri të veçantë, dhe me një sens të fortë gjeopolitik, mendoj se ajo dëshiron t’i japë një kthesë të thellë strategjike Europës. ”

Cili është mësimi politik që duhet të nxirret nga kjo krizë e madhe globale?

“Unë nuk mendoj se ky virus ka mbërritur për të mirën tonë, por siç tha papa Françesku gjithashtu na jep mundësinë të reflektojmë mbi marrëdhëniet që kemi me natyrën, me familjet tona, me nivelin e komunikimit midis shteteve. Askush nuk mund të përjashtojë që Kina në vetvete nuk do të bjerë viktimë e virusit ose se infeksioni nuk do të kthehet në vendin ku dukej i zhdukur. Është një iluzion të mendosh që nuk duhet të veprojmë së bashku ”.

Çfarë mendoni për menaxhimin aktual të pandemisë?

“Unë mendoj se duhet të reagojmë nga ana ekonomike. Nuk mund ta mbyllim veten për të bërë vetëvrasje, përsëris, ne nuk e fitojmë ndeshjen vetëm në mbrojtje, e as nuk mund ta imagjinojmë se jemi mbyllur në shtëpi për një vit. Por, reagimi duhet të jetë i zakonshëm, i koordinuar, pasi fenomenet nuk mund të funksionojnë të vetmuar. Unë nuk kam iluzione, njeriu nuk u krijua të jetë i përsosur, por duhet të mësojmë të jetojmë me gabimet tona, jo të jetojmë me mëkatet tona 

Ora 12:54
Gazeta italiane 'La Verita': Mësimi shqiptar për të mëdhenjtë e Europës

Është një Europë tirane, por është edhe një Europë Tirana. E para ka si kryeqytet Brukselin, provincë e Berlinit dhe është Europa e Gjermanisë, Holandës apo e vendeve të Veriut, që po bllokon çdo propozim që synon të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar emergjencën.

Kështu shkruan gazeta italiane “LaVerita”, në një artikull të publikuar sot, për dërgimin e mjekëve dhe infermierëve në Itali në luftën kundër COVID-19.

Në emër të dënimit apo të fateve të tyre, thonë vetëm “jo” dhe duke pasur në dorë zonjën Ursula von der Leyen, zonjën Christine Lagarde dhe një shoqëri të keqe po e zhysin kontinentin në terrorin e epidemisë dhe në katastrofën e urisë.

Pastaj është Europa Tirana, ajo e Shqipërisë, e varfër, e copëtuar nga shumë konflikte të kohëve të fundit, për t’u transmetuar nga lajmet në histori, por aq e pasur me krenari dhe kaq shumë bujari.

Fjalimi i shkurtër i dhënë në një italishte më të mirë sesa ai i mjëra qytetarëve tanë , me të cilin Kryeministri Edi Rama lajmëron dërgimin në Itali të 30 mjekëve dhe infermierëve kjo po që ka kaluar në histori.

“E di”, tha Rama, “që disave këtu në Shqipëri do t’u dukej e çuditshme që 30 mjekë dhe infermierë të armatës sonë të vogël të bluzave të bardha nisen sot për në vijën e zjarrit të Italisë. E di që 30 mjekë dhe infermierë nuk e përmbysin raportin mes forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të në vijën e zjarrit matanë detit. Por di që edhe andej është shtëpia jonë tanimë që kur Italia, motrat dhe vëllezërit italianë, na shpëtuan dhe na mikpritën dhe adoptuan në shtëpinë e tyre kur Shqipëria digjej nga ato dhimbje të papërshkrueshme”.

Fjalimi i një gjiganti nga Tirana përballë të cilit të fuqishmit e Europës shfaqen për atë që janë “xhuxha”.

Ora 12:53
Rama për La Repubblica: Do ju ndihmojmë, ne nuk harrojmë që na keni shpëtuar

Dhjetë mjekë dhe njëzetë infermierë. Nuk është Ushtria e pamposhtur, por një togë e vogël dhe shumë prekëse, që dje Shqipëria e dërgoi në Itali për të na dhënë një ndihmë. Kryeministri Edi Ramma i shoqëroi në aeroport, bashkë me një video përshëndetëse që na ka prekur të gjithëve. “Të gjithë janë mbyllur brenda kufijve të tyre – tha Rama – edhe vende të pasura u kanë kthyer shpinën të tjerëve. Ne nuk jemi të pasur por as pa kujtesë, nuk mund të mos i demonstrojmë Italisë që nuk e braktisim kurrë një mik në nevojë. Sot jemi të gjithë italianë. Eshtë shtëpia jonë, që kur motra dhe vëllezër italianë na kanë shpëtuar, mikpritur dhe adoptuar”.

I mbyllur në shtëpi si të gjithë, Rama udhëheq luftën në një front të brendshëm me 212 raste të konfirmuara, 10 të vdekur dhe 33 të shëruar. Vendi është totalisht i mbyllur, frika është e madhe.
I dërgoni në Itali, si një kthim borxhi për ndihma që keni marrë?

Jo vetëm kjo. Lidhja jonë me Italinë është shumë e fortë. Fola me Luigin (Di Maio) dhe ai më tha menjëherë “po, kemi nevojë, do të na ndihmonit shumë”. Po i dërgojmë në mision për tridhjetë ditë, me shpenzimet tona.

Prej nga erdhi virusi në Shqipëri?
Pacienti zero vinte nga Italia, ne ishim të parët në Evropë që mbyllëm shkollat dhe universitetet, dhe që bëmë një mbyllje totale. Duket se masat po japin efekt.
Përse ndihmoni pikërisht Italinë?
Miqësia jonë nuk është episodike, ekziston që kur dolëm prej bunkerit të komunizmit real. Kur bëra të ditur nismën tonë, i gjithë populli shqiptar duartrokiti me entuziasëm. Askush nuk tha: Ne jemi në hall për vete, kemi nevojë për mjekë dhe infermierë, nëse pëson kolaps një sistem shëndetësor i përparuar si ai i Lombardisë, si mund të dërgojmë ne rezervat tona? Jo, shqiptarët janë të kënaqur dhe krenarë që ju ndihmojnë.
Ndihma italiane pas tërmetit, ishte konkrete?
Po, tërmeti ndodhi në 4 të mëngjesit, u shkruajta të gjithë kryeministrave, Conte ishte ndër të parët që mu përgjigj. Brnda ditës erdhi Mbrojtja juaj Civile dhe nisën të shpëtojnë jetë.
Kush janë tridhjetë të dërguarit?
Dhjetë mjekë dhe njëzetë infrmierë: në fillim të epidemisë kishim bërë një thirrje për personelin shëndetësor të brezave të ndryshëm, që të regjistroheshin si vullnetarë në një listë rezervistësh në rast se pandemia do të shkonte përtej kapaciteteve të reanimatorëve, mjekëve dhe infermierëve që punojnë tashmë në spitalet tona. Nga ajo listë u bëmë nga një telefonatë… nën zë. Nuk e dinim si do të reagonin, ishte e drejta e tyre të thoshin jo, mbase të kishin frikë. Por ishte e pabesueshme, ministrja e Shëndetësisë bëri një xhiro telefonatash dhe i gjeti të gjithë të gatshëm për t’u nisur.
Rrezikojnë për një vend tjetër.
Në aeroport kishte të rinj mjekë dhe infermierë, që nuk ua kishin thënë as prindërve, druheshin se mos u thoshin jo. Eshtë një luftë e vërtetë. Më thanë: do ua themi vetëm kur të mbërrijmë. Të paktën dy prej tyre kanë studiuar për Mjekësi në Itali.
Janë të formuar dhe të pajisur tashmë?
Krejt të gatshëm. Unë doja që misioni të ishte tërësisht me shpenzimet tona. U vumë në dispozicion një pagë italiane, dhe paguam gjithë maerialet. Do të marrin një përvojë në vijën e parë në luftë, dhe do ta sjellin këtë përvojë në Shqipëri ku kemi tashmë luftën tonë dhe të rënët tanë.
Si i ndihmoni shqiptarët?
U dërgojmë ushqime në shtëpi atyre më në nevojë, të cilëve nga 1 prilli u kemi dyfishuar asistencën mujore. Kemi dhënë një pagë minimale për ata që janë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesi të tyre të vogël: janë 123 mijë familje. Por duhet të ndihmojmë edhe ata që janë në shtëpi dhe sipërmarrjet e turizmit: është një sektor themelor. /La Repubblica

Ne.k.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aleksander maliqaj: 30/03/2020 14:13

    Bravo Kryeministri reagoji sic e ka ne tradit Shqiptari.

    Përgjigju
  • Aleksander maliqaj: 30/03/2020 14:08

    Un jetoj ne italia ndihem shum krenar per vellezrit e mi shqiptar qe ne dite te veshtira japin ndimen e tyre.

    Përgjigju
  • Tosi: 30/03/2020 13:59

    Kur degjojne keto fjale te mira per shqiperine nga Italia kushedi sa shume nxijne nga helmi qe kane brenda,Alibeaj, Klevis krrici i Faros, Flamur Herman Geringu ose Muli Horri, Nafije dybeku, fallxhorja e leshitlikes, Vokshi, dhe gjithe banda e sharebajgave qe duartrokiten molotovin ne deren e kryeministrise vitin e kaluar.

    Përgjigju
  • Arben: 30/03/2020 13:14

    Bravo kryeministri i shtetit tim.Ja keni ngritur vlerat shqiperise e shqiptarve si kurre me pare.Por mos harroni se pervec ketyre 30 mjeke e infermiere qe po ndihmojne Italine jemi dhe ne mbi 5000 infermiere prej vitesh ketu qe punojme ne spitalet e Milanos ne repartet covid 19 dhe kudo ku ka nevoje, prandaj jemi shume me teper.Une jam dhe nenshtetas italian por ne kete moment ndihem me shume se krenar qe jam shqiptar. Faleminderit

    Përgjigju
    • Bepi: 30/03/2020 13:42

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?