Foto: Vladimir Putin dhe Donald Trump
Pas takimit midis presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump, agjencia e lajmeve ruse Tass është përqendruar kryesisht në dy çështje: perspektivat që hap takimi në Alaskë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Rusisë dhe SHBA-së, dhe përgjegjësia për paqen, e cila tani është tërësisht në duart e Europës dhe Kievit, të cilët "duhet të zgjedhin midis lëshimeve territoriale dhe luftës".
"Vështirësia kryesore do të jetë kapërcimi i mosmarrëveshjes territoriale mbi Donbasin dhe Krimenë", thekson Forrest Nabors, drejtor i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Alaskës në Anchorage, i cituar nga Tass .
"Ukraina do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë konfliktin apo do të lëshojë territor që mund ta humbasë gjithsesi për shkak të veprimeve të zgjatura ushtarake", paralajmëron eksperti amerikan.
"Rezultati kryesor i bisedimeve mund të përmblidhet në fillimin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe një vizitë të mundshme të Trump në Moskë", e cila do të ishte një vizitë kthimi pas vizitës së Putinit në Shtetet e Bashkuara, tha për agjencinë zyrtare të lajmeve RIA Novosti Lev Sokolshchik, studiues në Qendrën për Studime Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Ekonomisë në Moskë.
Sot, Channel One intervistoi Dmitri Trenin, një analist të njohur dhe anëtar të Këshillit Rus për Çështje Ndërkombëtare, i cili e karakterizoi hapur situatën që u krijua pas samitit të Anchorage si "pro-ruse". Duke përsëritur atë që propaganda e Kremlinit ka promovuar për muaj të tërë, Trenin theksoi se armiku tani është Europa, e cila dëshiron të pengojë procesin e paqes të iniciuar nga Moska dhe Uashingtoni.
Analisti pretendon se "ndryshe nga Evropa, Rusia gjithmonë ka mbajtur një kanal komunikimi me Shtetet e Bashkuara, të paktën në nivelin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrive të Mbrojtjes, edhe sepse siguria e botës varet nga këto kontakte".
Sipas Trenin, Trump "kishte të drejtë që ia hodhi topin Presidentit ukrainas Zelensky"; në këtë pikë, një skenar i mundshëm, thotë ai, është ai ku "amerikanët përpiqen të distancohen sa më shumë që të jetë e mundur nga çështja ukrainase, për të cilën Trump interesohet shumë pak".
Lajmi kryesor:
Trump pas takimit me Putinin: Përparim, por nuk kemi marrëveshje! Kreu i Shtëpisë së Bardhë telefonata me liderët evropianë, të BE-së e NATO-s. Zelensky të hënën në Washington (VIDEO)
Xh.K/ReportTv.al