Superaoperacioni në tre burgje në vend, në Elbasan, Peqin e Korçë, që çoi në burg 28 persona, mes tyre gardianë dhe të burgosur VIP, duket se nuk do të jetë thjeshtë një operacion që mbetet me kaq. Kështu paralajmëroi sot Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha nga foltorja e Kuvendit ku tha se do të ketë një investim të përditshëm për forcimin e sigurisë në burgje.
"U godit një grup kriminal që merreshin me veprimtari kriminale brenda dhe jashtë sistemit të burgjeve. Në operacion u arrestuan edhe punonjës të burgjeve. Ajo që ndodhi dje ishte punë e nisur nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve, por nuk do të jetë aksion, as kalendar veprimtarish në drejtim të goditjes së paligjshmërisë në burgje, por investim i përditshëm i të gjitha strukturave tona në zbatim të ligjit dhe forcimit ët sigurisë në sistemin e burgjeve. Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve është në riorganizim total. Qëllimi është të ristrukturojmë edhe sistemin e karrierës në burgje, duke e përafruar me atë në Policinë e Shtetit", tha ai.
Komentin Manja e bëri teksa u thirr në interpelancë nga deputeti Kastriot Piroli, i cili i kërkoi llogari ministrit në lidhje me trajtimin e punonjësve të burgjeve.
"Duhet të fillojë operacioni zbatimi i ligjit për rritje e pagave të punonjësve të burgjeve. Pagat kanë rritje të vogël të panjehësuar me Policinë e Shtetit. Thatë se do rriteshin pagat, por nuk pamë asgjë në buxhet. Pagesat e orëve shtesë dhe ditëve tepër nuk paguhen. Ku shkon mundi i punonjësve?', tha ai.
Pyetjeve të deputetit, Manja iu përgjigj duke thënë: “Pyetja cfarë kanë përfituar punonjësit e policisë së bugjeve nga ndryshimet e reja ligjore? Nga 7 gushti 2020 ka nisur rritja e pagave për gratë, në 1 janar 2021 ka nisur rritja ne pagës për cdo vit vjetërsie shërbimi, e nga 1 korriku 2022 do nisë rritja e pagës për natyrën e vecantë të punës. Sot nuk ka asnjë rast vonese të mospagesës së orëve jashtë orartit, jepen cdo fundmuaji sipas listëpagesave, kjo është e verifikueshme. Trajtimi për stafin shëndetësor të policisë së burgjeve, rritje 47% rritje page për kryeinfermierin, për farmacistin 66% rritje page, për infermierin rritje page 33%, për shefin e shërbimit 44% e mjeku specialist në burgje 42%”.
Superoperacioni i Policisë zbuloi se të dënuarit për vepra të rënda penale kanë vijuar aktivitetin e tyre kriminal edhe brenda qelisë duke krijuar një grup të strukturuar kriminal. Policët e burgjeve, jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë për të shkatërruar këtë grup, por kanë bashkëpunuar me ta duke mundësuar futjen e qeli të drogës dhe sendeve të paligjshme dhe transportin e saj nga njëri burg në tjetrin. Droga transportohej në trinomin burg i Peqinit-burgu i Drenovës- paraburgimi i Elbasanit dhe të gjitha këto veprime kryheshin kundrejt përfitimeve, ku si rezultat i këtij operacioni i sekuestruan 4 mln lekë brenda në burg.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Më 10 shkurt votohet zgjatja e afateve të vetingut! Alibeaj: Proces i njëanshëm! Balla: Jepini fund politizimit të vetingut! Miratohet marrëveshja me Greqinë për qendër të përbashkët policore dhe doganore
//ReportTv.al