TIRANË- Me 10 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të pezullojë prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, i arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të drogës të quajtur "Shpirti". Ka qenë vetë Sota, ai i cili ka paraqitur kërkesë në KLP për pezullimin e tij nga ushtrimi i detyrës, pasi konstatoi se është subjekt i një procedimi penal dhe këtë herë jo si prokuror, por si person nën hetim. Ky vendim i KLP vjen pasi është njohur me vendimin e SPAK për të marrë të pandehur dhe me masë “arresti shtëpie ndaj prokurorit.
Maksim Sota u akuzua në dosje për shpërdorim detyre. Sipas dosjes, roli i supozuar i prokurorit Maksim Sota rezulton nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Droli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari (Zaimi), arrestuar në Shqipëri në korrik 2020, kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira të cilën e paguante trafikanti, kur Maksim Sota jetonte bashkë me Maringlen Shushaj. Megjitjatë, ai i ka mohuar këto akuza duke thënë se ka jetuar te shtëpia e vëllait të tij në Vlorë. Mbi bazën e këtyre dëshmive, u krijua dyshimi për "infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale". Gjykata mbi këto elemente ka bazuar akuzat ndaj prokurorit Maksim Sota për shpërdorim detyre.
Sipas detajeve që Report Tv ka mësura nga dosja që ka SPAK në lidhje me operacionin ‘Shpirti’, rezulton se prokurori me origjinë nga Lushnja dhe që ka jetuar në Vlorë ku punonte prokuror, qiranë e shtëpisë ia ka paguar grupi i Ilir Ducollarit. Po ashtu në dosje thuhet se prokurori kishte bashkëjetues në shtëpinë me qira në Vlorë trafikantin e drogës që sot për autoritetet është dëshmitar i drejtësisë. Në një tjetër moment, burime nga SPAK thonë për Report Tv se po i njëjti grup i ka paguar edhe shtëpinë ku ka qëndruar me familjen në Romë të Italisë. Sota ka qenë kandidat për t'u bërë pjesëtar i SPAK, por nuk arriti ta realizonte ëndrrën e tij, përkundrazi është prangosur nga ky institucion.
Karriera e prokurorit Maksim Sota
|Sota e ka nisur detyrën në krye të të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2010 dhe ka qëndrua aty deri në vitin 2019, një periudhë me problematikë të theksuar për kriminalitetin. Prokuroi Sota ende nuk e ka kaluar vettingun. Ai po hetohej prej viti, por ende nuk ka dalë në seancë dëgjimore, pasi në 2019 u shkëput me leje të KPK-së për t'u kthyer sërish në 2020-ën.
Me 10 vota pro (në mungesë të anëtares Esmeralda Keshi), KLP pezullon nga detyra prokurorI Maksim Sota për shkak të masës së sigurisë personale "arrest me burg", respektivisht "arrest në shtëpi", vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur, sikundër kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.