Memaliaj - Një i moshuar u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm në fshatin Zhapokikë 2 të bashkisë Memaliaj.. Dëshmitarë të rastit kanë gjetur të pajetë trupin e Faik Hajdini 72 vjeç, banor i këtij fshati ku kane vënë në dijeni policinë. Burime policore nga terreni konfirmojnë për Report TV se 72 vjeçari Faik Hajdini është vrarë.
Nga konstatimet paraprake në trupin e të ndjerit, janë konstatuar dy goditje në qafë dhe në kokë ku plaga në qafe ka shkaktuar hemorragji çka ka shkaktuar vdekjen.
Goditjet kanë qenë me mjete prerëse sëpatë apo thikë. Terreni shumë i vështirë në përrua ku gjendet trupi i te ndjerit, ka bërë që në vendngjarje të shkojnë specialistët e grupit hetimor për të dalë në përfundime konkrete.
Ndërkohë policia njofton se ka arritur të identifikojë se cili është autori i kësaj ngjarjeje por nuk bën të ditur gjeneralitetet për arsye hetimore.
'Me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe kapjen e autorit të dyshuar nuk po bëjmë publike gjenealitetet e tij, deri në momentin e kapjes dhe arrestimit.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dhe nga ekspertiza paraprake mjekësore, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës. Këto dëmtime dyshohet se janë bërë shkak për humbjen e jetës së shtetasit F. A.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente ku dyshohet se mund të fshihet autori.', njofton policia
Sipas pistës fillestare, Faik Hajdini është qëlluar për vdekje dhe për të humbur gjurmët, vrasësi e ka hedhur në humnerë.
Fillimisht u raportua se i moshuari kishte rënë nga humnera dhe për pasojë kishte humbur jetën. Por kanë qenë ekspertët e kriminalistikës që evidentuan goditjet në kokë dhe në qafë që kanë shkaktuar vdekjen e të Faik Hajdinit.
Ndërkaq alarmin për humbjen e gjurmëve të të moshuarit e kanë dhënë familjarët e tij të cilët kishin më shumë se 48 orë pa asnjë kontakt me të.
Ndërkaq Policia e Gjirokastrës ka ngritur 2 postblloqe në aksin nacional Memaliaj-Krahës dhe në akset lokale Memaliaj-Sektori i Tretë dhe Krahës-Rabije. Ende nuk dihet se pse mund të ketë ndodhur ngjarja.
72 vjeçari i vrarë në Zhapokikë 2, Faik Hajdini
Gazetari i Report Tv, Piro Nase ka siguruar foton e viktimës 72 vjeçar Faik Hajdini i cili u gjet i vdekur në një përrua në fshatin Zhapokikë 2 në Memaliaj.
Hajdini ishte goditur në kokë dhe në qafë, dyshohet me sëpatë dhe më pas ishte hedhur në humnerë nga autori, që është ende i panjohur nga policia.
Hajdini kishte dy ditë që kishte humbur kontaktet me familjen dhe ishte denoncuar në polici.